Shënime letrare për librin “Tregime të zgjedhura për fëmijë”, autori: Zihni Sako, Seria e tregimit të zgjedhur për fëmijë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1977, tirazhi: 5000 kopje.
Zihni Sako, ndihmesën e tij më të rëndësishme dhe më të spikatur e dha në fushën e letërsisë për fëmijë. Është një ndër nismëtarët e themeluesit e kësaj letërsie. U mor me të pikërisht, kur kjo letërsi përpiqej të kapërcente traditën didaskalike që kishte trashëguar nga periudha e Paraçlirimit. Shkroi në prozë e në poezi. Vjershat e tij janë nga të parat poezi për moshën parashkollore. Është autor i librave: “Vjersha për të vegjël” (1949), “Foleja e dallëndyshes” (tregime, 1950), “Dita e parë” (vjersha, 1953), “Bardho Bardhushi” (tregime dhe pjesë teatrore, 1953), “Fëmijët tanë” (vjersha, 1954), “Cironka e artë” (poemë-përrallë, 1957), “Fuqia e Skënderbeut” (tregime, 1958), “Trëndafilat” (vjersha, 1964), “Ç’është njëzë e njëzë? (gjëegjëza, 1965), “Lulja e blirit” (tregime, 1965), “Dora jote, Parti” (vjersha, 1967), “Dallëndyshja e vogël” (tregime, 1972), “Si e shpëtoi Kokëmalçi kështjellën e Valikardhës” (legjendë, 1978), “Shytëza” (tregime, 1978), “Si janë ngritur këngët për trimat” (tregime, 1981).
Tregimet e tij të zgjedhura për fëmijë, të cilat po i marrë në shqyrtim përfaqësojnë një bashkëdyzim të vlerave didaktike me frymën artistike, duke i bërë ato të dashura për breza të tërë lexuesisht të vegjël. Tregimet kanë një gjuhë të kuptueshme për fëmijët, por pa rënë në naivitet. Struktura e rrëfimit është lineare: me fillim, zhvillim dhe mbyllje të qartë, duke ruajtur koherencën logjike dhe emocionale.
Disa analiza tregimesh…
“Foleja e dallëndyshes” (është historia e një partizanit që hoqi gjerdanin dhe u fut në shtëpi, që vazhdonte të digjej. Shpëton nënë-dallëndyshen dhe bijtë e saj. Citoj: “Sytë i shkëlqenin nga gëzimi, ndërsa u tregonte atyre një fole të bukur e të vogël, që e kishte hequr nga streha mbi ballkon me gjithë një copë suva dhe e mbante në dorë.
Tri dallëndyshe të vogla bënin ciu-ciu pa pushim. Nëna e tyre vinte rrotull partizanëve, pastaj si u ul mbi një tel, këndoi një këngë të bukur, këngën e jetës.” (f. 26). – Tregimi është një metaforë e përkujdesjes dhe e sakrificës. Ngjashmëria mes dallëndyshes dhe njëriut ndërton një urë komunikimi të një ndjeshmërie të thellë. –
“Një dorë miell” (Një grua (Bena) ndan me tre partizanë një sasi të vogël mielli që i kishte mbetur familjes së tij. U bën përvëlak. (Asnjëherë ajo grua nuk mendoi se do t’i duhej të ushqente edhe dy fëmijët e saj. Citoj: “Bena afër fëmijëve ndenji shumë e qetë atë natë. Në fytyrën e saj rrezet e hënës shkëlqenin.
Në mëngjes të tre, Bena dhe dy fëmijët, u zgjuan. Në kusi ajo gjeti një pjesë të përvëlakut”. – Një tregim i fuqishëm emocionalisht. Një dorë miell bëhet simbol i flijimit dhe i mirësisë. Autori na mëson, se: mbi atë çfarë është më e rëndësishme është zemra, e jo pasuria.-
Tregimet e shkrimtarit Zihni Sako janë pasuri e letërsisë shqipe për fëmijë, me një ndikim të thellë në formimin moral dhe estetik të lexuesve të vegjël. Ai arrin të krijojë një botë të thjeshtë në dukje, por të pasur në domethënie, të mbushur me personazhe të gjalla dhe vlera universale.
Shkodër, më, 23.07.2025 ( Xhahid Bushati )
Burimi/Facebook


Leave a Reply