E ndjeve më n’fund,(besoj), që unë s’po shkruaj më as për t’bëmat as për ndërskamcat politike e “egjren” e deputetëve që s’shohin përtej mëditjeve që marrin, e s’dinë të shkruajnë përtej firmës që hedhin në letër çdo 48 orë, kur futen në Kuvend për t’u tallur me popullin që hesht e nuk bëhet “hakërim” i Ali Asllanit, e t’futët në sallë, (ku ju dhe të tjerët tredhni miza), e t’ua këpusin dallaveret me poste, e t’ju thonë: “Hani, pini e rrembeni, mbushni xhepe mbushni arka” … ikni se boll u bë!
– E kuptova më n’fund se politikanë të ndershëm dhe shqiptarë atdhetarë pa interes paska vetëm ndër varre. Nën lisa paskan mbetur vetëm ca si unë, që flasin me degët dhe numërojnë gjethet që bien në tokë nga vapa përcëlluese e kësaj vere politike të habitshme, me njerëz të mbushur faje që s’e shohin as hijën e vet.
E kuptove, besoj, pse nuk po shkruaj më për njerëzit që fitoren s’duan t’ia dhurojnë popullit, dhe për ata që kurrë, ama kurrë, s’e pranojnë humbjen, madje madje, provojnë që edhe humbjen ta kthejnë në triumf!
Jam ngopur me njerëzit që duan vetëm vetveten, lartësojnë vetëm vetveten, kuptojnë vetëm vetveten dhe vetëm vetvetes i besojnë. Meritën e tjetrit kurrsesi nuk e pranojnë, dhe kurrsesi nuk mendojnë kolektivisht për të mirën e atdheut!
Po shkruaj në një rrugë ku njerëzit ngarendin të futen në restorant për ta shuar urinë me ndonjë mish të pjekur viçi, e për ta shuar etjen me ndonjë gotë verë, pa më vërejtur mua, e pa i parë librat – shkruar me dhimbjen për një popull që pulën e pjekur e ve mbi dijen!
Albin, e kuptova më në fund se unë jam një hiç në vorbullën e budallenjëve dhe biseda me pushtetarët, qenka si shushurima e gjetheve kur i merr era, ndaj po bëhem Ezop, po iki nga njerëzit që s’ta pranojnë vlerën, e po i këndoj mençurisë që ma mësuan shputat e regjura gurëve t’sokakut!
Gjilan, 21.07.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply