Nga Ana Bisholla
Këtë radhë kur të shkoj në Vlorë nuk do e gjej më halla Llambën, numri i familjarëve ku shkoj me lule është shtuar dhe një lëmsh më zë fytin dhe dëshira për të ardhur në Vlorë venitet.
Mos mendoni se kjo është mungesë dashurie për qytetin, përkundrazi është dashuri dhe nostalgji, dhe sëbashku bëhen ca të rënda ti mbash mbi supe…
Halla Llamba, si i flisnim ne, (Ose Llambrini Bisholla, e martuar në mbiemër Shtrepi) ishte e madhja e fëmijëve të gjyshe Katos dhe gjysh Vangjelit, në mes ishin të katër vëllezërit dhe e fundit halla Afroviti që jeton në Fier. Gjysh Vangjeli, tregëtar i ardhur nga Berati u largua nga jeta shumë shpejt (por kjo e familjes është tjetër histori). Mbas vdekjes së babait duke qenë edhe e madhja filloi punë si rrobaqepëse.
Në atë periudhë nuk kishte shkolla për konfeksione, por kishte mjeshtra zanatçinj ku nxënës të ndryshëm shkonin dhe mësonin. Si vajzë e zgjuar dhe e shkathët mësoi shumë shpejt.
Gjithë periudhën e punës ajo e kreu te rrobaqepsia speciale burrash. Hallën e mbaj mënd gjithmonë me gjilpërë në dorë që kur isha e vogël. Më kujtohet kur ajo vinte te gjyshja dhe gjyshja dhe gjithmonë do qepte apo riparonte diçka…
Lokali i rrobaqepsisë ka qenë aty sa del nga rruga e hebrenjve në krahun e majtë te ndërtesat që janë akoma. Aty te kthesa ishte dyqai i këmisharisë ku shitëse ishte teta Manushja, kolege e mamasë time (edhe ajo shitëse). Menjëherë pas të binin në sy vetrina xhami të lokalit të rrobaqepsisë pas të cilave të përqëndruara në punë qepnin ca gra duararta. Aty ishte edhe halla Llamba. Mbaja këmbët aty për pak çaste, mjaftonte pak dhe halla ngrinte kokën dhe ma bënte me dorë të hyja brënda.
Nga jashtë ky lokal dukej i vogël, sepse bënte kënd, por brënda zgjerohej dhe të binte menjëherë në sy prezenca e dy tavolinave të mëdha të mbushura me vizore, shënesa dhe kartona e letra të ndryshme të prera me forma dhe figura ku vinin vërdallë si në një ritualitet ata:gra e burra, trashëgimtarë të një zanati të bukur, të kësaj tradite të qytetit tonë që vinte nga larg dhe e shihje tek merrte formë në duart e këtyre specialistëve.
Hyja brënda ca e drojtur dhe pasi përshëndesja drejtohesha nga halla.
Ah, se harrova, në atë periudhë të adoleshencës flokët nuk i kisha të gjata, por të prera drejt, me vizë në anë dhe i hidhja pas veshit. Edhe halla kishte të njëjtin model flokësh.
Eh… koincidencë.
Përqafoja hallën, ajo më kalonte dorën mbi flokë me përkëdheli (ndjeja gishtëzën e vogël që ajo e mbante gjithmonë në gisht), dhe më pyeste: i bëre detyrat, (kur ishte koha e shkollës) ose – hë, çfarë ke bërë sot? Përgjigjesha me drojtje ndërsa dëgjoja ndonjë kolege që i thoshte hallës: sa të ngjan moj Llamba, sikur e ke çupë. Njësoj është – përgjigjej ajo – e kam të vëllait. Do shkosh te jot ëmë tani – vazhdonte ajo, mamaja e kishte dyqanin dy hapa më tutje. Po, i thoshja, ajo më përqafonte dhe në një mënyrë që të mos e shikonte njeri më vinte në dorë një kartëmonedhë dhjetë lekëshe. Si e zënë në faj vazhdoja – halla po unë… Shëëët… ma bënte ajo, hajde mirupafshim.
Më mbeteshin në mëndje edhe kur ikja gjithë ato duar aty brënda që lëvizin me aq mjeshtëri.
S’kishte njeri në Vlorë që të mos i njihte mjeshtërit e rrobaqepsisë “Speciale burrash” . Mendoj që s’kishte mashkull në Vlorë përmasat e trupit të të cilit të mos kishin kaluar qoftë edhe një herë të vetme në tavolinën e punës dhe në duart e mrekullueshme të këtyre zanatçinjve që të palodhur, me fill e gjilpërë trasformonin metra prej stofi në pantallona e xhaketa, pardesy e kostume për dhëndurë.
Jeni me fat që i keni rrobat të qepura bukur – u thoshnin xhaxhallarëve dhe tim eti shokët – se keni motrën aty.
Por dihet që zanati i rrobaqepësit nuk mbaronte në punën e shtetit. Halla kishte makinë qepëse dhe duart e saj nuk rrinin kurrë kot. Në këtë rast me fat ishte xhaxhi Raqi (Sotiraq Shtrepi), i shoqi, një tjetër mjeshtër i zdrukthtarisë që kishte dyqanin në krahun tjetër të rrugës aty ku ngushtohet për të dalë te sheshi i kateqit. Dhe me të njëjtin fat edhe çunat e hallës Stathi dhe Vili. Xhaxhi Raqi vishej me sqimë, një e veçantë që të binte në sy te ai ishin jelekët e qepur shumë bukur (çdo gjë që qepte halla duhet të ishte perfekte dhe pa asnjë difekt), ku dallohej vëndi ku mbante orën e xhepit dhe qosteku i kapur me spillë në krahun tjetër. Edhe çunat e hallës dalloheshin për veshjet e bukura sipas kohës.
… Vitet e fundit kur shkoja të takoja halla Llambën, te dhoma ku më priste ngrija gjithmonë kokën dhe shikoja një fotografi varur në mur ku janë të katër bashkë familjarisht. Ndonjëherë ajo foto më është dukur sikur ka dalë nga ndonjë roman apo është marrë nga ndonjë film. E realizuar aty te shkallët e hyrjes me parmakët klasikë dhe pemët e agrumeve në sfond, halla dhe xhaxhi Raqi janë dy të rinj që buzëqeshin dhe dy fëmijë të veshur si dy aristokratë të vegjël. Eh, sa nostalgji. E shikoja tek psherëtinte pa folur. Dhe po ashtu pa folur kuptoheshim kur shkoja t’a takoja. Çdo vit sikur e gjeja më të tkurrur, por një gjë që nuk u tkurr asnjëherë ishte karakteri i saj, kjo dhunti familjare dhe të qënurit perfekte . P. Sh. Unë hallën nuk e mbaj mënd pa përparëse dhe shpesh me gjilpërë sepse sa kishte mbaruar ndonjë gjë që duhej t’a qepte apo riparonte. Ndokush i thoshte se dhe edhe perfeksioni i tepërt bëhet difekt, por unë hallën e desha shumë edhe me këtë difekt.
Ndoshta ngaqë i ngaj, ndoshta që me të vërtetë të gjithë si familje ngjanim me njëri tjetrin si nga pamja e si nga huqet.
Kujtimet e takimeve të fundit me hallën i ruaj me fanatizëm brënda vetes. Sidomos momentet kur kujtonim të gjithë ata që na mungonin që nga gjyshja dhe me radhë. Shpesh kur e shihja në sy, në ata sy të bukur e të kthjellët si deti(sepse sytë nuk plaken dhe nuk e humbin ngjyrën kurrë)vija re shkëlqimin e ndonjë loti tradhëtar që si ajo edhe unë nuk e linim që të binte dhe të na ndryshonte atmosferën e takimit. Në këto takime një traditë familjare mbante vënd nderi: likoja. Sa herë që shkoja te halla do shijoja ndonjë liko të bërë me merak.
Por ky behar do jetë ndryshe.
E di, kështu fillojnë mungesat dhe pastaj bëhen rutinë…
Kujtime të familjes dua që t’i ruaj thellë brënda shpirtit, por edhe pse jo, ti shkruaj që të mbeten, jo vetëm për veten time. Halla Llambën dua t’a kujtoj ashtu, me karakterin e saj të fortë, stiliste të palodhur me fill e gjilpërë së bashku me një gjeneratë mjeshtrash, gra e burra që në artizanatin e qytetit tonë kanë shkruar një faqe të bukur dhe kanë lënë gjurmë. Jo më kot e titullova këtë tregim ” RROBAQEPSJA E FUNDIT”, sepse duke patur parasysh edhe moshën e atij brezi e di që shumë sot nuk janë më, dhe kush është akoma me siguri është në moshë të thyer. Nuk janë më edhe dyqanet dhe ndërmarrjet e atëhershme por në ndonjë dollap të vjetër, aty ku shumë ruajnë me fanatizëm kujtime nga e kaluara, me siguri ka mbetur edhe ndonjë krijesë ekonfecionuar nga këta mjeshtra të heshtur.
Ana Bisholla. Copyright.
Maj 2025.
Burimi/Facebook/VLORA SUN CITY☀️QYTETI I DIELLIT


Leave a Reply