Mjeshtri i pianos dhe orkestrimit, Robert Radoja, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës shqiptare, ka ndarë një rrëfim të rrallë mbi lidhjen e tij të hershme me Shkodrën dhe rolin e këtij qyteti në historinë artistike të vendit.
Gjatë bisedës, ai ndalet te momentet kyçe që, sipas tij, nuk janë vlerësuar sa duhet.
“Në ’48 në Shkodër është zhvilluar një koncert i madh që sot nuk e përmend askush. Aty ka marrë pjesë një ndër koret më të mira të botës, një kor kroat. Opera e parë shqiptare u krijua nga Prenk Jakova pikërisht në Shkodër. Para tij, mësuesit e tij kishin hapur shteg. Tentativa për opera në Shqipëri janë bërë që në vitet 1912”, tregon Radoja, duke theksuar traditën e hershme artistike të qytetit.
Ai sjell në kujtesë edhe orkestrën shkodrane dhe kontributin e pazëvendësueshëm të artistëve të saj në themelimin e operës së parë shqiptare.
Rrugëtimi i tij profesional nisi në vitin 1966, menjëherë pas përfundimit të studimeve të larta. Edhe pse fillimisht i caktuar të punonte në Pukë, ndërhyrja e kompozitorit të njohur Pirro Papalilo bëri të mundur që ai të mbetej në Tiranë.
“Një burrë i dashur dhe me simpati për mua, Pirro Papalilo, ndërhyri deri lart dhe më mbajti në Tiranë”, kujton mjeshtri.
Sot, pas dekadave të krijimtarisë, Robert Radoja jeton më qetë, duke reflektuar mbi rrugën artistike që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës.
“Deri para 4–5 vitesh kam pasur një aktivitet mjaft të ngjeshur. Por mosha, bashkë me gjendjen fizike, më kanë detyruar të ngadalësoj. Tani mendoj më shumë se çfarë kam thënë dhe kujtoj gjërat e bukura”, shprehet ai.
Robert Radoja mbetet një prej emrave më të spikatur që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare: pianist virtuoz, orkestrator i rafinuar dhe pedagog që ka formuar breza të tërë artistësh.
Gazetar: Marjo Gjini
Burimi/Facebook/Portali Shkodra Sot


Leave a Reply