Por dorën – po, atë mund ta ndalojmë. Mund ta thyejmë edhe gishtin që rrudh këmbëzën e armës që merr jetë e t’i ngadalësojmë hapat, të mos ngutemi për të kapërcyer pragun e për të mbyllur derën.
Zemrën mund ta ftohim me fjalë nga shpirti: çfarë vlere ka jeta jote, nëse ia merr jetën tjetrit? Si mund të jetosh, kur i ke errësuar sytë dikujt me plumbin që vetë ke shkrepur?
Mbrëmë flisja me terrin. Lajmi për vrasjen në gjykatë më kishte marrë gjumin, dhe i flisja errësirës për të shuar tronditjen, për të mos shpërthyer ndaj vrasesit që s’e shoh, por që e ndjej si njollë në ndërgjegjen e kombit.
Doja t’i thosha: “Ngopu me pallatet e kalbura t’Enverit! Futu nën themelet e tyre, – ti urith që han dhe”
– Kur të mbyt lakmia, më mirë dil nën shi, lakuriq! Drejtoje kokën kah qielli i zymtë e pikat që lagin fytyrën të t’i largojnë ëndrrat për toka, pallate, pasurinë që s’e merr dot me vete, e uji të të rrjedhë kurrizit derisa të lagen mirë herdhet, që të kujtosh si ushqehet bima me pikat e shiut dhe si rritet gruri i mbjellur në vjeshtë, e si përkundet fëmiu me ninulla pa patur nevojë për luksin e botës!
Jeto në çdo mëngjes që lind, sepse ai është bekim, jo pronë.
Mos e mbush shpirtin me urrejtje.
Në çastin kur rrudh gishtin për të shtënë, ti ke vrarë të nesërmen – për tjetrin dhe për veten.
E pastaj mbetesh i humbur shtigjeve të errëta të vetmisë, pa zemër, pa frymë, pa sy.
07.10.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply