Ndonjëherë, njeriu mërzitet aq shumë sa nuk i mbetet tjetër veçse… të imagjinojë.
Kështu më ndodhi sot. Për një çast më erdhi një mendim i çuditshëm, i hidhur, por edhe ëmbël i pamundur:
“Sikur të na i kthenin lekët që na kanë grabitur këto 35 vite?”
Imagjinoni… ç’do të ndodhte?
Sa lekë do kishim sot? Sa plagë do ishin shëruar? Sa njerëz nuk do ishin larguar?
Shqipëria do ishte vendi më i pasur në Ballkan, por… vetëm sikur.
Në kokë më erdhi një skenë e çmendur:
Gjykatësi që i del përpara të gjithë politikanëve hajdutë, oligarkëve, banditëve me kostum, dhe ju thotë troç:
“O me burgim të përjetshëm… O NA KTHE LEKËT!”
Dhe papritur, si në filmat komikë, fillojnë të bien çanta, valixhe, thasë me para…
Nga Zvicra, nga Dubai, nga parajsat fiskale, nga bodrumet e errëta, nga kasafortat e vilave me kamera.
E dëgjoja një zë imagjinar që thoshte:
— “O popull i dashur, na mbytën lekët! Merrni, merrni!”
Dhe një tjetër që i bërtet tjetrit:
— “Ej, mblidhe mendjen o vëlla, këtu është lulishte, nuk flihet me thasë parash!”
…Deri sa u zgjova nga “ëndrra”.
I mbajtur nga batanija ime e hollë, ajo që më mbajti ngrohtë gjithë verën, u çova ngadalë dhe u afrova tek lokali i lagjes.
Televizori po jepte lajmet:
“Pas 3 vitesh hetime, ai u dënua me 1 vit burg, që do e kryejë me punë të detyrueshme në komunitet…”
Një vit?! Për miliona të vjedhura?
Një vit që as burg s’është?
Me batanijen që më varej nga krahu, mu afrua teli i shpirtit,
“Ej ti,” i thashë televizorit duke e kapur me dorë prej jakës së kollaros,
“MË JEP PARATË E MIA!”
Por ishte tepër vonë sepse Gjyqi kishte mbaruar.
Paratë kishin fluturuar… si gjithmonë, ndërsa ne, të njëjtët ne, mbetëm duke pritur…
Kokoshin e fundvitit që na e japin si bamirësi, pasi na kanë marrë pulën, vezën dhe gjithë kotecin përpara.
Por durimi i një populli nuk është pafund.
Dhe kur të vijë dita që populli të kërkojë llogari, atëherë “sikur”-i nuk do jetë më ëndërr, por do jetë faturë.
Tanush Caushi
Burimi/Facebook/KONISPOL CAMERI


Leave a Reply