Pezullimi i Belinda Ballukut, sipas tij, është një absurditet i paprecedentë në botë. Ai thotë se një prokuror dhe një gjykatës nuk mund të pezullojnë një ministre, sepse kjo prish balancën e pushteteve, prek qeverinë dhe merr kompetenca që, sipas tij, u takojnë vetëm kryeministrit dhe presidentit. Rama përmendi Venecian dhe Strasburgun për të mbështetur idenë se gjykata nuk mund të ndërhyjë në ekzekutiv.
Deri këtu, gjithçka duket si fjalim institucional.Por po të heqësh retorikën, mbetet e vërteta e thjeshtë. Rama nuk u ndez kaq shumë për një ministre. Ai u ndez për veten. Pezullimi i Belindës nuk është problemi. Problemi është precedenti. Sot një ministre u pezullua me një firmë gjyqtari. Nesër kush e ndalon të jetë dikush më lart. Dikush që ai e sheh çdo ditë në pasqyrë.
Prandaj gjithë kjo dramë. Prandaj ai e shndërron një vendim gjyqtarësh në “kërcënim për shtetin”. Jo sepse rrezikohet shteti. Por sepse rrezikohet shteti i tij. Struktura që ka ngritur përgjatë viteve, ku askush nuk prek askënd pa lejen e tij. Dhe brenda një dite, dikush tregoi se mund të bëhet edhe pa lejen e tij.
Pikërisht kjo e trembi. Jo Belinda. Jo Venecia. Jo balancat. E trembi ideja se drejtësia mund të hyjë aty ku ai s’e pret. E trembi dera që u hap. Dhe kur ai ka frikë, e para gjë që bën është të fajësojë sistemin, gjykatën, Europën, botën. Vetëm jo veten.
Kjo është historia që ai s’do ta kuptojnë njerëzit. Por është e dukshme. E thjeshtë. E padiskutueshme.
Pse u trondit kaq shumë një kryeministër nga pezullimi i një ministre. Sepse për herë të parë pas shumë vitesh, dikush i dha një sinjal të fortë. Dera e drejtësisë mund të hapet. Dhe kur hapet, nuk pyet kë është mësuar të mos prekë.
Nesti Angoni
Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply