Të nderuar bashkatdhetarë të Diasporës shqiptare në Itali, të gjithë së bashku duhet t’u themi: Ndaluni. Sot duam t’i drejtohemi me një thirrje të qartë atyre që po nxisin përçarje midis shqiptarëve dhe po ecin drejt shkatërrimit të Partisë Demokratike. Ndaluni nga çdo përpjekje që synon të godasë unitetin e strukturave institucionale të PD-së dhe të komunitetit shqiptar në Itali. Përçarja nuk është forcë — përçarja është dobësi. Dhe dobësia nuk i përket Diasporës shqiptare, e cila gjithmonë ka qenë e udhëhequr nga ideali, parimi dhe sakrifica. Ne kemi një Atdhe, një Komb dhe një kauzë. Jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë, jo për të krijuar grindje e ndarje. Ju, Flamur Noka, së bashku me disa eksponentë të tjerë në PD, po tentoni ngritjen e strukturave paralele, që nuk sjellin gjë tjetër veçse dëm të solidaritetit dhe bashkimit. Ne kemi struktura të institucionalizuara, të ligjshme, dhe jemi për bashkim — jo për mbivendosje të pakuptimta, që nesër i shërbejnë vetëm interesave tuaja dhe një grupi të vogël që kërkon të aneksojë PD-në, duke e shkëputur nga baza e saj, votuesit. Ne besojmë se Doktor Sali Berisha, në kohën e duhur, do të bëjë lëvizjen e nevojshme për ta pastruar PD-në nga individë si ju, sepse konsumimi politik nuk njeh reformim. Politika nuk është riciklim; riciklimi prodhon vetëm rehati dhe gjumë, por kurrë meritokraci. Kjo i bën dëm PD-së. Vetëm dëm. Ju jeni duke promovuar mbivendosje flagrante — si rasti i koordinatorit të Lombardisë, z. Berti Çoku, i zgjedhur me shumicë votash nga kryesia e PD-së në Itali. Pavarësisht punës, angazhimit dhe kontributit të tij për bashkimin e shqiptarëve dhe krijimin e degëve të PD-së, ju tentoni ta zëvendësoni në mënyrë arbitrare, për interesa personale. Këtu, Flamur Noka, ndalu. Sepse ne nuk do t’ju lejojmë të shkelni Statutin e PD-së. Ne qëndrojmë besnikë ndaj tij dhe ndaj orientimeve të Doktor Berishës. Ata që sot, nën petkun e “përfaqësimit”, krijojnë ndarje dhe shtrembërojnë vizionin e PD-së, duhet ta kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë e të pamohueshme: PD nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pronë e një grushti njerëzish. PD është ideal, histori, sakrificë dhe besim. Ne jemi mbi këto parime, z. Noka. Mos mendoni se mund ta përdorni diasporën si mjet politik. Jo. Kurrë. Diaspora nuk është fraksion i askujt dhe nuk do të bëhet pjesë e lojërave personale të askujt. Diaspora shqiptare në Itali e ka zgjedhur qartë kë të besojë, kë të mbështesë dhe kë të ndjekë politikisht: Doktor Sali Berisha. Qëndrimi ynë është i palëkundur. Ju që mendoni se mund ta përvetësoni politikisht PD-në duke përçarë demokratët, duke e reduktuar në interesat tuaja personale, gaboheni rëndë. Ne ju themi sot hapur dhe pa mëdyshje: Ndaluni! Sepse veprimet që dëmtojnë unitetin nuk janë politike, nuk janë burrërore dhe nuk janë demokratike. Ato janë shkatërruese. Diaspora nuk kërkon pushtet — kërkon drejtësi. Nuk kërkon përçarje — kërkon bashkim. Nuk kërkon interesa personale — kërkon kauzë kombëtare. Dhe ne, me plot bindje, deklarojmë: Diaspora shqiptare në Itali nuk manipulohet, nuk përdoret dhe nuk shitet.
Burimi/Facebook/Partia Demokratike Itali


Leave a Reply