Sot pas takimit te befte ne kryeministri te zonjes Nancy Vanhorn, e ngarkuara me pune e SHBA-ve ne Tirane , ja vlen te lexoni nje fragment te shkurter nga romani im “BABE U KRY!”, botuar nje vit me pare.
***
Pa asnjë dorashkë delikatese, Xhek Nikelsoni ia tha hapur qysh në fillim të bisedës që mbështetja e saj ndaj Kryeministrit shqiptar po rrezikonte marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me Amerikën.
Ambasadorja u përtyp hidhur, por nuk foli.
– Ju e dini se popujt e Ballkanit, – vazhdoi ai, – përjashto shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, nuk kanë ndonjë simpati apo mbështetje të madhe për vendin tonë, kështu që, mbështetja e hapur për një qeveri të korruptuar, sipas të gjitha agjencive tona, por edhe atyre të shteteve të tjera perëndimore, është një investim i gabuar i SHBA-së në këtë rajon. Ne nuk presim mbështetje nga Serbia, që e kemi sulmuar dhe larguar dhunshëm nga Kosova, duke i bombarduar pikat strategjike ushtarake në gjithë territorin e saj sovran. Gjithashtu dimë që Kryeministri shqiptar ka një lidhje të ngushtë me Presidentin e Serbisë e kjo e fundit është aleate strategjike e Rusisë. Mbështetja e madhe e Kryeministrit të Shqipërisë për Presidentin serb në nismën e “Ballkanit të Hapur”, është shqetësim serioz për ne e duhet ndalur përpara se të çojë në një kontroll të plotë të rajonit nga Serbia, që nënkupton qartë kontroll nga Rusia.
Ambasadorja nuk e priste këtë breshëri akuzash, pasi nga shefat në Departamentin e Shtetit ishte lavdëruar për qëndrimet e saj. I erdhën të hidhura e nuk u ndje aspak mirë nga gjykimi i zyrtarit të lartë të FBI-së. Megjithatë, u mundua të tregohej sa më e qetë në atë situatë, ndonëse përbrenda po ziente.
E largoi fokusin nga ajo bisedë e u mundua të hapte tema të tjera derisa u erdhi koha e takimeve me ministrat, që shkuan qetë e pa trazime emocionale.
E ja ku ishin më në fund përballë Kryeministrit të atij vendi të vogël. Ajo, me simpatinë e thellë për të, ndërsa Xhek Nikelson me të kundërtën e ndjesisë së saj. Megjithatë, aty, Ambasadorja u mundua ta fshihte entuziazmin që ndjente sa herë takonte atë burrë shteti shtatlartë e këtë e bëri shtyrë nga biseda e mëparshme me bashkëkombësin e saj. U tërhoq dhe u distancua aq shumë, sa kjo u vu re lehtësisht nga sytë e Kryeministrit, i cili, i mësuar tashmë me batutat dhe konfidencialitetin me të, nuk ia mbajti gjuha pa i thënë me humor:
– Ky ta mbledhka ty, ky qenka shefi yt i vërtetë, jo ai i Departamentit të Shtetit.
Ambasadores nuk i erdhi aspak për të qeshur nga ajo frazë, por e detyruar formoi një buzëqeshje të shtirur, sa për të mos e ofenduar, ndërsa shihte se si Kryeministri qeshte me veten dhe batutën e tij.
Dy ministrat nuk guxuan të qeshnin e as të thoshin diçka për t’i mbajtur lojën shefit të tyre. Xhek Nikelsoni jo e jo, por u kënaq përbrenda kur pa se burrit të gjatë, pak e nga pak, humori iu kthye në siklet e sikleti ia veshi me një të purpurt të ndezur fytyrën dhe lëkurën pas qafës, deri te veshët.
Pastaj bisedat kaluan nga një temë tek tjetra, shkurt, sa për të ndezur motorët e diskutimit e për të arritur në thelbin e tyre, që ishte lufta pa kompromis ndaj korrupsionit në nivelet e larta, lufta kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me pushtetin, mbështetja që shteti dhe qeveria duhet të krijonte për drejtësinë e re, që po ndërtohej nga programet dhe me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Dikur, Xhek Nikelsoni tha i vendosur:
– Para drejtësisë së re që po ndërtojmë së bashku, duhet të jeni të gjithë të barabartë!
Të gjithë përfaqësuesit e palës shqiptare u gëlltitën hidhur, por vetëm Kryeministri, të cilit, ajo fjali i zbriti në stomak si një ushqim i rëndë me përmbajtje të lartë aciditeti, tha:
– Drejtësi do bëjmë për të gjithë, por ajo s’mund të na prekë edhe neve, që po marrim përsipër barrën e rëndë për ta realizuar.
Xhek Nikelson nuk u mundua ta fshihte nënqeshjen e tij dhe me ton gati urdhërues, përzier me një lloj lakonie diplomatike, shtoi:
– Drejtësia e re duhet dhe do bjerë mbi këdo, përjashto Zotin që vendos mbi gjithçka!
Kryeministrit iu tha pështyma në fyt dhe nuk nxori dot asnjë fjalë më tepër. Heshtjen që pasoi e theu po Xhek Nikelsoni, i cili, pa e zbehur aspak tonin autoritar, tha:
– Takimet e ditës së sotme nuk duhet të publikohen në media!
Më në fund u tha diçka që u pëlqeu të gjithëve. Edhe Ambasadores i shkëlqyen sytë kur e dëgjoi, njëjtë si Kryeministrit të shqiptarëve. Të dy u ndien disi më të qetë, të paktën përkohësisht.
Kur të pestë po takonin duart për t’u ndarë nga njëri-tjetri, duke u munduar ta fshihnin lehtësimin e atij çasti, Xhek Nikelsoni, në mënyrë krejt të befasishme dhe jashtë çdo protokolli, iu kthye Ambasadores, gjithmonë me ton urdhërues:
– Këtë pasdite, nëse është e mundur, dua të takoj Kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe kryetarin e opozitës. Të dyja takimet i dua pa praninë e mediave. Do jenë takime pune, krejtësisht konfidenciale.
Si Ambasadorja, ashtu edhe Kryeministri, u gjenden jo vetëm të sikletosur, por edhe të tronditur dhe të befasuar njëkohësisht nga ajo që dëgjuan. U panë sy ndër sy dhe nuk po dinin se kush duhej të fliste i pari. Kryeministri kishte arsye që të tronditej dyfish. Kryetarin e Bashkisë, prej disa kohësh, e shihte si një rival të fortë brenda sojit, ndërsa kryetarin e opozitës si armik, që donte t’ia merrte karrigen, edhe pse kreu i qeverisë mendonte se amerikanët kurrsesi nuk donin t’ia hiqnin atij dhe t’ia dhuronin kundërshtarit të tij politik.
“Kush dreqin po e çon nëpër mend kaq qetësisht dhe pa asnjë paralajmërim që më paska ardhur fundi?”, mendoi hidhur dhe i shqetësuar. Ajo fjali e zyrtarit të lartë të Uashington DC-së e nemiti, e futi në të thella, iu duk si grusht i fortë poshtë brezit e ai tani s’po dinte si ta përballonte dhimbjen. Dukej sheshit që diçka kundër tij po luhej, se ndryshe përse i duheshin Xhek Nikelsonit ato dy takime? E dinte fare mirë që e kishte tepruar në gjithçka me popullin e tij, por me amerikanët, me Ambasadoren dhe me ndërkombëtarët e kishte grurë. Kish bërë gjithçka si kishin dashur ata, çfarë i kishin kërkuar dhe si t’u interesonte atyre.
“Ç’po ndodh kështu?”, e vrau mendjen sërish. “Është e qartë që FBI-ja i di të gjitha, po si kështu, pa asnjë paralajmërim, në mënyrë kaq poshtëruese?”.
U mundua ta mblidhte veten përpara tre burrave të tjerë dhe të vetmes grua të pranishme dhe mendoi të luante me blofin.
– Kryetarin e Bashkisë mund ta takoni pa asnjë problem, kur dhe ku të doni, por kryetari i opozitës, në dijeninë time, është jashtë vendit, – tha.
– Ndërsa në dijeninë time, por edhe në tuajën, pa asnjë dyshim, kryetarit të opozitës i është bllokuar pasaporta dhe ai nuk mund të udhëtojë jashtë vendit, – ia ktheu Xhek Nikelsoni.
Asnjë nuk pipëtiu. Pastaj, pas një heshtjeje të shkurtër dhe me një pyetje retorike, iu drejtua Ambasadores:
– Apo nuk është kështu, zonja Ambasadore? Ai është person “non grata” në Shtetet e Bashkuara, por jo i parëndësishëm në vendin e tij. Besoj se ky është edhe mendimi i zoti Kryeministër, – e mbylli me një ironi thërresë.
Gjithçka ngriu. Ajri në zyrën e Kryeministrit u rrallua dhe oksigjeni u duk i pamjaftueshëm për të ngopur mushkëritë e pestëve. Qielli gri u derdh në zyrë…
Xhek Nikelsoni i përshëndeti edhe një herë me kokë të gjithë dhe doli i pari, duke i lënë pas si të shastisur. Nuk priti ta shoqëronin e as nuk i ndali hapat kur ndjeu Ambasadoren që u përpoq ta arrinte me ritëm të shpejtë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply