Ajo ishte tridhjetëvjeçare, deputetja më e re dhe më e bukura jo vetëm në parlament. Të gjithë deputetët burra, të martuar dhe beqarë, vinin me dëshirë të madhe në seancat parlamentare, vetëm për të soditur bukurinë e paparë të Mimi Janit.
E quanin “La femme fatal”, një femër tepër tërheqëse, një katastrofë për një burrë që ngatërrohej me të.
Mimi kishte një bukuri të jashtëzakonshme, në mes të asaj të Hollivudit dhe bukurisë së perëndeshave antike. E gjatë në shtat, me bel të këputur, me këmbë të drejta dhe të gjata, me gjoks të formësuar bukur, aq sa, kur ecte, ndiente siguri në hapat e saj, thua ti se ishte duke ecur ndonjë perandore e suksesshme botërore. Një brune me flokë të gjatë, valë-valë, me sy të zinj të mëdhenj si kokërr rrushi, me hundë të vogël aristokratike, me vetulla të larta dhe të harkuara, me qepalla të gjata e të dendura që i preknin vetullat, me mollëza të kuqe, pa makijazh, faqebardhë. E kush vallë do të mund t’i rezistonte një bukurie të tillë?!
Me muaj të tërë Mimi u mor me studimin e dosjeve të marra nga komandant Kroni, për deputetët meshkuj të parlamentit të Kosovës, në mandatin e saj të parë. Studimi përqendrohej te burrat e fuqishëm financiarisht dhe politikisht. Qasja në dosjet e deputetëve ishte e lehtë për të, duke qenë se ajo ishte “Kolonele”, me gradë, në Shërbimin Sekret të Kosovës. Askush nuk e dinte saktë se cilave shërbime sekrete shtesë u shërbente Mimi, sepse kishte zëra se ishte agjente sekrete e trefishtë.
Mimi, pa asnjë ditë përvoje në politikë, i përveshi mëngët dhe i futi hundët edhe aty. Një nga figurat më të njohura të menaxhimit të modës dhe makijazhit në Kosovë merrej me rregullimin e pamjes së saj. Studio “Rebel” e Sara Obërtincës, merrej me pamjen e VIP-ave politikë dhe të biznesit, ku kishte marrë vendin e saj edhe Mimi. Ajo jo vetëm që ishte larg nga deputetet e tjera për nga bukuria, por ishte larg edhe me veshjet moderne, sipas trendeve të fundit të modës botërore, madje vishej edhe më bukur se presidentja e vendit. Dorën në zemër, po ta shihje, kishe dëshirë t’i pushoje sytë, ngase çdo gjë që shihje në të, të jepte qetësi. Kur një femër bën një vlerësim të tillë, çfarë mund të thonë meshkujt, çfarë mund të thonë deputetët në parlament.
Përgatitej me ditë të tëra për fjalimet dhe diskutimet e radhës, për tema të caktuara. Fjalimet ia shkruanin specialistët e fushave, jashtë parlamentit. E dhimbshme kjo, në vend që ata specialistë të jenë në ulëset e deputetëve, në vendin e tyre ligjëronte Mimi dhe deputete të tjera, të cilat pothuajse një mandat të tërë nuk e merrnin asnjëherë fjalën, sepse ishin të paditura. Në parlament kishte edhe gra të zonja, por ato ishin shumë pak në numër, kështu që, në mesin e tyre, Mimi shkëlqente dhe vlerësohej si shumë e ditur.
Kur ngrihej për të dalë në foltore, Mimi shkëlqente që nga fija e flokut deri te maja e thoit. Flokët i vallëzonin valë-valë në harmoni me hapat e saj të sigurt dhe trupin e përdridhte në mënyrë provokuese, thua ti ishte në një sfilatë mode dhe jo në Parlament. Takat e larta ia tregonin këmbët edhe më të gjata se ç’i kishte; sakoja e ngjitur në belin e këputur, gjatë ecjes, ia nxirrte në pah vithet alla braziliane; gjoksin e madh dhe paksa të hapur, aq sa mund të shihje një trup si ai i sirenës së detit, e veshur me rroba biznesi.
Duke qenë tani milionere, kishte mundësi ta ndërronte veshjen, nga një femër provinciale, e rëndomtë, në një femër moderne, biznesmene, e metropoleve botërore.
Kështu, kur merrte fjalën Mimi, kishe bindjen se po fliste një kryeministre e shkathët, e sigurt në vetvete, pa u ngutur, pa u hutuar, pa u friguar fare nga pyetjet që mund t’i vinin pas fjalimit, se edhe ashtu s’kishte kush t’i bënte pyetje për lëmit që ajo zgjidhte të diskutonte. Kjo bëhej qëllimisht, në mënyrë që ajo të mos kishte konkurrencë profesionale në parlament.
Por, në fund të fundit, kush e dëgjonte se ç’fliste ajo në foltore! Herë analizohej gjoksi, herë vithet, herë buzët e herë sytë e saj të shkruar.
“Uffff…!”, dëgjoje ofshamat e burrave në parlament, sepse ishte e mundimshme për burrat e pranishëm të qëndronin deri në fund të fjalimit të saj, ngase më shumë se gjysma ishin ekzaltuar, teksa ajo fliste dhe përdridhej në foltore, duke prekur kohë pas kohe flokët e gjatë e të bukur, me thonjtë e kuq, të rregulluar bukur me manikyr. Nganjëherë, si pa dashje, prekte këmishën, kinse për ta rregulluar në mes të gjinjve, aq sa mund të shiheshin gjinjtë e fryrë tej mase me silikon, sa s’shpërthenin nga sutjeni i ngushtë, që të dukej sa më seksi.
I vetmi mendim që kishin të gjithë burrat aty, ishte se si ta çonin Mimin në krevat. Por, një gjë nuk e dinin të gjorët, se ku prek “la femme fatal”, ai burrë bëhet shkrumb e hi.
Burimi/Facebook


Leave a Reply