Një fragment nga romani im i fundit që do botohet së shpejti nga Botimet ALBAS
Redaktuar nga Dorina Basha. Faleminderit dhe me mirënjohje Dorina!
« Murgu i Malit të Shenjtë »
Fragment
“… Me fëmijën në krahë Lea u ngrit dhe shkonte e vinte nëpër dhomë.
Odisea e ndiqte me sy. Ishte si i dehur dhe i pafuqishëm të ngrihej nga gjithë kjo gjëmë e madhe që po përjetonte, i plagosur për vdekje.
Fëmija lëshoi një psherëtimë dhe hapi gojën. Tani po flinte. Ajo la fëmijën mbi minderin e thjeshtë dhe iu afrua Odiseas ngadalë, pas kurrizit. U përkul dhe e mbështolli me të dyja krahët, si ta kishte pjellën e vet. Ai ndjeu lotët e saj. I dogjën faqet.
– I dashuri im, i miri im, i bukuri im, Odisea!
Ai i merrte duart dhe i puthte gishtërinjtë edhe pse atë e kishte mbi kurriz.
– Prit të hash diçka.
Por ai mohoi me kokë.
– Të të sjell një cipura, – nxitoi ajo dhe shkoi në bufe dhe i mbushi një gotë.
Ai e vështronte me dhimbje dhe dashuri gruan e tij. E kishte kërkuar aq gjatë, në zinë e botës.
Odisea mori gotën dhe e ktheu me fund por ajo ia mbushi përsëri. Shikonte me dhëmbshuri buzët e Odiseas, gojën, sytë dhe ballin e tij. Zgjati dorën dhe i lëmoi ballin si të ishte një fëmijë. Odisea buzëqeshi. U kthye në kohë të tjera, në kohët e dashurisë. Harroi gjëmën e madhe. Ajo iu afrua dhe i vuri dorën në gjoks si të donte ti dëgjonte se si pulsonte ajo zemër. Vetëm tani e pikasi se ai ishte i lagur nga shiu i një nate më parë.
– Ku je lagur kështu?
– Tek varri i Dhimitrit, – pëshpëriti lehtë ai duke e ditur se emri i të birit do ta vriste akoma më shumë.
– Ah, e gjora unë! Ah, Dhimitri im i shtrenjtë që më je nën dhé!
Dhe ajo nisi të qajë sërish.
– Dhimitri që nuk e gëzoi këtë botë. I vogli im, ka kohë që flë e nuk zgjohet, me sytë e tij të bukur, si deti.
Pastaj ajo heshti. Dhe duke e vështruar atë ashtu të lagur nisi ti hiqte këmishën. Nxitoi në dhomën tjetër dhe u kthye me një këmishë dhe pantallona të burrit të saj.
– Merri, vishi…
– Lëre se dielli do më thajë.
Por ajo ia hoqi këmishën dhe nisi ti veshë tjetrën. Ndërkohë papritur ndaloi, pasi në supin e tij papritur i dalloi një plagë të vjetër.
– Po kjo, Odisea?
– Plagë lufte dashuria ime… Thashë se vdiqa në malet e Shqipërisë dhe se s’do të mundja të të shihja më në këtë botë.
Ajo e vështroi me trisht dhe vazhdoi ta kontrollojë duke prekur në trup dhe një plagë tjetër.
– I dashuri im, i miri im, – dhe i puthte plagën dhe sytë. – Si ta kanë bërë trupin kështu? Si nuk të mbrojti Perëndia!
I puthte plagën, i puthte sytë.
Papritur iu ngjesh në gjoks dhe filloi ta pushtonte. Kalonte duart mbi gjoksin e tij si dikur.
– Ç’të kanë bërë kështu ata të mallkuar! Burri im i mjerë, sa shumë plagë, – dhe ajo ia puthi plagën tjetër atje, nën ije.
Dhe pastaj vazhdonte:
– Të shikoja gjithnjë në ëndërr. Prisja, prisja si një e marrë pasi lufta mbaroi. O Zot, thoja, pse nuk po kthehet burri im?… Të mbaja në ëndërr. Jetoja me ty, çdo ditë, çdo natë. Dilja në prag, shkoja tutje në mol dhe prisja… qoftë dhe të vdekur! Por deti hidhte vetëm dallgë.
Dhe Lea nisi të qajë përsëri. Odisea u drithërua dhe nisi të lotonte tashmë dhe ai.
– Mos qaj burri im! – pëshpëriste ajo dhe i puthte gjoksin. Pastaj lëshoi kokën pas, si ti kërkonte ndihmë dikujt. Cilit Zot vallë?
Ishte e harruar. Harruar plotësisht nga bota. Pastaj ngriti sytë dhe vështroi drejt tij disi e frikësuar.
Sa herë binte sahati i vjetër në mur, Odisea ngrinte kokën dhe shikonte me ankth atë kohë që i mbetej gjithnjë e më pak. “Iku dhe një orë”, i thoshte vetes. Por Lea i sillej rrotull e donte ta ngushëllonte, ta puthte, ti prekte duart, ti puthte sytë e ti pëshpëriste me dhimbje fjalët më prekëse të botës.
– I miri im, i bukuri im… Palikari im, zemra ime që s’të kam më!
Dhe pastaj nxitonte. Shkoi në bufe dhe nxorri nga ajo likoja që kishte bërë me limonat e oborrit.
– E kam bërë vetë Odisea, ëmbëlsohu…
Dhe Odisea mori ngadalë po asgjë nuk e ëmbëlsonte më në këtë botë.
– Ah, nëna ime e gjorë. Më mirë që vdiqe dhe nuk arrite ta shohësh këtë mënxyrë!
– Pse thua kështu? Ajo iku me pengun tënd në zemër. Nuk dinte se ishe gjallë!
– Ah, jo, s’doja të më shihte kështu, pa ty, të vetmuar e të braktisur, pa Lean time!… Thuam Lea, ç’të tha nëna para se të vdiste?
– Ç’ma kujton atë ditë të zezë… Binte borë dhe bora dukej se ishte e zezë. Rënkonte e mjera. Të kërkonte. “U kthye Odisea?” pyeste dhe hera-herës ngrinte kokën nga shtrati. Hidhte sytë nga dera. Por ti nuk ishe gjëkundi. Natën në errësirë fliste me ty dhe mua më dhimbej shpirti. Priste, priste, gjersa fryma i rreshti. Pastaj fjeti si një fëmijë dhe nuk u zgjua më.
Odisea zgjati kokën dhe u fsheh në gjinjtë e saj. Ngashërehej dhe e shtrëngonte fort, që e qara e tij të mos dëgjohej. Pastaj i hutuar ngrinte sytë dhe shihte nga sahati me frikë.
Sahati tingëllonte përsëri dhe ajo zhurmë i jehonte Odiseas në vesh, sikur dikush e godiste me thikë në zemër. I dukej vetja si të ishte një i dënuar me vdekje që priste orën e ekzekutimit. Por u habit kur vështroi dy kurorat e luleve të thara që zakonisht në fshat çifti i dhuronte njëri-tjetrit ditën e dasmës. Jo, nuk ishte kurora që i kishte dhënë dikur Leas. Ajo e pikasi vështrimin e tij dhe heshti. Ç’ti thoshte, se ishin kurorat e dasmës me burrin tjetër ?
Odisea humbi për një çast në atë ditë të dasmës së tij, kur para altarit të kishës dhe popit të fshatit shkëmbenin kurorat e njëri-tjetrit. Sipas ritit, ishin shenjat e bashkimit të tyre dhe prifti i bekonte për jetën e lumtur. Atë çast që kishin shkëmbyer kurorat, popi kishte thënë me zërin e tij kumbues :
– Zoti i madh u bashkon në jetë të jetëve ! – dhe ai kishte bërë kryqin.
Odisea uli sytë. I dhëmbi ky kujtim por Lea ndërkohë iu afrua:
– Kurorën tënde e kam ruajtur Odisea, e kam në sunduk! – dhe ajo bëri të shkonte ta merrte por ai e mbajti nga krahu dhe pastaj e tërhoqi drejt tij.
Ndërkohë fëmija në minder po flinte dhe ai iu afrua.
– Si e keni quajtur?
– Evgjenia.
Ai u përkul dhe i puthi dorën e vockël.
– Të ngjan ty.
Ajo e vështroi dhe mori frymë thellë. Buzëqeshi, edhe pse shpirti i dhimbte.
– Shtrihu pak në minder të marrësh veten.
Ai nuk foli por Lea ngulmoi.
– Eja, ja këtu pranë Evgjenisë.
Lea e mori nga dora që të shtrihej aty pranë. I hoqi këpucët dhe ai u shtri. Duart e saj prekën me mall këmbët e tij të vrara nga rruga e gjatë për të ardhur deri këtu. Ndërkohë mori një legen me ujë dhe nisi ti lante këmbët. I fërkonte dhe mërmëriste një këngë të trishtë duke menduar se sa shumë kishin udhëtuar ato këmbë deri këtu. Po, këndonte nën zë dhe papritur e ndjeu veten të lumtur…Kujtoi lutjen dhe fjalët e Librit të Shenjtë kur Madalena lante këmbët e Jezuit. “Ajo qendronte te këmbët e tij. Lotêt e saj lagnin këmbët e Jezuit dhe ajo ia fërkonte me flokët e saj. I puthte parreshtur dhe u hidhte vaj erëmirë…”
Odisea mbylli sytë. Nga kapitja e madhe e zuri gjumi. Sa e ëmbël iu duk bota, sa e paqtë. Ndjeu dorën e Leas dhe humbi në kohë. Pastaj ndjeu aromën e fëmijës por kjo aromë i kujtoi aromën e dikurshme të Dhimitrit të vogël, aromën e foshnjës, të qumështit. Dhe ashtu në përgjumje iu shfaq Dhimitri foshnje, fëmija që aq shumë i gëzoi dhe i hidhëroi. Iu shfaq imazhi i dy kokave të tyre që shihnin Dhimitrin në gjumë tek kryqëzonin vështrimet e tyre si të donin të thonin: E ç’duam më shumë nga kjo jetë?!
Po, flinin të dy në paqe. Papritur dëgjoi gërhimën e lehtë të Odiseas dhe qeshi lehtë me vete. Iu afrua dritares. Tutje, në fushë, s’kishte gjurmë njeriu. Nisi të vinte vërdallë nëpër dhomë pa ditur ç’të bënte. Mendonte. Humbi dhe ajo në kujtimet e vjetra, në ditët e dashurisë me Odisean. Odisea flinte, ëndërronte me një fytyrë tashmë të lumtur. Një ndjesi e çuditshme e pushtoi shpejt duke e ndjerë veten të lehtë, disi pa peshë, si në një lloj përralle apo në një botë tjetër, jo si bota që kishte jetuar më parë. Në fillim iu shfaq një siluetë e papërcaktuar që vinte nga një sfond i mjegullt në një ngjyrë qumështi ku dëgjohej vetëm flladi që frynte dhe shumë cicërrima. Pastaj u habit se ishte pikërisht ai vetë tek kthehej drejt shtëpisë, gati me vrap, duke thirrur i gëzuar : « Lea, Lea ! Erdha më së fundi ! » Dhe ja ku në prag iu shfaq, veshur në të bardha duke u hedhur në krahët e tij. Pas saj u shfaq dhe Olimbia. Oh, ç’gëzim… dhe të tre sëbashku, shkuan drejt pragut të shtëpisë…
Burimi/Facebook


Leave a Reply