Nga Shën Benedikti kam mësuar shumë gjëra e mund të mësohen shumë gjera akoma, duke filluar nga marrdhënia e tij shpirtërore me Hyjin, me vëllezërit e tij murgj, me motrën e tij Skolastikën, apo edhe me drejtësinë sociale, me menaxhimin e kohës në mënyrë të arsyeshme etj.
Një nga gjërat që gjithmonë më ka ushqyer nga përshpirtëria e Benediktit ka qenë shprehja “Operi Dei nihil praeponatur” – mos vendos agjë para lutjes. Një nga veprat më të vështira për njeriun që kërkon Zotin është ajo e lutjes. Mençuria e Benediktit, por në fakt e krejt jetës së krishterë, është fakti se lutja nuk është punë e njeriut, por punë e Hyjit. Ne i bashkohemi këtij veprimi që Hyji nxit brenda nesh.
Në çastet më të errëta të jetës time, kur më rrëzohen të gjitha siguritë, mbështetjet që kam pasur e te të cilat kam shpresuar, kur përreth meje ka aq terr sa nuk shoh as përtej hundës time për shkak të egoizmit, mund të them se lutja, sidomos ajo me psalmet, është një spirancë shpëtimi e vërtetë. Aty shikon se asgjë nuk varet prej teje, së paku shpëtimi nuk është vepër e jotja. Dalja nga ai terr apo ringritja pas rrëzimit ka nevojë për një dorë që hap perden apo që të ngren nga toka.
Në lutje shikon se asgjë nuk mund të të rrëzojë përfundimisht, por se Zoti është shpëtimtari dhe shëlbuesi i jetës tënde. Lutja të bën të kuptosh se jo gjithçka është e humbur edhe atëherë kur humbin siguritë e tua apo veniten shpresat e tua të rrënjosura në mendësinë e kësaj bote.
Sot, në ditën e shën Benediktit, dëshiroj të përcjell pikërisht këtë mesazh të lidhjes tonë me Hyjin. Ai nuk na braktis kurrë, por është gjithmonë i gatshëm për të na ripëtërirë jetën, për të na kthyer buzëqeshjen, për të na lehtësur barrat apo dhimbjen.
Si në çdo kohë edhe sot bota ka nevojë për njerëz që lartësojnë lutjen e tyre drejt qiellit. Ashtu sikurse ka nevojë për veprues në drejtësi, në veprimtarinë ekonomike, në ruajtjen e mjedisit, në shërbimin ndaj vëllezërve e motrave në nevojë, ashtu ka nevojë për njerëz që pandërprerë lartësojnë lutjen te Hyji e bëhen ndërmjetës për shumë njerëz e në fund edhe për veten e tyre.
Shën Benedikti lutu për ne!
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply