Sot paradite, teksa kontrolloja valët e “Top Albania Radjo, ndala befas në një lajm përkujtimor për të nderuarin Hary Fultz ,-ish themeluesin e Shkollës Tenike të Tiranës, që më pas do të quhej “Politeknikumi “7 Nëndori”. Në çast ”i ngrita veshët përpjetë”,-si ish maturant i kësaj shkolle në vitin 1956. E dinim se “ky amerikan i panjohur” e kishte themeluar i pari shkollën tonë, por nuk e thonin me “zë të lartë”, sepse shkolla qe “pagëzuar ndryshe” e neve na quanin “djemtë e Gjergj Cancos”, i cili e kishte mbaruar shkollën në Paris, me Enver Hoxhën! Dhe jo pak herë, i kujtonim me nostalgji , atje ku “bitisëm!”, në një “cep të Athinës, me ish shokun e kësaj shkolle Mihal Goga, teksa drejtimet e jetëve tona “u bënë rrokopujë” më mbrapa, njeri Mihal me sportin e Mihali tjetër me artin, por ama mbanim në mëndje, me dashuri mësuesit e ndritshëm të kësaj shkolle, Ing. Mekanik Marko Menehemin (nga Izraeli), Ing. Elektrik Xhepën, Prof. Petrikën e Matemtaikës nga Tirana e kështu me radhë.
Po ja që, emri i Amerikanit Hary Fultz nuk do të “shuhej” kurrë. Gjersa një ditë prej dite do të kthehej nga detyra e ti në Londër, Ambasadori ynë Mal Berisha (që e pata student dikur ne Akademinë e Arteve, në degën e Kulturës), i cili më dhuroi edhe dy libra të tij, për dy amerikanët e tjerë, para Fultzit: Sherles Telford Ericksion (1861-1966) dhe të Herman Bernstein(1867-1935), të cilët , jo vetëm e patën “gjezdisur” me këmbë vendin tonë, por e donin atë si vendin e veten e tyre, e dashuruan aq shumë, sa që, nuk do tingëllonte keq për t’i quajtur: “më shqiptarë se shqiptarët”! Sepse Ericksoni erdhi tek ne me këmbë që nga Struga, që në vitin 1908, jetoi midis nesh gjithë varfërinë, sëmundjet e privacionet e atëhershme, gjer edhe vdekjen e së shoqes, duke ngritë me parat e tij edhe “Shkollën Bujqësore “ të Kavajës (për djem e vajza”), shiritin e së cilës e preu Amerikani tjetër Bernstein , atëherë përfaqësuesi i parë e Shtetit të Madh në Shqipëri, njeri shumë i shquar: shkrimtar, poet, Kritikë Letrar, mik i afër i Ajnshtajnit dhe i tre Presidentëve Amerikan të asaj periudhe të errët.
Jeta e këtyre tre Amerikanëve të përkushtuar, la gjurmë të paharruara, dhe s’dihet a ka ndonjë bust të tyre në këto dy shkolla profesionale që përhapën “dritën e diturisë” dhe edukuan mijëra njerëz të teknikës, inginerisë, bujqësisë e të shkencave tona. Kur deviza a Hary Fultcit nga Çikagua e Amerikës, ishte vetëm kjo: “Përpiquni ta bëni Shqipërinë, një vend ku ja vlen të jetohet”. E jo pa të drejtë një gazetar i huaj do të shkruante se: “Prapa emrit të Bernsteinit fshihej e gjithë Amerika” për “ cepin e pa zbuluar të Evropës”.
Piqeras, më 11.06.2025



Burimi/Facebook


Leave a Reply