Ky zotëri është Nayib Bukele, Presidenti i El Salvadorit, vendit që deri para pak vitesh njihej si kryeqyteti botëror i vrasjeve. Një shtet i vogël në Amerikën Qendrore, ku bandat kriminale të quajtura maras kontrollonin çdo lagje, çdo biznes, çdo njeri që frymonte atje. Policia ndjehej e pafuqishme, gjykatësit ishin të dorëzuar dhe qytetarët të tmerruar.
Por pastaj erdhi ky zotëri. Një politikan i ri, i guximshëm, me ide radikale dhe pse jo, shpesh të diskutueshme nga organizatat e të drejtave të njeriut.
Sapo erdhi në pushtet, ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme duke forcuar policinë dhe duke nxjerrë në rrugë ushtrinë. Arrestoi me mijëra persona pjesëtarë të bandave kriminale. Madje arrestoi aq shumë, sa që iu desh të ndërtonte burgje të reja.
Për t’i dhënë mesazhe të qarta bandave kriminale, ai urdhëroi shpërndarjen e imazheve ku shiheshin pjesëtarët e tyre tashmë të arrestuar duke u keqtrajtuar nga policia.
Të drejtat e njeriut u vunë në diskutim, por rendi u rikthye dhe Salvadori, dikur simbol i terrorit, sot është një nga vendet më të sigurta në Amerikën Latine.
Po Shqipëria jonë, çfarë plan masash ka për të luftuar krimin e organizuar që po fiton terren çdo ditë.
Vetëm pak ditë më parë, një atentat mafioz në aeroportin nënë Tereza tronditi vendin.
Në makinë bashkë me shënjestrën e atentatit ndodhej një agjent i Agjencisë së Mbikqyrjes policore, institucioni që duhet të kontrollojë policët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.
Tashmë, krimi në Shqipëri nuk është fenomen, është strukturë. Nuk kemi banda të vogla që luftojnë për tërritor, por mafie të organizuar, me hierarki, me financa aq sa buxheti i një shteti dhe me ndikim deri në nivelet më të larta të administratës.
Punonjësit e policisë nuk janë thjesht të korruptuar. Disa prej tyre janë anëtarë aktivë të familjeve mafioze, duke u ngjitur deri në nivelet më të larta të hierarkisë, dhe kjo nuk është krizë kalimtare. është shkatërrim i shtetit ligjor.
Ndërkohë, qeveria hesht, dhe ministrja e brendshme, në vend që të ngrejë alarmin e të ndërmarrë një aksion kombëtar ndaj grupeve mafioze që kanë depërtuar në çdo qelizë të policisë, ka shpallur aksionin kombëtar…. kundër…. monopatinave.
Në këtë vend, ku kemi zgjedhur të jetojmë dhe të rrisim fëmijët tanë, qytetarët ndjehen çdo ditë e më të pambrojtur, më të braktisur.
Nga njëra anë krimi që nis me të fortin e rrugicës dhe mbaron me trafikantin e tonelatave të drogës, dhe nga ana tjetër qeveria që na vjedh e na rrjep plot arrogancë, e kanë futur qytetarin shqiptar në një darë që po i zë çdo ditë e më shumë frymën.
Shqipëria është në emergjencë dhe ka nevojë për një dorë të hekurt. Jo për një diktator, por për ngritjen e një sistemi vlerash të përbërë nga njerëz guximtarë që nuk i tremben mafias, madje e ndjekin atë hap pas hapi, qoftë edhe me metoda aspak ortodokse, njëlloj siç bëri Bukele në Salvador.
Prandaj sot, në këtë situatë të zymtë kur numërimi i turistëve shkon paralel me numërimin e kufomave, pyetja është një dhe e vetme:
A nuk kemi nevojë urgjente edhe ne për modelin Bukele?
Burimi/Facebook


Leave a Reply