Dje, me datë 8 qershor, jetuam Solemnitetin e Rrëshajëve, pesëdhjetë ditë pas së Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit Shëlbues, që na bën të përkujtojmë e të rijetojmë ardhjen e Shpirtit Shenjt mbi Apostujt e dishepujt e tjerë, të mbledhur në lutje me Virgjërën Mari, në Çenakull.
Në Katedralen e Rrëshenit “Jezusi i vetmi shpëtimtar i botës” jehoi himni “Eja, o Shpirt i Shenjtë” me të cilin Kisha lëvdon Atin Qiellor dhe të cilin, ipeshkvi ynë, imzot Gjergj Meta, e thirri të vinte e të ndizte zemrat e atyre që morën sakramentin e Krezmimit, një dhuratë që e bën Krishtin të gjallë e veprues, me fuqinë e Shpirtit Shenjt.
Ipeshkvi, shërbyesi i drejtpërdrejtë i Krezmimit, e mbyll ritin me shenjën e paqes. Lutemi shumë që të gjithë ata që e kanë marrë atë bashkë me Shpirtin Shenjtë, t’ua japin edhe të tjerëve. Dhe me gëzim të madh, falënderojmë Hyjin për “gjymtyrët e reja, të gjalla” të trupit të Kishës! Falënderojmë shumë edhe katekistët për përgatitjen e tyre për marrjen e sakramentit të Përforcimit!
Siç tha edhe Papa Leoni XIV gjatë predikimit të tij në Vigjiljen e Rrëshajëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, në kuadër të Jubileut të lëvizjeve, shoqatave dhe bashkësive të reja: “Pagëzimi dhe Krezmimi, të dashur vëllezër dhe motra, na kanë bashkuar me misionin shndërrues të Jezusit, në Mbretërinë e Zotit. Ashtu sikurse dashuria na e bën të njohur aromën e një të dashuri, kështu edhe ne, këtë mbrëmje nuhasim te njëri-tjetri aromën e Krishtit. Është mister që na mahnit dhe na bën të mendojmë.”
I lutemi Shpirtit Shenjt për të sapokrezmuarit, për njetet e zemrave të besimtarëve tanë edhe për thirrje meshtarake e rregulltare në Dioqezën tonë të Rrëshenit.







Fotot nga Joni Doda
Burimi/Facebook


Leave a Reply