Hapja e të pesë grupeve të kapitujve është një moment i rëndësishëm proçedural për Shqipërinë. Qeveria e ka shfrytëzuar për propagandë, e trajton si “fitore e madhe”. Por thelbi i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian nuk qëndron kurrë te hapja. Gjithmonë qëndron te mbyllja. A është më e rëndësishme hapja apo mbyllja e kapitujve? Mbyllja e kapitujve është shumë më e rëndësishme. Hapja është thjesht hyrja në provim: t’i japin detyrat në letër, të lënë në sallë dhe të thonë “nisni punën”. Mbyllja është kalimi i provimit, pasi vendi duhet të provojë jo vetëm miratimin e ligjeve, por edhe funksionimin praktik të tyre: Reformë në Drejtësi, Sundimi i Ligjit, Lufta kundër Korrupsionit, Reformë Zgjedhore, Standardet e Ekonomisë dhe Konkurrencës, Mbrojtja e Mjedisit, Liria e Medias, Depolitizime, Kapaciteti Administrativ, etj. Hapja pa mbyllje është një derë që e hap, por që nuk të çon askund. A mund të anëtarësohet Shqipëria pa i mbyllur kapitujt ?Absolutisht jo. Ligjërisht dhe proceduralisht, një vend Kandidat nuk bëhet Anëtar nëse nuk i ka mbyllur të gjithë kapitujt, një nga një, me dakordësinë unike të të gjitha shteteve të BE-së. Shqipëria mund të ketë hapur të pesë grupet, por, çdo grup kapitujsh ka qindra kushte dhe nënkushte. Për secilën fushë kërkohen raporte progresi. Mbyllja e secilit kapitull kërkon konsensus nga të 27 vendet. Dhe pikërisht këtu fillon puna e vështirë, ajo që propaganda Qeveritare dhe zonja Kos e shmang. Pse propaganda flet vetëm për hapjen ? Sepse hapja është e thjeshtë për t’u shitur politikisht, është emocionale, e dukshme dhe e menjëhershme. Ndërsa mbyllja kërkon rezultate që prekin realitetin e përditshëm: Drejtësinë, Ekonominë, Liritë, Institucionet, etj.Mbyllja nuk mund të arnohet me fjalime. Ajo kërkon Reforma të vërteta, Rezultate Konkrete dhe luftë reale kundër korrupsionit, aty ku çdo Qeveri Shqiptare, jo vetëm kjo, ka pasur dobësitë më të mëdha. Kush po tallet me qytetarët ? Në thelb, tallja ndodh kur qeveria, apo cilado qeveri, e mbeshtetur nga individe ne BE e paraqesin hapjen si sukses përfundimtar, duke fshehur detyrimet e mbylljes. Hapja është ceremoniale ndërsa mbyllja është substancë.
Nëse qeveria nuk flet për mbylljen, nuk flet për thelbin. Dhe kjo krijon iluzion të rremë tek qytetarët se “Shqipëria është një hap larg BE-së”, kur në fakt jemi ende në fillim të rrugës. Si përfundim: Më e rëndësishme është mbyllja e kapitujve. Pa mbyllur kapitujt, Shqipëria nuk anëtarësohet dot në BE. Propaganda për hapjen është një formë manipulimi politik, sepse nuk tregon punën e vërtetë dhe të vështirë që ndodhet përpara. Por qytetaret e Shqiperisë nuk gënjehen lehtë se e shikojne me sytë e tyre se çfare probleme te veshtira e te rendesishme ka vendi yne.
Z.B. Ish ZvMinistër i Integrimit Europian.
Burimi/Facebook


Leave a Reply