Si u bë testi i parë i shtatzënisë, më shumë se 3000 vite më parë?
Historia e njeriut është një udhëtim i pandërprerë mes legjendës dhe së vërtetës. Nganjëherë ato dyja përzihen aq ngushtë, sa është e vështirë të ndash se ku mbaron e para dhe ku fillon e dyta. Një nga shembujt më intriguese të kësaj ndërlidhjeje është testi i parë i shtatzënisë, i përshkruar në një papirus egjiptian më shumë se tre mijë vjet më parë.
Në atë dokument të brishtë, koha kishte lënë një recetë të pazakontë, gruaja që dyshohej shtatzënë duhej të urinonte mbi fara elbi dhe gruri. Pas disa ditësh, këto fara mbilleshin. Nëse mbinte elbi, ajo priste një vajzë; nëse mbinte gruri, një djalë; dhe nëse asgjë nuk mbinte, atëherë shtatzënia nuk ishte e pranishme.
Në dukje, ky është një ritual më shumë magjik se shkencor. Por misteri nis të zbehet kur e shohim me sytë e sotëm. Studimet moderne kanë treguar se ky test kishte një shkallë saktësie të habitshme, 70-85%, pasi hormonet e pranishëm në urinën e grave shtatzëna mund të nxisnin mbirjen e farave. Pra, aty ku ne shohim një rit arkaike, egjiptianët kishin intuitën e një të vërtete biologjike.
Ky fakt na mëson diçka të thellë, se njeriu, edhe në periudha të errëta të dijes, ka pasur aftësinë të vrojtojë natyrën dhe të zbulojë shenjat e saj. Shkenca moderne nuk u ngrit mbi hiç, por mbi shenjat, përfytyrimet, gabimet e bukura dhe intuitat e guximshme të brezave që na paraprinë.
Në thelb, metoda egjiptiane nuk është e ndryshme nga ajo që përdorim sot: edhe testet moderne matin praninë e një hormoni në urinë, hormonin hCG, si tregues i hershëm i shtatzënisë. Ndryshimi qëndron tek shpejtësia dhe siguria e përgjigjes. Atëherë pritej ditë të tëra që farat të mbinin; sot mjaftojnë disa minuta me një shirit të thjeshtë farmacie. Dhe megjithatë, në një ironi të ëmbël të historisë, shkenca nuk ka mundur ende të bëjë atë që egjiptianët e menduan si mundësi: të zbulojë gjininë e foshnjës në ato ditë të para.
Kjo përzierje e legjendës dhe e së vërtetës na rikujton diçka themelore: shkenca nuk ka qenë kurrë një rrugëtim i pastër logjik, por gjithmonë një dialog me imagjinatën, me frikën dhe me besimin.
Egjiptianët i dhanë një kuptim simbolik mbirjes së farave: elbi për vajzën, gruri për djalin. Sot, ne i japim një kuptim matematik testeve laboratorike. Por në të dy rastet, qëndron e njëjta nevojë njerëzore për të ditur, për të zbuluar misterin e ardhjes në jetë.
Nëse do ta shohim me sy kritik, mund të themi se testet e hershme nuk ishin gjë tjetër veçse një përpjekje e dëshpëruar për t’i dhënë formë një pritjeje të gjatë e të pasigurt. Nëse do ta shohim me sy poetik, mund të themi se ato ishin një mënyrë për ta lidhur ardhjen e një fëmije me ritmet e natyrës, me rritjen e farave, me jetën që lind nga toka njësoj si nga barku i një gruaje.
Në fund, ky ritual i lashtë mbetet një metaforë e bukur: se çdo lindje është një mbirje. Një farë që zgjon tokën, një trup që zgjon jetën. Dhe mes legjendës e së vërtetës, mes elbit dhe grurit, mbetet e pandryshuar një e vetme: mrekullia e krijimit të jetës.
Përgatitit: Albert Vataj
Burimi/Facebook


Leave a Reply