Në thellësi të maleve të Merturit, aty ku Palçi ruante ende zërin e burrave të moçëm dhe erën e lirisë, lindi Sokol Zef Sokoli, në vitin 1949.
Bir i një fisi të njohur për trimëri dhe krenari, Sokoli nuk ishte thjesht një emër në listat e gjendjes civile të asaj kohe. Ai ishte një shenjë kundërshtie në një kohë kur fjala e lirë kushtonte jetë.
Ai që u njoh nga historia si një nga dy të rënët e revoltës së përgjakshme të Qafë-Barit më 22 maj 1984, e nisi kalvarin e tij të mundimeve shumë më herët. Në fundin e dhjetorit 1981, ai thirret nga organet e sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme në Tropojë. Hetuesi i kohës, Petrit Baku, synonte ta përballte me aktakuza politike, por Sokoli, i rritur me ndjenjën e shpirtit të lirë në malet e Palçit, e kuptoi drejt çka po ndodhte.
Ai nuk pranoi të përkulet, por kërkoi të çajë për nga kufiri, drejt një bote tjetër, jashtë errësirës së regjimit.
Por fati nuk do t’i buzëqeshte. Në Qafën e Çobanit, në territorin kufitar të Lugut të Zi, forcat kufitare e kapën. Ironikisht, sipas dokumenteve të brendshme të kohës, ai kishte kaluar kufirin dhe kishte shpëtuar vigjilencën e postës kufitare të Stoberdës, por moti i egër me borë e kishte kthyer pa e kuptuar në territor shqiptar. Ishte një kthim që do t’i kushtonte shumë.
Gjykata e Tropojës, me një vendim të paracaktuar, e dënoi më 27 mars 1981 me 18 vjet burg dhe heqje të së drejtës zgjedhore për 5 vjet. Vendimi u firmos nga Perikli Kalagji dhe Bahri Piri – emra që sot mbahen mend më shumë për nënshkrimet mbi dhimbje sesa për ndonjë drejtësi.
Sokoli nuk ishte një kriminel. Ai ishte një ndër ata bij të Merturit që nuk e duronte padrejtësinë. Rruga e tij drejt revoltës së Qafë-Barit nuk ishte një çast i vetëm – ishte një vazhdimësi e qëndresës, një rrugëtim që nisi në malet e Palçit dhe u shtri në kalvarin e burgjeve të diktaturës. Ai nuk u dorëzua. Edhe kur humbi gjithçka, ruajti atë që s’mund ta burgoste askush: nderin dhe krenarinë.
Historia e Sokolit nuk është vetëm një kujtim për të afërmit apo për Palçin. Është një plagë kombëtare, një dëshmi se si diktatura përndoqi me mizori më të mirët, ata që nuk e dinin ç’ishte përkulja. Dhe ndër ta, Sokoli mbetet një nga emrat që fisit të Merturit i sjell lavdi.
Nga: Besnik Nikoll Palnikaj
Burimi/Facebook/Neutrale


Leave a Reply