Dhe skenari grotesk që quhet Florian Binaj:
Një bashkim pa shpirt, pa parim dhe pa dinjitet – opozita shqiptare ka vdekur përpara se të lindë.
Ka ndodhur ajo që askush s’e mendonte, por që gjithkush e ndiente:
Opozita shqiptare ka braktisur çdo logjikë politike, çdo kod moral dhe çdo ndjenjë turpi.
Në prag të zgjedhjeve të pjesshme për Bashkinë e Tiranës, e gjithë kjo turmë e përçarë, e djegur dhe e degraduar, është bërë bashkë për të mbështetur Florian Binajn – një aktor që dikur tallte politikanët, e sot është bërë maskë e tyre.
Është sikur vetë politika shqiptare të ketë dalë në skenë për ta tallur popullin.
Para gjashtë muajsh, Flamur Noka i thoshte Agron Shehajt se ishte “shërbëtori i Erion Veliajt”.
Shehaj, në kthim, i përgjigjej se Noka hesht për Bashkim Ulajn.
Të dy shpërndanin baltë njëri mbi tjetrin në emër të së vërtetës por sot pozojnë përkrah, me sytë ulur, për “bashkim opozitar”.
Ky nuk është bashkim, është akt kapitulimi.
Një marrëveshje mes njerëzish që nuk besojnë as te vetja, por kërkojnë të mbijetojnë në politikë duke mashtruar popullin për “misionin ndaj Tiranës”.
Adriatik Lapaj, i cili deri dje e akuzonte Agron Shehajn për “blerje mandati, shtypje punëtorësh dhe qarkullim 300 milionë euro në regjimin e Edi Ramës”, sot del krah për krah me të për “ndryshimin”.
Ndërsa Shehaj, që e quante Lapajn “sekser të krimit të organizuar” e “njeri të bregdetit të grabitur”, tani e përshkruan si “bashkëluftëtar moral”.
A ka ndonjë fjalë tjetër përveç hipokrizi për ta përshkruar këtë?
Jo.
Kjo është pështirësi politike në nivel rekord.
E njëjta skenë përsëritet me Endri Shabanin dhe Lapajn:
Deri dje, Shabani thoshte se Lapaj “nuk merr vesh nga politika dhe duhet t’i shpjegohet çdo gjë me mollë”.
Ndërsa Lapaj, në stilin e tij prej tribunali moral, kërkonte “internimin e Shabanit për tradhti”.
Sot, të dy flasin për “unitet qytetar”.
Këta janë njerëz që dje donin t’i shkatërronin njëri-tjetrin, sot bëjnë sikur duan të shpëtojnë Tiranën.
Në fakt, duan vetëm ta rrëzojnë njëri-tjetrin më vonë, sapo të mbarojë loja.
Në krye të gjithë kësaj katrahure qëndron Sali Berisha – njeriu që i ka shpallur këta të gjithë si “paterica të Edi Ramës dhe Sorosit”.
Sot, nga zyra e selisë, i sheh si “ushtri të bashkuar opozitare”.
Kjo nuk është opozitë.
Kjo është simfoni cinizmi, ku dirigjenti është i vjetër, instrumentet të ndryshkura dhe melodia e përbuzur.
E për t’i dhënë notën e fundit groteskut, në këtë valle të shëmtuar janë futur edhe aleatët e përjetshëm, ata që s’i mungojnë kurrë pazareve:
Ilir Meta, nga (313-ta) që ka humbur kontaktin me realitetin por jo me etjen për pushtet;
Fatmir Mediu, që endet me hijen e Gërdecit si njollë përjetësie;
Agron Duka, që kërkon çdo herë një post për t’u ndier “pjesë e lojës”;
Nard Ndoka, që flet shumë por s’thotë asgjë;
Vangjel Dule, që kujton se opozita është kongres kulturor;
dhe Shpëtim Idrizi, që e ka kthyer kauzën kombëtare në llogari bankare.
Të gjithë, dorë për dore, me të njëjtin qëllim:
Të ringjallin veten përmes një kandidature që vetë është karikaturë.
Sepse Florian Binaj nuk është shenjë ndryshimi – është fytyra e re e sistemit të vjetër.
Një njeri që ndërtoi emër duke i tallur politikanët, sot përpiqet të marrë pushtet me bekimin e tyre.
Është si të shohësh një aktor që harron skenarin dhe bëhet pjesë e filmit që tallte dikur.
Një imazh i zymtë, i dhimbshëm, që tregon se deri ku mund të bjerë njeriu kur pranon të bëhet maskë e turpit.
Por faji më i madh nuk është i Binajt ai është vetëm vegël.
Faji është i gjithë atyre që e promovojnë si “figurë të pastër” në një det të ndotur.
Sepse në këtë vend, për të qenë “i pastër” mjafton të mos kesh qenë ministër.
Dhe ky është definicioni më tragjik i politikës shqiptare.
Në fakt, ky “bashkim opozitar” rreth Binajt nuk është shenjë e forcës është shenjë e frikës.
Frikë nga zhdukja, nga harresa, nga e nesërmja që i pret jashtë politikës.
Dhe kur frika bashkon më shumë se ideali, lind ajo që po shohim sot:
Një opozitë e pajetë që kërkon oksigjen nga mashtrimi.
Shqiptarët e Tiranës duhet ta kuptojnë këtë herë:
Ky nuk është koalicion kundër Ramës.
Është koalicion për mbijetesë, një karvan i mjerë i të mundurve që duan të ringjallen në kurriz të një qyteti që s’ka më durim.
Në vend që të përballen me realitetin e tyre, ata po na shesin iluzione.
Në vend që të kërkojnë drejtësi, kërkojnë selfie.
Në vend që të japin përgjigje, japin fjalime.
Kjo është opozita e sotme:
Një grumbull njerëzish që kanë shkatërruar çdo ideal, që flasin për moral por s’e njohin atë, që përqafohen për kamerë dhe përgatiten t’i ngulin thikën pas shpine sapo fiket drita.
Në fund, Florian Binaj mbetet simboli perfekt i kësaj tragjikomedie:
Një aktor që luan rolin e ndryshimit në një skenë të kalbur.
Një njeri që dikur i bënte njerëzit të qeshnin me korrupsionin e sot është pjesë e tij.
Ky është koalicioni i baltës.
Dhe sa herë që shiu bie në këtë vend, janë po këta që e përziejnë baltën me premtime.
Burimi/Facebook


Leave a Reply