Etika Globale, Lufta dhe Paqja
Lufta përherë do t’i ofrojë njeriut aromën keqndjellëse në mungesë të shpirtit, të mendjes dhe arsyes. Qeniet pacifiste ende janë të dyzuar nga absurdi i gjenocideve të shekullit të XX-të, i cilësuar si “shekulli i megavdekjeve, shekulli më i gjatë, më i urryeri” për Njerëzimin. Ai sot i kujton njeriut simbolet fatkeqe që vunë nën satanizmin e tyre jetën e qindra milionë njerëzve të vrarë. Sipas Platonit në trajtimin filozofik të psikozës së luftës, vetëm të vdekurit e kanë parë fundin e saj.
Inteligjenca strategjike po lëviz ethshëm në hapsirëkohëe. Shekulli ‘21 dhe dekada e tretë po sjellin ndryshime të korporatizmit (multilateralizmi) të dominimit të fuqisë globale. Edhe pse duket si fenomen ku përplasen interesat globale të fuqive të mëdha, koha po ç’vlerëson gradualisht synimin gjeostrategjik ndaj traditës së konfliktit për energji dhe territor.
Vatrat e sotme të luftës – në qasje me përparësi të armëve konvencionale, prioritetet numerike dhe cilësore në ajër, nëntokë dhe nënujë – tashmë kanë mbetur zgjidhjet afatmesme në zotërimin e kapitalit financiar, korridoreve tregëtare, mbi bursat dhe kuotat e sipërmarrjes ekonomike, lëndëve të para, kapjen e tregjeve, me vështrimin e pasigurtë se çfarë do t’i rezervojë e ardhmja dominimit global!
Janë një varg shtetesh të zinxhirit të Komandës dhe Grupimeve Rajonale (territor, kooperim financiar – teknologjik, investime strategjike) që sot janë përqendruar dhe përfshirë në garën e çmendur të riciklimit të teknologjisë industriale – ushtarake, forcimit të ekonomisë kombëtare, diplomacisë tregëtare, gjithmonë për të rritur ndikimin dhe diktatin global.
Askush nuk po pyet më se çfarë është shkruar dhe vendosur pas dy kasapanave botërore. Një dozë e imponuar nga dukuri dhe fenomene të Etikës Globale me sjellje dhe qëndrime të doktrinave globaliste amorfe, neo – liberale në qeverisje autarkie, tiranie dhe oligarke, biocentriste shfajësuese, biovierizmi bastard dhe transhendence arriviste – dhe mjaft të tjera – e kanë tjetërsuar themelin kostitucional të rendit shtetëror dhe botëror, duke fshehur qëllimet e elitës globale.
Financime kapitale në energji, kapacitete të industrisë ushtarake dhe teknologji me inteligjencë artificiale, kanë ndryshuar tërësisht doktrinat dhe Artin e Luftës (tradicionale, konvencionale, hibride, kompjuterike) duke e orientuar fuqinë për rivalitet në komandën e “portave dhe dritareve strategjike”.
Përtej demostrimeve më të fundit të armatimeve “stock” dhe të reja në konfliktin Rusi – Ukrainë, Iran – Izrael, Indi – Pakistan, Izrael – Palestinë – Gaza – Liban dhe tjera vatra të pritshme, vazhdojnë provat balistike, testet bërthamore dhe stërvitjet e përbashkëta, ndërkohë që mbahen samite dhe takime të nivelit të lartë (Trump – Putin gusht 2025) në emër të Etikës dhe Paqes.
Rrjeteve inteligjente po u shtohen listat ndëshkuese mbi rreziqet dhe kërcënimet e reja, (terrorizmi, spiunazhi teknologjik, ndërhyrjet – haker neutralizuese në rrjet – sistem, manipulimet mjedisore, në zinxhir ushqimor, deri privatësia individuale), duke shfaqur qartë shqetësimet në Rendin e Ndryshuar të Komandës dhe Hierarkisë.
Nën hijen e tretur dhe të dekompozuar të rrezikut bërthamor (sam – sara, golemi judaik), po zënë vend filozofi të konceptit asgjësues. Mendojeni një luftë me komandë nga Qielli dhe Hapsira kozmike nga një platformë vepruese – jo nga Toka, as nga Oqeani – por e projektuar dhe e vendosur përjetësisht në qiell! Mesa kuptohet, është konsumuar planifikimi strategjik nga Toka, spiunazhi i takon satelitit dhe mikroçipit, drejtimi nga ekrani plazmik me algoritme dhe pushtimi jo me ushtri të madhe, por nga burime njerëzore të brendshme dhe mercenarizmi.
Të gjithë po militarizohen, rrjete sigurie të ajrit dhe ujit, sisteme kontrolli, sinjalizimi dhe kundërveprimi në distancë; pika të avancuara reagimi dhe asgjësimi, karantina dhe platforma lëvizëse ushtarake, vatra inteligjente dhe reagimi diplomatik po manifestojnë kapacitete taktike, operative dhe strategjike në funksion të interesave dhe qëllimeve.
Tashmë nuk është as fantazi apo konspiracion, por koncept i klasifikuar në llozha okulte, me doktrina ushtarake dhe institute të kërkimit shkencor. Një fortesë fluturuese me panele diellorë dhe inteligjencë artificiale, e aftë dhe me autonomi qëndrimi në mbi – atmosferë për muaj apo vite; një platformë terrori me armë të padukshme orbitale (drone, satelitë, raketa, mjete lëvizëse, vrasës elektromanjetik) dhe sisteme të planifikimit, analizës, programimit dhe realizimit praktik të misioneve të ndërhyrjes, zbulimit, identifikimit, interceptimit, të neutralizimit dhe asgjësimit.
Kina, SHBA-të, Rusia, UK, India, Brazili, Izraeli, Turqia po renditen ethshëm në “Garën për Hapësirën”, atje ku do të demostrohet dhe realizohet inteligjenca strategjike e Luftës së Re të Ftohtë. Ky koncept radikal dhe përmbysës i qendrës së komandës qiellore, po i ndryshon rregullat e lojës për sundimet akademike të kohës. Tashmë, armët më të frikshme janë ato që fluturojnë, që janë të padukshme, të paprekshme dhe aspak të ndalëshme.
Në konceptin e pandryshuar të vlerësimit të luftës, duhet pranuar se nuk ka krime lufte, sepse vetë lufta është një krim. Luftrat shkaktojnë kaos, stres, viktima, shkatërrime, dhunë mbi sigurinë njerëzore, sepse përballë tyre njeriu ka humbur arsyen. Nxitësit e tendencave shkatërrimtare e perceptojnë paqen “të padurueshme” dhe diplomacinë “të pandershme”. Humori relativist i Ajshtainit për natyrën e mundshme të Luftës së “Katërt” Botërore e paraparë të zhvillohet me “gurë dhe shkopinj”, i ka trasformuar marinsat, trupat – komando, mercenarët të mbështetur fuqimisht nga robotika ushtarake në qenie pa mendim dhe me psikikë të boshatisur nga ndjenjat humane njerëzore.
Deri në fund të jetës së tij Makiaveli, si idhujtar i shtetformimit, ka vuajtur tronditjen dhe trishtimin mbi përmbajtjen e konceptit të luftës, konfliktit, pushtimeve, të cilat mbeten ende të pazgjidhura edhe sot. Nga nxitës dhe arrivist, në gjendje pesimizmi dhe pendimi të “mjetit dhe qëllimit”, ai me veprën e tij kreu shërbimin mbi aktin e reflektimit teorik ndaj elitave politike, grupimeve dhe aleancave ushtarake.
Nga buron etja për luftën dhe ende nuk gjenden burimet jetësore të Paqes? Studimet e historisë ushtarake mbi luftën, nga “Arti i luftës tek romakët” është më detajues me shqyrtime të zakoneve dhe modeleve të qeverisjes së popujve të “uritur” për pasuri dhe territore. Shekuj para tyre Sun Tzu në “Artin e Luftës” ka lënë hulli dualiste dhe taktika alternative, duke joshur strategët e medaljeve, dekoratave dhe pranuar memorialet e politikës “pacifiste”.
Mendohuni mirё dhe me maturi para se tё bёni njё lёvizje! Në fakt ideologu militarist nuk e ka për vendimmarrësit në sigurimin e fitoreve në beteja, por e ka fjalën për kostot njerëzore – materiale, përballjen me inatin “pas humbjes së luftës” të industrialistëve militaristë të pangopur. Nënkuptohen diplomatët e ndikuar dhe të shitur apo politikanët mburravecë! Në epokën dixhitale të Inteligjencës Artificiale sigurinё e fitores mbi kundërshtarin e garanton dizinformacioni, ai është pushteti! Sipas ideologut të lashtë, luftës së gjatë sasiore me brohoritje dhe trumpeta i ka ikur koha. Zgjidhja më e mirë: nёnshtrimi i kundështarit pa luftuar (koncepti i Luftës Hibride), dueli i luftёs pёr të arritur paqen.
Në mungesë të Etikës Globale, paqja e vërtetë nuk është më pjesë e këtij planeti, as e qytetërimit inteligjent, e as e njeriut arrogant me lakmi, egoizëm dhe padituri. Paqja e vërtetë i kthen në pluhur iluzionet, mentalitetet dhe sjelljen e materializmit vulgar. Ajo kundërshton urrejtjen, përçarjen, luftën, varfërinë, ndotjen dhe shkatërrimin e habitatit njerëzor.
Paqja e vërtetë fillon kur të kuptohet në vetëdijen kolektive se nuk jemi të ndarë, por jemi një dhe në harmoni me natyrën. Në psikozë frike, njeriu që luan me zjarrin pret me ankth vetëshkatërrimin, sepse askush nga Universi e as nga qytetërimet inteligjente nuk do të shfaqen këtu për ta shpëtuar jetën nga lufta, padituria, arroganca, egoizmi dhe vulgariteti dhe për të dhuruar paqen e shumëpritur. Njeriu post – modern mbetet ende i vockël. Ai duhet të rritet dhe të zgjohet për mos u ndjerë i braktisur.
Në çdo luftë, humbës janë të vrarët dhe viktimat, janë popullsitë civile të pafajshme. Elitat vazhdojnë të derdhin gjak, të mbjellin kaos dhe shkatërrime, të promovojnë në heshtje tmerret e luftës mbi të pambrojturit. Njeriu fatkeq lejon dhunimin e klimës së planetit, errozionin, shpyllëzimin, vrasjen e kafshëve, diegiet massive, duke besuar gënjeshtrat, iluzionet mbi “luftrat e drejta e të padrejta”. Përballë vrasjeve, mashtrimeve, tmerrit psikologjik mbi armët bërthamore, gazit helmues dhe shkatërrimit pa moral të jetës, po lejon në pranim vdekjen e ngadaltë te jetës. Të perceptuar tashmë primitivë dhe të manipuluar, kemi ngritur dyshimin mbi inteligjencën dhe qytetërimin tonë!
Por të kthehemi përsëri tek problem ynë, Etika Globale, Lufta dhe Paqja. Një triptik dhe raport mes tri fjalësh, të cilat në thelb përcaktojnë fatin e jetës së Njerëzimit. Çfarë lidhjeje ka Etika Globale me Paqen dhe Luftën? Pyetja që shtrohet prek nyjen thelbësore të filozofisë politike në marrëdhëniet ndërkombëtare aktuale dhe të perspektivës. Në mënyrë të përmbledhur dhe më të ristrukturuar, përgjigjet mund të marrin këto kuptime:
Së pari – Etika Globale paraqitet dhe duhet të pranohet si kusht në të drejtën ndërkombëtare për të garantuar paqen afatgjatë. Ajo bazohet mbi parime universale të besimit, mos – dhunimit, drejtësisë, barazisë, solidaritetit, duke respektuar mbi të gjitha Rregullin e Artë: “Sillu me të tjerët ashtu siç dëshiron që ata të sillen me ty.” Ky parim, nëse gjen hapësirë në realpolitikën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, do të minimizojë probabilitetin në nxitjen e konflikteve ndërshtetërore, rajonale, duke pranuar zgjidhjet paqësore të mosmarrëveshjeve.
Pa nderuar parimet e Etikës Globale, paqja është e përkohshme dhe merr natyrën e një armëpushimi. Marrëveshja e brishtë e ndalimit të konfliktit në Lindjen e Mesme ka një natyrë të tillë. Mund të ndalojnë veprimet operacionale ushtarake, goditjet dhe kundërgoditjet, por nëse në marrëdhëniet ndërshtetërore nuk vendoset drejtësia, zemërimi, urrejtja dhe pabesia mes shteteve dhe kombeve do të shpërthejë përsëri.
Mendoni sesa i brishtë është armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit në konfliktin e fundit 12 ditor. Nderimi i parimeve të Etikës Globale krijon themele të qëndrueshme për ndërtimin dhe veprimin e institucioneve kombëtare e ndërkombëtare që parandalojnë luftrat dhe konfliktet. E tillë duhet të jetë OKB-ja, Traktatet Ndërkombëtare, veprimtaria e Gjykatave Ndërkombëtare etj.
Së dyti – Lufta si fenomen social – politik është pasojë e mungesës së nderimit të Etikës Globale. Kur kjo doktrinë parimore shpërfillet nga fuqitë e mëdha dhe “vet-ua” në KS të OKB-së, atëherë Njerëzimi përballet me pabarazinë ekstreme, me padrejtësinë strukturore, abuzimin me pushtetin dhe fuqinë ushtarake, ushqen në mënyrë agresive nacionalizmin dhe nëpërkëmb kombet, popujt dhe shtetet e vegjël.
Këto elemente strukturorë që synojnë paqen, kanë qenë dhe janë parakushtet për të ndaluar luftrat. Ato nuk fillojnë nga mungesa e armëve, por nga mungesa e drejtësisë. E kundërta e tyre, Paqja nuk është mungesë lufte, por prani dhe respektim i Etikës Globale, e cila është dhe duhet të jetë si udhërrëfyes në kohë lufte. Edhe nëse lufta do të ndodhë, Etika Globale nuk e pushon veprimtarinë e saj në interes të Paqes. E drejta ndërkombëtare humanitare e mbështetur në Konventën e Gjenevës, është produkt i Etikës Globale, e cila ndërhyn për ndalimin e torturës, mbrojtjen e civilëve të pafajshëm, sigurimin e ndihmave humanitare. Paramendoni situatën e krizës humanitare në Gaza!!
Së treti – Përpjekjet për të arritur Paqen pa nderuar parimet e Etikës Globale shfaqen kudo si rrezik i ri për pasoja të tjera edhe më të rënda. Nuk mund të pranohet paqja e rreme në mbylljen e luftës apo konfliktit ushtarak, të cilat mbështeten në shtypjen, frikën, rritjen e presionit psikologjik dhe korrupsionit të thellë në politikëbërje, vendimmarje dhe diplomaci.
Pa Etikën Globale paqja do të jetë e brishtë, e kthyer në pranim apo heshtje të detyruar nën presion, në diskriminim kombëtar apo shtetëror. Parimet etike e bëjnë paqen të drejtë, të garantuar, të qëndrueshme, të pranuar nga palët në konflikt.
Edhe nëse lufta mund të bëhet e pashmangshme, ajo duhet të jetë e kufizuar nga ligjet ndërkombëtare dhe morali. A bën ndërhyrja ushtarake më shumë mirë sesa dëm? Nëse ndërhyrja është kaq e lehtë për t’u justifikuar, nuk do të përdoret aq shpesh sa të abuzohet! Kundërshtimi i luftës mbështetet në një dështim për të dalluar aktin midis justifikimit ligjor dhe etik. (89)
Njerëzimi do të përballet me karastrofa humanitare nëse lufta do të jetë shpërthyese, mizore, gjenocidiale. Rastet në historinë botërore janë të panumërta dhe situata e krizës humanitare në Gaza është qëndrimi i paprecedentë nga aktorë dhe faktorë ndërkombëtar.
Së fundi – Etika Globale në raportet Luftë – Paqe, nderon marrëdhëniet ndërshtetërore të ndërtuara mbi bazën e respektit dhe barazisë, kundër përdorimit gjenocidial të forcës ushtarake dhe mashtrimit diplomatik.
Në këtë përmbajtje, Etika Globale nuk është luks moral që buron thjesht nga një kongres botëror apo ligjëratat akademike në universitete, por themeli që i jep kuptim Paqes dhe kufizon barbarinë e luftës. Në substancën politike dhe morale, ajo është garancia e vetme për një paqe të drejtë.
(Vijon me ndonje pjese tjeter)
Sulejman Abazi NESHAJ
Burimi/Facebook


Leave a Reply