Në një kohë kur fjala shqipe rrezikonte të mbetej pa altar e pa abetare, lindi në Blinisht të Zadrimës një jetim që do të bëhej prift, poet, pajtimtar dhe mësues i gjuhës së zemrës.Pjetër Zarishi, biri i një fisi të ardhur nga Zarishta e Gjakovës, mbeti pa prindër në moshë të njomë, por jo pa kujdesin e hallës Katë dhe të famullitarit që pa tek ai një dritë të rrallë. Kjo dritë do ta çonte në Romë, në Kolegjin Urban të Propagandës Fide, ku do të diplomonte në teologji e letërsi, por do të dashurohej me gjuhën shqipe aq fort, sa vetë kardinali Mezzofanti do të mësonte shqip prej tij.
Zarishi nuk ishte thjesht një klerik. Ai ishte një ndërtues urash mes feve, një pajtimtar gjaqesh, një mbledhës i fjalëve të humbura dhe një poet që recitonte pas meshës. Ai hartoi gramatikë e fjalor, përktheu lutje e mesharë, dhe i mësoi xhakonëve shqipen në seminarin e Nënshatit, derisa iu hoq e drejta e meshës për guximin e tij.
Në Mirditë, ku shërbeu për më shumë se 15 vjet, u bë mik i kapedanit Bib Doda, por edhe kundërshtar i tij kur ky u tërhoq nga kryengritja që Zarishi mbështeste me intelektualët e Rilindjes. Për këtë guxim, u rrëmbye, u dërgua në Itali, por nuk u thye.
Veprat e tij, poezi, përkthime, dorëshkrime, te cilat u shpërndanë, u humbën, u mbajtën peng nga ata që nuk e deshën sa ishte gjallë.
Por fjala e tij mbijetoi. “Kanga e Shqypnis” dhe “Krijimi i Rruzullimit” janë dëshmi të një zëri që nuk u shua. Dora d’Istria e quajti poetin një dëshmi të vitalitetit të gjuhës shqipe.
Studiuesit e mëvonshëm e panë si pararendës të vjershës së rregullueme në Gegni.
Sot, shkolla e mesme në Blinisht mban emrin e tij. Por më shumë se një emër në një tabelë, Zarishi është një kujtesë: se fjala shqipe ka pasë mbrojtës, edhe kur nuk kishte libra; se pajtimi ka pasë poet, edhe kur gjaku kërkonte hak; se kultura ka pasë rrënjë, edhe kur nuk kishte botime.
🕯️Mos e harro Zarishin. Kujtoje sa herë që fjala shqipe të duket e varfër, sepse ai e pasuroi me shpirtin e tij.
Kujtoje sa herë që pajtimi të duket i pamundur, sepse ai e gdhendi në gur. Kujtoje, dhe respektoje, si një nga ata që nuk kërkoi lavdi, por la gjurmë.
➖Albert Zadrima
Burimi/Facebook


Leave a Reply