Kush nuk i kujton vitet e shkollës? Nuk ka fëmijë që nuk i rikthehet në mendje çantës së zezë me gjalmë, e hedhur krahëve si një kryq që s’e zgjidh dot. Ato çanta të qepura me beze të errët, mbushur me pak fletore dhe libra të vjetër, që na i jepnin ata që kishin mbaruar një klasë më lart – sepse ne s’kishim mundësi të blinim të rinj.E doja shkollën. Me gjithë shpirt. Lexoja gjithçka që më binte në dorë. Që nga klasa e pestë, i vura vetes një detyrë: çdo natë të shkruaja nga një poezi. I pari njeri që dëgjonte vargjet e mia ishte nëna. Ajo qepte triko ose çorape me shtiza të vjetra prej teli, dhe kur i thosha:– He shpirt i Nënës, çfarë shkrova sonte?ndalonte dorën dhe më shikonte në sy. I shkëlqente fytyra. Kur lexoja, ajo më dëgjonte pa frymë. E unë, pasi mbaroja, hidhja fletoren dhe e përqafoja fort. Shpesh më zinte gjumi me laps në dorë ose mbi ndonjë libër. Nëna më merrte me kujdes, mbyllte librin, paloste fletën dhe më shtrinte pranë vëllait.Në mëngjes zgjohesha gjithmonë i pari. Hanim ç’të kishim për mëngjes, pastaj hidhja çantën në qafë dhe bashkë me vëllain niseshim për në shkollë. Në orën 8:00 fillonte rreshtimi. Ne të dy gjithmonë jashtë rreshtit – nuk kishim shall pionieri. Ishim kulakë. Grushtat ngriheshin në ajër, për ne jo. Në fillim ishte e vështirë, por pastaj u mësova. Pajtohesha me fatin tim – kulak i vogël, në vendin që të jepte Partia.Në klasë, gjithmonë në bankën e fundit, me një kushërirë nga nëna. E vetmja që më fliste. Me të tjerët nuk kisha asnjë lidhje. Ata ishin “të afruarit e partisë”. Edhe mësuesi kujdestar kishte emrin dhe mbiemrin tim, por mes nesh kishte një oqean. Ai ishte mësuesi. Unë – kulaku.
Dashuroja librat. Ishin bota ime e lirë. Hynja në faqe dhe bëhesha një personazh tjetër. Me rroba të pastra, me këpucë të bukura. Herë luftoja, herë mblidhja lule, herë shtrohesha në tavolina me fruta dhe mish. Varesh nga libri që lexoja. Dhe trishtohesha kur arrija në fund. Në bibliotekën e shkollës ndonjëherë më jepnin një libër. Gëzim i madh – një botë e tërë brenda një cope letre.
Në letërsi isha më i miri. Por dhjetë nuk më vinte kurrë. Ndonjë nëntë, më së shumti tetë. Mësuesit rrinin ftohtë. Nuk më flisnin shumë. Unë rrija në bankën e fundit, në botën time. Mendja më rrinte tek poezia e mbrëmjes. Prisja përqafimin e Nënës si shpërblim për vargjet që do t’i lexoja.
Pas mësimit, ndonjëherë mësuesi-adash më ndalonte. Me duar në xhepa vinte drejt meje:
– Hee, do ndonjë libër?
– Po – i thoja.
– Italisht di ndonjë fjalë?
– Italisht? Si ta di?
– Nga radioja, më tha.
– Jo – i përgjigjesha – s’e dëgjoj radion italisht.
Më bënte disa pyetje që më djersisnin. Nuk dija ç’të thosha. Më shikonte nga koka te çizmet e grisura. Pastaj ulërinte:
– Diiiiilll jashttttt!
Ikja me vrap, përplasesha me bankat. Dhe mendoja: “Po ky ç’pati? Ç’më bërtiti?” Më vinte t’i thosha se “Zëri i Amerikës flet shqip”, por e kisha frikë. Babai më kishte thënë: Po na zbuluan që dëgjojmë Zërin e Amerikës, të gjithë në burg. S’ka shpëtim. Fjalë që nuk duhej t’i thosha askujt.
Të nesërmen, përsëri në bankën e fundit, me kushërirën që edhe ajo kishte “biografi të keqe”. Edhe ajo mësonte shumë. Por edhe ajo s’kishte parë ndonjëherë dhjetë. Ato i merrnin vajzat dhe djemtë e komunistëve.
Një ditë më ngriti në mësim mësuesi i matematikës – Lavdoshi, nga Elbasani. Pasi fola, më tha:
– Dhjetë.
M’u mbushën sytë me lot gëzimi. Më në fund një dhjetë! Por s’zgjati shumë. Pas disa ditësh, më thotë:
– Kujtim, më vjen keq. S’mund të të vë më dhjetë. Nuk e dija që je kulak.
Vazhdoi ashtu shkolla ime. Me pak libra që më bënin të lumtur. Me pyetje të çuditshme të mësuesve. Me bankën e fundit dhe një ëndërr për t’u përqafuar nga Nëna në fund të çdo dite.
⸻
Kur mbarova klasën e tetë, doja të vazhdoja shkollën. Shkova në Komitetin Ekzekutiv, në zyrën e Salie Kuklit. Por s’më lanë as të hyja. Më nxorën jashtë me forcë, më grisën trikon. Po mbaja fletoret me poezi. U ula buzë trotuarit, dhe qaja.
Aty u afrua një burrë me kollare të zezë.
– Pse qan? – më pyeti.
I tregova që doja të vazhdoja shkollën. I thashë se isha kulak, por s’kisha faj. Unë mësoja, shkruaja, lexoja. I tregova fletoret. I mbajti në dorë, i shikoi, lëpiu buzët dhe m’i mori.
– Do të ndihmoj – tha.
Ai ishte Koçi Petriti.
U ndava me fletoret e mia përgjithmonë.
Pas disa ditësh, erdhi makina e Degës në fshat. Më thirrën. Dhe që aty filloi ndjekja këmba-këmbës. Derisa u arratisa nga Shqipëria.
Më vonë mësova që edhe mësuesi im kishte qenë spiun. Njihej si “njëmijë e dyqindeshi” – siç i quanin dikur. Ai që më jepte libra, më përgjonte. Ai që më ngriti në mësim, më dënoi për mbiemrin.
⸻
Këto janë kujtimet e fëmijërisë sime. E vetmja gjë që më ka mbetur, janë puthjet e Nënës sime dhe shkëlqimi i syve të saj – si rreze drite që ndriçojnë errësirën e asaj kohe. Si rruga e qumështit në qiell: sa më e errët nata, aq më shumë ndriçon.
K.Cekani
Burimi/Facebook/Kujtim Cekani


Leave a Reply