Nëse shikon gjuhën me të cilën Rama dhe Berisha sulmojnë njëri-tjetrin, të duket se midis tyre ka një betejë për jetë a vdekje, por duke parë mënyrën sesi luhet realisht politika, nuk është e vështirë të kuptosh se përtej gjuhës së ashpër konfliktuale fshihet konsensusi.
Teoricienët e konfliktit thonë se, në këto raste, partitë e mëdha kanë nevojë për polarizim. Atyre iu duhet të shfaqen në publik sikur po luftojnë egërsisht njëra-tjetrën, në mënyrë që publiku të ndahet midis dy alternativave, duke shpërfillur problemet e njërës, për hir të urrjejtjes ndaj tjetrës. Kundërshtari bëhet i vetmi mjet legjitimimi për secilin, në kushtet kur secili e ka humbur legjitimitetin në vetvete.
Politika si Wrestling
Nga një perspektivë e sociologjisë politike, Ralf Dahrendorf, përfaqësues i teorisë së konfliktit, shikon disa rreziqe në sistemet bipartiake, një prej të cilëve është edhe krijimi i një sturkture të ngurtë ku dy partitë kryesore kufizojnë konkurrencën duke mos lejojuar asnjë alternativë të re të ofrojë mundësi reale për ndryshime të thella. Këto sisteme krijojnë një klasë politike të konsoliduar, ku dy partitë e mëdha bien në ujdi për të monopolizuar së bashku skenën politike, çfarë pengon mundësinë për të pasur një demokraci fleksibël dhe një sistem më përfaqësues.
Dahrendorf zbulon se në raste të tilla partitë e mëdha sillen si kundërshtare, por në realitet bashkëpunojnë për ruajtjen e sistemit ekzistues. Konflikti i zhvilluar midis tyre në sytë e publikut bëhet një fasadë që ka për qëllim, jo garën reale midis partive apo mbrojtjen e pikëpamjeve dhe parimeve që ato përfaqësojnë, por mbrojtjen e strukturës së pushtetit ku ato bëjnë pjesë. Kompromiset midis partive të mëdha, neutralizojnë konfliktin e vërtetë midis tyre dhe për rrjedhojë edhe mundësitë për ndryshim social. Ai e quan këtë “konflikt i simuluar”, i cili ruan iluzionin e pluralizmit, ndërsa ka për qëllim të mbrojë të dyja palët nga forca të treta që kanë mundësi të faktorizohen.
Opozita bëhet kështu pjesë e lojës së pushtetit. Ajo humbet rolin e saj si fuqi transformuese, si dhe funksionet e saj kryesore për ruajtjen e pluralizmit dhe ndryshimin e statuquo-së. Pozita dhe opozita bëhen njësoj. Studiuesja e teorisë politike Chantal Mouffe e përshkruan këtë si një situatë ku: “Në vend që të përfaqësojnë opsione reale politike, partitë kryesore ofrojnë versione të ndryshme të së njëjtës politikë.”
Po kështu ajo vlerëson se sistemet bipartiake nuk përballen me kërkesat e reja që shtron koha, por përpiqen të mbyllin rrugët për të penguar këdo që sfidon klasën politike ekzisutese. Ata e realizojnë këtë nëpërmjet një konflikti të rremë që polarizon shoqërinë, por që nga ana tjetër shkatërron çdo alternativë. Zgjedhjet bëhen për pasojë “një ritual pa kuptim dhe polarizimi kthehet në një lojë simbolike për të ruajtur sistemin”. Ato krijojnë iluzionin se janë qytetarët ata që zgjedhin, por në të vërtetë sistemin e kontrollon një grup i vogël aktorësh politikë.
Mouffe e quan këtë një politizim të rremë, i cili pengon ndryshimin nëpërmjet simulimit të një konflikti politik jo real, çfarë bën të mundur ruajtjen e strukturave ekzistuese të pushtetit. Polarizimi këtu nuk përfaqëson më përballjet ideologjike, parimore apo ato të interesave shoqërore, por bëhet një spektakël që synon mobilizimin e pasioneve për ti kontrolluar ato në funksion të mbrojtjes së sistemit. Polarizimi krijon një ndarje artificiale të shoqërisë që mbetet e angazhuar brenda një teatri të rremë demokratik. Politizimi i rremë bëhet valvlul shkarkimi për frustracionet publike dhe kanalizimin e tyre brenda nevojës së sistemit për mbijetesë. Opozita bëhet këtu pjesë e teatrit, duke mosbërë dot dallim substancial nga pushteti.
Roland Barthes e konsideron një realitet të tillë si Wrestling ku politika bëhet një shfaqje teatrale për të manipuluar publikun. Wrestling-u sipas tij është një shfaqje sportive që nuk interesohet për rezultatet e ndeshjes, por për spektaklin në vetvete. Kundërshtarët aty bëjnë sikur ndeshen. Ata gënjejnë publikun, për ta bërë atë të përjetojë emocione arketipale si heroizmi, dhuna, ndjenja e drejtësisë, vuajtja etj. Politika në këtë rast bëhet një spektakël i inskenuar me protagonistët e saj, heronj apo armiq, të cilët luajnë teatrin e tyre në funksion të manipulimit të publikut.
I ndikuar nga Barthes, një gazetar investigativ Matt Taibbi e rimerr këtë temë duke përfshirë mediat si një ndikues i rëndësishëm në wrestling-un politik. Ai argumenton se, ashtu si në wrestling, mediat ekspozojnë dy palë që luftojnë egërsisht para publikut në mënyrë që të mbajnë audiencën të polarizuar dhe angazhuar.
Mediat për të nuk kanë për qëllim informimin, por krijimin e një industrie që prodhon gjendje emocionale tek audienca, për të mundësuar ruajtjen e statuquo-së në mënyrë që të pengohet përfshirja e aktorëve të rinj. Ato nuk raportojnë lajme, por krijojnë tifozeri duke i mbërthyer palët rreth partive të tyre nëpërmjet provokimit të urrejtjes për palën tjetër.
Taibbi thotë se protagonistët e dy kampeve ndeshen ashpër në skenë ndërsa në prapaskenë ata bashkëpunojnë për mbrojtjen e sistemit ku bëjnë pjesë. Ata ndajnë midis tyre rolet përkatëse ku njëri bëhet hero e tjetri armik, role të cilët i këmbejnë midis kampeve. Kështu, nëse për demokratët Berisha është hero ndërsa Rama armik, për socialistët Berisha është armik ndërsa Rama hero. Dhe kështu, kjo lojë e simuluar heronjsh e armiqsh, injekton tek publiku psikologjinë e luftës, për ti angazhuar ndjekësit në një dialektikë që pengon gjykimin racional e kritik, në mënyrë që të mos lejojë të dëgjohen zërat që kërkojnë ndryshim.
Duke simuluar konfliktin, dy forcat dominuese neutralizojnë njëkohësisht vetë politikën si të tillë. Autorët e konfliktit konsiderojnë se ky maskim i veprimtarisë reale të partive, sjell depolitizimin e shoqërisë. Kjo vjen sepse, sipas Dahrendorf-it, konflikti është element thelbësor i demokracisë pa të cilin nuk kemi politikë e rrjedhimisht as demokraci. Kur konflikti shdërrohet në një betejë mes versioneve të së njëjtës ideologji, – thotë Mouffe, – ai përjashton alternativat që përfaqësojnë interesa të tjera jashtë dy forcave dominuese. Për pasojë, ai thotë se kemi të bëjmë me një konsensus post-politik, i cili i bën alternativat pa dallime reale midis tyre.
Depolitizimi i lojës mes Ramës dhe Berishës
Rama dhe Berisha ndodhen në një sistuatë të pastër të konfliktit të simuluar. Dallimi nga fenomeni i përgjithshëm është se në rastin e Shqipërisë, kemi një opozitë e cila as që ka mundësi të fitojë. Për pasojë nevoja për simulim të konfliktit bëhet jetike, për shkak se, përveç pakënaqësisë së thellë shoqërore ndaj 35 viteve keqqeverisje, situatës i shtohet edhe kërcënimi i SPAK-ut dhe vendosmëria e faktorit ndërkombëtar për të çuar para drejtësisë aktorë të rëndësishëm të politikës së këtyre viteve. Frika angazhon unitet edhe më të madh dhe, sa më e madhe nevoja për konsensus në prapaskenë, aq më i ashpër dhe spektakolar do të duhet të jetë konflikti fals që palët shfaqin në skenë.
Më i frustruar në këtë lojë duket Berisha të cilit i shtohet edhe presioni i brendshëm që vjen për shkak të paaftësisë për të fituar. Atij i duhet të krijojë e rikrijojë, qep e shkep, pëlhurën e një narrative imagjinare mbi komplote ndërkombëtare kundër tij, për të mos mbajtur përgjegjësi për humbjet e thella si dhe izolimin ndërkombëtar ku gjendet. Në ndeshjen midis tij dhe Ramës, ai ka marrë rolin e keçistit sfidant që çirret e gafurret më fort, por që ha dhe grushtet më të rënda. E ndërsa spektakli i humbjeve sa vjen e rritet, atij i duhet të prodhojë edhe më shumë show duke iu hakërryer arbitrave me qëllim që të mos humbasë edhe ata pak tifozë që i kanë mbetur, të cilët janë edhe kapitali politik i tij i fundit.
Nga e gjithë kjo rrjedh që Rama dhe Berisha kanë depolitizuar skenën politike shqiptare. Duke qenë se rivaliteti midis tyre nuk ekziston, për shkak se njëra palë nuk e mund dot tjetrën dhe beteja politike është vetëm një simulim skenik, mjedisi ka mbërritur në një realitet post-politik. Politika mbetet të jetë vetëm ambalazh i dy palëve të bashkuara në interesa të përbashkëta, për të mbajtur skenën vetëm për vete, si e vetmja mënyrë mbijetese pas një tranzicioni të stërgjatë e të lodhshëm.
Ergys Mërtiri
[Marrë me shkrutime nga revista MEDIUS]
Burimi/Facebook


Leave a Reply