Ajo që ka ndodhur në këto 35 vite nuk është thjesht rotacion pushteti midis PS dhe PD, por një rotacion brenda së njëjtës filozofi politike, një kulturë pushteti e trashëguar nga komunizmi, e bazuar tek kontrolli, klientelizmi, frika dhe mosndëshkueshmëria. Ku qëndron përgjegjësia kryesore ? PS dhe PD, si dy struktura që dolën nga trupa e vjetër politike, nuk arritën, ose nuk deshën, të ndërtonin, një shtet ligjor, institucione të pavarura, ekonomi të drejtë dhe konkurruese, administratë profesioniste, shoqëri me standarde morale e qytetare. Në vend të tyre u kultivua një sistem i ri, por me ADN të vjetër. Korrupsioni u institucionalizua. Krimi i organizuar u ngrit në nivel partneriteti me politikën. Drogat, trafiku dhe prostitucioni u kthyen në ekonomi paralele. Shteti u bë pronë partie. Administrata u shndërrua në skemë punësimesh klienteliste. Drejtësia u mbajt peng për 30 vite. Në thelb,u krijua një oligarki politike, ekonomike që kontrollon Parlamentin, Qeverinë, Administratën, Mediat, Tenderat, Drejtësinë, Proçesin Zgjedhor, etj. Kjo nuk është demokraci por është monopol i pushtetit, me fasadë pluraliste dhe me parimin e Lavjerrësit PS–PD. Ky ishte mashtrimi më i madh i tranzicionit. Populli mendonte se po ndryshonte pushtetin, në fakt ndryshonte vetëm ngjyrën, ndërsa sistemi mbetej i njëjtë. Kjo është arsyeja pse premisat e korrupsionit nuk u zhdukën kurrë, se askush nuk mbajti përgjegjësi penale. Shqipëria u boshatis nga qytetarët e saj dhe morali shoqëror u godit në rrënjë. Dhe sot çfare ndodh ? Sot jemi përballë një opozite të shpërbërë, një qeverisje të centralizuar, një sistemi ku pushteti është më i fortë se ligji, një shoqërie të lodhur e të zhgënjyer. Dhe për herë të parë pas 35 vitesh, lind pyetja dramatike: A kemi një demokraci funksionale, apo vetëm një sistem autokratik të veshur me pluralizëm ? Humbja e besimit të qytetarëve nuk është një emocion i momentit por është rezultati i një tradhtie 35-vjeçare politike. “Partite e reja”, që u reklamuan si “shpresa e ndryshimit”, përfunduan duke bërë pazare me Partite e vjetra PS e PD, qytetarët kuptuan një të vërtetë të hidhur. Problemi nuk është vetëm kush qeveris, por si funksionon sistemi. Dhe sot Shqipëria ndodhet në një pikë kritike: populli është i zhgënjyer, politika është e mbyllur, institucionet janë të kapura dhe alternativa mungon. Pse qytetarët nuk besojnë më ? Sepse kanë parë: Përçarje të opozitës, jo vizion, Marrëveshje të fshehta mes liderëve, Zero transparencë financiare, Liderë që mendojnë për karrierën, jo për kombin, Partitë e reja që u shndërruan në “satellite” të të vjetrës. Kjo krijoi bindjen se sistemi politik është një klub i mbyllur, ku qytetari është vetëm spektator – jo pjesëmarrës. Pyetja thelbësore sot është: Çfarë i pret në të ardhmen qytetarët e Shqipërisë ? E ardhmja ka tre skenarë të mundshëm dhe vetëm një prej tyre është pozitiv. 1. Skenari i vazhdimësisë (më i rrezikshmi) Nëse gjithçka vazhdon si sot: Migrimi do të rritet edhe më shumë, Pabarazia ekonomike do të thellohet, Pushteti do të centralizohet akoma më fort, Shqipëria do të zbrazet nga të rinjtë dhe profesionistët. Ky është skenari i shuarjes së shpresës dhe i kthimit të vendit në një hapësirë pa perspektivë. 2. Skenari i shpërthimit social. Kur besimi politik shuhet plotësisht, shoqëritë përballen me Protesta masive, Mosbindje civile, Revolta morale kundër sistemit. Pa një drejtim politik serioz, ky shpërthim mund të jetë kaotik dhe i paparashikueshëm. 3. Skenari i rindërtimit. Ky është skenari i vetëm realisht shpresëdhënës dhe bëhet i mundur vetëm me tre kushte: a ) Dalja nga modeli PS–PD. Jo rotacion ngjyrash, por ndryshim sistemi, financim transparent, kufizim mandatesh, drejtësi të pavarur, llogaridhënie të detyruar. b) Lidership i ri, jo thjesht parti e re. Lidership që nuk ka lidhje me oligarkinë, që jep llogari publike, që ka vizion të shkruar e të matshëm, që nuk e sheh politikën si biznes. c) Fuqizimi i qytetarit. Demokracia bëhet e vërtetë vetëm kur qytetari vendos, jo vetëm voton, kur monitoron institucionet, kur ka mekanizma për shkarkimin e të korruptuarve, kur ka zë në vendimmarrje. Ky skenar kërkon një lëvizje qytetare, jo thjesht një parti të re. Pyetja e fundit është: Po shpresa, ekziston ? Po. Sepse Shqipëria ka një brez të ri që shkollohet jashtë shtetit dhe të pa lidhur me tranzicionin, sepse Teknologjia hap mundësi të reja transparence, sepse Shoqëria civile po zgjohet, sepse SHBA dhe BE po kërkojnë standarde të reja integriteti. Por shpresa nuk do vijë vetë. Ajo duhet organizuar, drejtuar dhe mbrojtur nga forca të reja. Kjo është pyetja më e madhe për sot: A do të vazhdojë populli të presë shpëtim nga politikanët, apo do të nisë ta ndërtojë vetë ? Detyrimisht duhet ndertuar sepse e ardhmja e qytetarëve të Shqipërisë nuk varet më nga PS dhe PD, por varet nga struktura e re që do të lindë jashtë tyre dhe që do të sjellë ndryshimin e Shqipërisë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply