Në zemër të qytetit të paqes, Roveretos, sot më 12 tetor, Ansambli Kombëtar i Shqipërisë ndezi dritën e shpirtit tonë kolektiv me një spektakël që nuk mund të ishte thjesht shfaqje, por një rit i shenjtë, një përqafim i fuqishëm i kujtesës dhe dashurisë për atdheun.
Tingujt e lahutës, të rënat e tupanit dhe hapat e lehtë si puhizë të valleve nga të gjitha viset shqiptare, krijuan një urë të padukshme, por të pathyeshme, mes tokës ku jetojmë dhe dheut nga ku buron gjaku ynë. Sa herë ngrihet një flamur kuqezi, ngrihet bashkë me të edhe shpirti ynë. Në çdo zë, në çdo lëvizje, në çdo hap valltarësh, rridhte Shqipëria, ajo e maleve, e detit, e fushave dhe e legjendave.
Nuk ka fjalë që përshkruajnë plotësisht atë që ndjemë, është si të kthehesh për pak çaste në prehrin e nënës, aty ku çdo mall shuhet dhe çdo plagë shërohet. Për pak çaste, ne, shqiptarët e mërgatës, harruam largësinë dhe u bëmë një me trojet, me gjuhën, me këngën e me hijeshinë e zakoneve tona.
Vashat tona, të bukura si ikonat e folklorit, lëviznin mbi gishtërinjtë e tyre si petale të një trëndafili që çel nën dritën e hënës, duke sjellë në jetë etnografinë shqiptare si një përrallë të gjallë. Djemtë e ansamblit, shtatlartë si lisat e Veriut, ngjitën artin në lartësinë e një piedestali të denjë për krenarinë kombëtare, duke e bërë të prekshëm atë që është përtej fjalëve: shpirtin shqiptar.
Zërat melodiozë të këngëtarëve pushtuan sallën si era që sjell aromë vendlindjeje, duke prekur zemrat e çdo moshe.
E pamundura u bë e mundur përmes një pune të palodhur dhe vizionit të kthjellët të organizatorëve. Ata qëndisën me kujdes çdo detaj të kësaj mbrëmjeje të paharrueshme, duke na dhuruar një të dielë tetori të mbushur me emocion, krenari dhe dritë.
Mirënjohje dhe urime të përzemërta për Ansamblin Kombëtar, që me dinjitet përfaqësoi emrin e tij të madh, për drejtuesit e kësaj ngjarjeje që e shndërruan Rovereton në një copë Shqipëri, dhe për shoqatat që bashkuan forcat si gurët e një mozaiku të përsosur.
Një falënderim i veçantë për çdo shqiptar, që me praninë e tij, solli më shumë se dritë, sepse pa secilin prej jush, oqeanit të kësaj mbrëmjeje do t’i mungonte thellësia, ngjyra, jeta.
Ishit ju që e bëtë këtë ditë kaq të plotë, kaq të gjallë, kaq shqiptare.
Rovereto, 12 Tetor
Burimi/Facebook


Leave a Reply