Procesi fillon në korridor, këshillimi në zyrë, vendimi merret para se të thërritet pala
Në Gjykatën e Sarandës, sot ndodhi ajo që në dukje mund të ngjajë si një “rast banal”, por në thelb përbën një shkelje të rëndë të parimeve kushtetuese të procesit të rregullt ligjor.
Gjyqtari që do të shqyrtonte çështjen penale hyri në sallën e gjyqit nga e njëjta derë me prokurorin. Për këtë arsye kërkova zyrtarisht përjashtimin e tij.
Sepse në drejtësi nuk mjafton që vendimi të jetë i drejtë. Ai duhet të duket i drejtë, të jetë i pastër nga çdo hije afërsie, ndikimi apo bashkëpunimi të fshehtë. Kur një gjyqtar hyn në sallë përkrah prokurorit, që është palë në proces perceptimi i njëanshmërisë është i pashmangshëm. Dhe aty ku perceptimi i drejtësisë bie, drejtësia vetë nuk ekziston më.
Por çështja është më e thellë.Nëse gjyqtari dhe prokurori hyjnë së bashku në sallë, kjo do të thotë se kanë ndarë më herët ambientet e brendshme të gjykatës, që janë të ndaluara për palët.
Do të thotë se prokurori ka qenë në zyrën e gjyqtarit dhe simbolikisht, edhe në dhomën e këshillimit.Në atë hapësirë ku gjyqtari duhet të jetë i vetëm me mendimin e vet, me ligjin dhe me ndërgjegjen profesionale, papritmas kemi një palë të procesit që ndodhet aty, fizikisht ose përmes ndikimit të afërsisë.
Kjo nuk është thjesht një çështje etike.Është një shkelje e rëndë procedurale dhe institucionale. Është arsye e plotë dhe e ligjshme për përjashtimin e gjyqtarit, sepse garancia për paanësi është cenuar në mënyrë të dukshme. Në çdo vend serioz kjo do të cilësohej si shkak për pavlefshmëri të gjykimit.
Në Sarandë, duket se norma e heshtur është kjo, gjyqtari dhe prokurori ndajnë jo vetëm derën, por edhe mendimin. Dhe kjo është shkatërruese për çdo qytetar që kërkon drejtësi të ndershme.
Kërkesa për përjashtim nuk ishte akt emocional. Ishte një reaksion i domosdoshëm ndaj një kulture që po e kthen procesin gjyqësor në një formalitet të zbrazët, ku vendimi është marrë para se të thirret pala.
Dhe po, gjithçka nis nga dera. Kur dera është e përbashkët, atëherë edhe vendimi është i përbashkët. Dhe qytetari mbetet vetëm përballë një drejtësie të mbyllur në prapaskenë.
Drejtësia nuk mund të jetë as bashkëbisedim në korridor, as bashkëhyrje në sallë.Kur prokurori hyn në zyrën e gjyqtarit, drejtësia del jashtë.
Për këtë arsye, në Sarandë, kërkova që ajo derë të mbyllet përmes përjashtimit.
Burimi/Facebook


Leave a Reply