Vetëm jam. I vetmuar në një rrugë pa emër, në një udhë që nuk di pse e shkel, as pse ndalova pranë një grope të hapur nga rrotat që s’pushojnë kurrë së vrari tokën.
E shoh gropën dhe, përtej saj, siluetën time të shtrirë mbi një shtrat të ftohtë e të thellë. Vdekja ime qesh me shikimin tim, e duruar si një stinë që pret të vijë.
— Lëviz, se të shkelin makinat, — më thotë një burrë që nuk e njoh, me zë të hollë e të zgjatur, si zëri i një kujtese të harruar. — Kur të lodhesh nga udhët, ulu nën hijet e pemëve, jo në rrugën e rrotave të nxitura.
Dua t’i them: më mirë të më shkelin… sepse ata që nuk më kuptuan, ata që bënë fotografi pranë meje, do ta shpërndajnë imazhin tim dhe do të thonë:
“Ja ky, që luante në sharkí kur mërzitej. Ky që e mati jetën me hije, jo me orë. Ky që shëtiste qytetet me libra, duke buzëqeshur: Ju s’erdhët tek unë, por ja që unë erdha tek ju.”
Do të flasin për buzëqeshjen time, por jo për heshtjen që ajo ruante si një sekret të dhimbshëm.
Burri me kasketë më sheh sikur të dojë të më mbajë në këtë anë të botës:
— Lëviz, se po t’ik koha!
Por ai nuk e di se koha ime ka ikur shumë herë, dhe unë prapë kam mbetur këtu, i lidhur me rrugët që më sosin çdo ditë.
Në mëngjes, kisha ngulur shputat në tokë si rrënjë dhe nuk kisha lëvizur për dy orë. Në mesditë, një rrugë tjetër më mori përdore, dhe kur hija ime nisi të zgjatej, i mblodha në gjoks të dy rrugët e shkelura dhe kalova përtej tri katundeve e dy përrockave.
I kam mbajtur mbi supe rrugët, librat, kujtimet… dhe shikimet e akullta të atyre që më panë, por bënë sikur nuk më njohën.
Tani, një hije bliri më zbut dritën në ballë. Një mace që mjaullinë për kotelet e veta shtrihet te bishti i sharkisë dhe bie në gjumë. Unë shkruaj për vetminë time dhe për rrugët që ruajnë gjurmë të njerëzve të tjerë.
— Oh, sa shumë i njoh këto rrugë!
— Oh, sa shumë më njohin këta njerëz… dhe sërish nuk më flasin e unë sërish iu buzëqesh.
Nuk më flasin as librat, as shkronjat që dikur i zbrita nga mendja dhe i radhita mbi letër si ushtarë gati për marshim. Tani ato rrinë, si gurë mbi një varr pa emër.
Sharkia më është bërë si shkopi i plakut. Mbahemi njëri pas tjetrit, duke kërkuar përgjigje që nuk vijnë:
— Pse nuk m’i zgjon më telat?
— Pse nuk ma gdhend më zërin?
— Pse nuk më mban trupin drejt si pushka e gjatë mbi shpinën e malësorit?
Rruga ecën para meje si një lumë pa kthim, duke marrë me vete dritë, hije, kujtime.
Unë e ndjek… edhe pse e di se nesër do të më sosë përsëri e
pasnesër, do të më nisë sërish…
Planet Resort, 14.05.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply