“Fjala e lirë nuk është krim, krim është që gjyqtarët tentuan ta kriminalizojnë”
Në çdo shtet normal, është detyrë e gjyqtarit të mbrojë fjalën e lirë, jo ta ndëshkojë. Të garantojë lirinë e qytetarit, jo të ndërtojë burgje për zërin kritik.
Por në Shqipëri po ndodh e kundërta.
Janë vetë gjyqtarët, njerëzit që kanë betuar të shërbejnë ligjit dhe drejtësisë, ata që kanë konceptuar, menduar, pranuar dhe më pas parashikuar në një draft të Kodit Penal një nen që dënon fjalën e lirë.
Kjo nuk është vetëm e rëndë. Kjo është e pafalshme. Sepse as në kohët më të errëta të historisë sonë nuk është guxuar të thuhet me ligj: “Mos fol, përndryshe të dënojmë.”
Ky nen nuk duhej të ekzistonte kurrë.
As si ide. As si sugjerim. Jo më si draft ligjor i nënshkruar nga njerëz që mbajnë titullin “gjyqtar”.
Po si mund të flasësh për të drejtat e njeriut kur vetë gjyqtari e sheh fjalën si rrezik, jo si liri?Si mund të besosh në drejtësi, kur ata që duhet të jenë rojet e saj projektojnë armë ligjore për të heshtur qytetarët?
Ky është thelbi i kalbëzimit institucional në Shqipëri. Gjyqtarë që gjykojnë me urdhër.
Prokurorë që akuzojnë me porosi. Ligje që shkruhen për të mbrojtur pushtetin, jo shoqërinë.
Në një vend ku ka dhjetëra raste korrupsioni, pronat grabiten, vendimet merren në errësirë, të pafajshmit dënohen dhe kriminelët mbrohen, ata zgjedhin të dënojnë fjalën!
Po kërkojmë llogari. Po kërkojmë drejtësi.
Po kërkojmë që gjyqtari të kthehet në mbrojtës të ligjit, jo në hartues nene shtypëse.
Sepse kur drejtësia projekton burgun për mendimin ndryshe, ne nuk jemi më në një shtet ligjor.Jemi në një farsë tragjike, që po na varros të gjithëve.
Ky nuk është një gabim teknik. Ky është një akt i rëndë institucional dhe moral. Sepse një gjyqtar, përpara se të jetë interpretues i ligjit, është garantues i lirisë.
Si guxon një gjyqtar të mendojë që fjala e lirë të bëhet e dënueshme me burg?
Si mundet që në vend të mbrohet zëri i qytetarit, të mbrohet heshtja që i shërben pushtetit?
Si është e mundur që në vend që të ndëshkohet padrejtësia, ndëshkohet kritika?
Ky nen, që u përfshi në draftin e Kodit Penal nga duart e atyre që kanë detyrë të mbrojnë qytetarin dhe rendin kushtetues, është një turp i pashembullt për historinë e drejtësisë shqiptare.
Ky nen nuk duhej as të mendohej. As të shkruhej. Jo më të diskutohej për miratim në një shtet që pretendon të jetë demokratik.
Burimi/Facebook


Leave a Reply