Këtë libër e kam shkruar për kujtimet e mia të fëmijërisë, me germat fjalët rreshtat dhe tërë librin dhe me to më duket sikur kam çarë ugare me parmëndë, po po në libër kam mbjellë germa, që simbolizojnë farën, kam vaditur fidanët e sapo plasur nga toka, kam prashitur, kam korrurr të lashta, kam vjelur mollë dardha, arra, qershia, kam mbledhur manaferra, salep, lajthi, trendafil të egër, boronicë, kam mjelur lopën e delen, kam nxjerrë bylmetin qumështin djathin, gjalpin, gjizën, eh çfarë nuk kam shkrojtur për këtë libër, jam shtrirë lirishtave plot lule, kam soditur diellin në perëndim, yjet dhe hënën që më përshëndetnin çdo natë, ashtu siç kanë bërë të parët e mi ndër shekuj me atë tokë të bekuar, të pasur, plot diell, pyje e male livadhe dhe burime dhe që na e kanë lënë trashëgim që ta ruajmë si sytë e ballit pavaresisht se jemi larg. Ndaj dhe malli për atë vend është aq i madh sa ç’ka bukurinë dhe madhështinë rrënqethëse në të katër stinët. Me ç’rast falenderoj redaktoren e këtij libri, zj Vllasova Musta, që me reçensën e saj ia ka shtuar akoma më shumë vlerën dhe bukurinë sepse i ka dhënë një nur flladitës e dehës. Mirënjohje!LIRISHTË MALLI DHE DASHURIE
Vllasova MUSTA,
Poete dhe kineaste
Mbresa
Teksa lexoja librin “Mall që djeg”, të Nexhi Baushit nga një faqe në tjetrën, vetiu ndjeva se po bëhesha pjesë e një rrëfimi të ngrohtë, të thjeshtë dhe kaq njerëzor, saqë u futa në vorbullën e tij dhe sakaq më dukej sikur para meje shfaqeshin sekuenca filmike jo vetëm të një personazhi, jo vetëm të një ngjarjeje, por një shumësi ngjarjesh të ndërthurura së bashku, që ngërthenin jetë të një treve, të një krahine, të një komuniteti që brez pas brezi mëkojnë, rrisin dhe përcjellin veç dashuri.
Stebleva, është lirishta ku janë lindur dhe rritur personazhet realë të kësaj proze të ngrohtë por, edhe pse koha dhe motet i kanë shtyrë të largohen prej andej, përsëri Stebleva mbetet oazi i mallit dhe dashurisë, vendi që përherë i thërret. Kaq e fortë është kjo ndjenjë dhe kaq e ngulitur tek brezat saqë të bëhet të besosh se të parët e tyre e kanë pasur parësore përcjelljen e kësaj dashurie tek bijtë dhe bijat, kanë ruajtur të gjalla dhe të freskëta legjendat, mitet, përrallat, këngët dhe gjithçka me vlerë për t´ua bërë atyre edhe më të bukur vendin e origjinës.
Gjithë rrëfimi në këtë prozë rrjedh si një frymëmarrje e plotë e përjetimit të Mijas, përjetim i fëmijërisë dhe rinisë së saj, përjetim i shtresëzuar ndër vite, që vjen valë – valë duke të njohur herë me një personazh e herë me tjetrin, herë me kryeqendrën e Shqipërisë dhe ndryshimin e saj e më pas të çon në malësitë e Steblevës, në malin Raduç, në lëndinat dhe korijet, në shkrepat dhe honet derisa përballesh me Dimjanën e bukur dhe aty, ndjen një tjetër tingull, tjetër melodi dhe sakaq ngjarjet flurojnë e rendin dhe ty të merr me vete Dimjana dhe Salemi, rrugëtimi dramatik i një dashurie.
Në prozën e Nexhi Baushit ka lirizëm, ka ngrohtësi, ka emocion sepse ajo është poete në shpirt, ka thagmën e së bukurës dhe di ta përcjellë këtë me finesën e fjalës dhe dritën e mendimit.
Autorë të ndryshëm nga kujtimet e jetës së tyre kanë përcjellë ngjarje të veçanta autobiografike, tepër të spikatura dhe të përzgjedhura, të ndryshme nga njëri tjetri, por që janë kaq të dëshiruara prej lexuesit dhe përherë mbresëlënëse.
Noshta, prej tyre ka marrë shkëndijën e parë edhe Nexhi Baushi dhe një ditë, nisma mori jetë, ajo rizgjoi gjithë kujtimet e saj të arkivuara prej vitesh dhe shkroi këtë libër.
Tashmë librin e kemi në duar dhe gjatë leximit, ajo që spikat dukshëm është fakti se autorja ka ditur të rindërtojë një botë fëminore me gjithë larminë dhe ngjyrimin e stinëve, me karaktere, me portrete, me ndodhi që vinë natyrshëm para nesh, na marrin përdore dhe na çojnë në mjedise të ngrohta mes vatrave dhe sofrave, pranë burimeve dhe staneve, në shpate malesh e në lëndina, gjithkund ku kundërmon aromë dhe tingull nga Stebleva.
E, të gjitha këto vinë përmes një rrëfimi të rrjedhshëm, të thjeshtë dhe krejt të natyrshëm, aq sa të bëhet sikur je edhe ti brenda kësaj rrëfenje, sikur autorja po bisedon e po të tregon ty, po troket mbi ngjarje dhe njerëz dhe i ringre e t´i sjell përpara.
Kaq e vërtetë është kjo, saqë jam e sigurt se kushdo, gjatë leximit do të ndjejë se diku e ka njohur “hallën”, (personazhin epiko-tragjik), diku e ka parë, diku ka dëgjuar dhe ja, tashmë i vjen përballë nëpër faqet e këtij libri, ku ajo me gjithë dhimbjet, me gjithë brengat gjen forcë dhe di të kujtojë e të tregojë ngjarje të bukura për dashurinë.
Personazhi i hallës është gdhendur mjeshtërisht deri në detaje dhe kësisoj, ajo duket sikur lëviz dhe është e pranishme përgjatë gjithë rrëfimeve që përfshihen në këtë novelë, por asnjëherë nuk shfaqet e njejta, përgjatë episodeve ajo merr vlera të shumta: diku të gruas së paepur, diku të nënës së dhimbsur, diku të prijëses së mendimit, diku të hallës së dashur, e më në fund, shndërrohet në një bard, që kuvendon me brezat dhe përcjell mesazhe të tej kohëve. Larmia e këtij karakteri të veçantë, e përcjellë me kaq vërtetësi nga autorja është padyshim jo vetëm një vrojtim i thellë i botës së saj, por dhe një adhurim ndaj kësaj figure, çka pasuron shtysën drejt dhënies së përsosmërisë.
Dhe kjo është arrirë plotësisht aq sa, të krijohet ideja se po sheh një porteret të gjallë dhe po dëgjon një zë real.
Në këtë libër, autorja jo vetëm ka derdhur gjithë mallin e mbledhur prej një jete për njerëzit e saj apo për vendin e origjinës, por njëkohësisht jep dhe mesazhe të një dashurie të veçantë që ata kanë dhe mbartin, të një përkrahjeje, të një mbështetjeje dhe të një krahu të zgjatur që rri përherë i nderë drejt bashkëvendasit, dhe vetiu thua: S
a të dashur dhe të gjendur për njëri tjetrin qënkan këta steblevasit!
Dhe këtë të vërtetë mbresëlënëse, që s´është tjetër veçse një mrekulli njerëzore, Nexhi Baushi e ka dhënë fare natyrshëm përgjatë gjithë faqeve të librit.
E nisa këtë parafjalë duke thënë: një libër i ngrohtë me shumë dashuri, sepse këtë përjetim pata kur mbylla faqen e tij të fundit dhe përsëri mendoj dhe dua të veçoj se “Malli që djeg”, është një libër ku shpalosen gjithë dashuritë, për rrënjët e të parëve, për këngët dhe vallet, për ngjarjet e bukura të ruajtura në kujtesë vitesh, për traditat dhe virtutet, për harmoninë mes tyre dhe takimet e përmallshme e… të gjitha së toku, të krijojnë imazhin e një lirishte të lulëzuar.
Urime Nexhi Baushi, që me penën tënde na ke sjellë këtë lirishtë të gjelbër, ku lulëzon malli dhe dashuria!
Tiranë, pranverë 2020

Burimi/Facebook


Leave a Reply