Jeta është e çuditëshme në kohë të vështira. Se, nganjëherë “bëhej shkas” për një lidhje fatlume dashurie, kur njerëzia trëmbeshin edhe prej saj. Rrethuar nga “syri i keq” dhe nga mungesa e lirisë.
Se, qe një here e një kohë, kur ne studentët e “Shkollës së Aktrimit”, kalonim “dorë më dorë” leximim e librit “Lulet e Mollës”, në një novelë të Xhon Gollsuorthit, mbi dashurinë e dy të rinjëve, që e kishte ende në dorëshkrim pedagogu ynë i Letërsisë Shqipe Nasho Jorgaqi, sepse trembeshim, nga që “dikush” e kritikoi në gazetë për “mospërputhje me moralin komunist”!. Ai kishte shkruar edhe novelën “Dashuria e Mimozës” dhe vinte tek ne, me një biçikletë të vjetër, gjithmonë elegant e i qeshur. Po mua më kishte mbetur në mëndje anglezi XHON, për forcën jetëdhënëse të dashurisë dhe, kur më dërguan në Teatrin Profesionist të Elbasanit, zgjodha të vija në skenë pjesën e tij “Kutia prej Argjendi”.
Më tërhiqte së tepërmi konflikti social, po edhe jeta e basifondeve ku do të”prehej” edhe një varfanjak si Xhounzi, që do ta lozte Demir Hyskja, po edhe “prezenca” e roli i një prostitute, interpretuesen e së cilës nuk e kisha në Teatër e më duhej ta kërkoja e ta merrja nga jeta.Po të tilla nuk mund të gjeje rrugëve! Dhe do të kërkoja gjithandejë ndonjë vajzë të hijshme, gjersa të ndalesha para një infermjereje të shkathët dhe të bukur që nuk kishte dalur asnjëherë në skenë, po që sytë i xixëllinin. I propozova ndërrimin e profesionit dhe rolin qe do të interpretonte. Qeshi me qesëndi, refuzoi në çast dhe pastaj tha se “Nuk kam ndërmend të mbetem pa u martue”! Ndofta edhe nga ajo “hija” e traditës, kur dalja e vajzave dhe e grave në skenë quhej si diçka “e pa moralshme” , aq sa edhe rolet e tyre i loznin burrat! Mirëpo atëhere nuk qe e lehtë të kundërshtoje një “lëvizje e tillë”, kur Teatri, si Institucion, nisi të quhej “Levë e Partisë” dhe kështu që, kjo infermjere, me emrin Shani Llangu, që s’kishte lozur kurrë në Teatër do të bëhej aktore e “Teatrit Profesionis”dhe do të lozte për herë të parë rolin e një prostitute angleze e të dhjetëra personazheve të tjera.
Po jo vetëm kaq. Nuk do të mbetej pa u martuar, sikundër e kishte “merakun”, po u dashurua menjëhere me aktorin, valltarin e prestigjatorin e Estradës, Florenc Shllakun, do të martohej dhe do të kishte me të dy djem si pëllumba, Aldon me Mikelin. Që sot janë artista shumë të njohur: Aldo në Holliwood,-kompozitor filmash dhe Mikeli në Kanada,si piktor e skenograf. Ndërsa Shanin do ta gjeja pensioniste në Elbasan, pas 60 vitesh, në jubileun e këtij Teatri, me të cilin nisi edhe jeta artistike e imja dhe e Shani Shllakut! U përlotëm të përqafuar që të dy, u fotografuam në atë fuaje Teatri të “Skampës ” të tejmbushur me artistë, që tashmë nuk na njihnin fare dhe u ulëm diku, të mbërrthyer nga nostalgjia e atyre viteve, kur artin e donim më shumë se vehten…
”A të kujtohet,-tha ajo e përhumbur,-kur të erdha në zyrë me gjithë Bert Ndrenikën dhe doja të sqarohesha përse ma jepje mua rolin e asaj vajze së përdalur dhe t’i më the se ajo qe një vajzë e mirë, e pafajshme, që ra viktimë nga braktisja e prindërve dhe e shoqërisë?!”.
Dhe Shani s’pushonte së foluri, duke rikujtuar rolin tjetër që i dhashë, tek drama e Hella Vuolijokut :“Justina”, shërbyesen zezake me shpirtin e bardhë, ku ajo do të kishte si partnere edhe dy aktore të tjera “nga rruga”, Xheko Koçin, në rolin kryesor të Justinës dhe të bijën e saj të vogël, që e lozre Raimonda Qirjazi. Duke interpretuar paralelisht me aktorët profesionistë! E kështu me rradhë, do të vazhdonte edhe me regjisorin Lec Shllaku: me Topsikun tek “Udha e Largët” e Arbuzovit, kur i gjithë Elbasani e thërrisnin në rrugë, vetëm me këtë emër, me Lirinë tek drama“Linda” e Xhemal Brojës, me partner Robert Ndrenikën, po edhe me ato dy rolet në të njejtën shfaqje të dramës së Thanas Borodanit “Udha e Zavalinajve”, Bardhën,-vajzën e shtëpisë, po edhe Korespondenten e gazetës…E do të vinte në repertorin e kësaj aktoreje edhe një rol klasik komedie, sikundër qe Beatriçia e “Shërbëtorit të dy Zotrinjve” të Karlo Goldonit. Duke aritur kështu edhe në kulminacimin e saj me rolin e Lules tek “Lulet e Shegës”, me të cilën shpërblehet me Diplomën e “Aktores më të Mirë”. Ajo, Infermjeria e dikurshme Shani Shllaku!
Me interpretime rolesh në vazhdim, ndër vite të ndryshme, ishte tepër e sigurtë si partnere, përbri Robert Ndrenikës, Shpëtim Shëmilit, Demir Hyskës, Thanas Borodanit, Haxhi Sejkos, Eduart Çalës e të tjerëve me rradhë. Pa ndonjë dallim nga shoqet e saj të skenës: Olimbi Bilali, Antoneta Kristo, Arta Luzi, Englanina Stefa dhe më pas me Veronikën e Teftën që vinin nga “Shkolla e Lartë e Aktrimit”, me talentin e saj organik. Kështu që, teatri u bë si shtëpia e saj dhe ajo u familjarizua me profesionin e ri…Duke u dashuruar aq shumë me personazhet , sa që të gjitha rolet i dukeshin të përafërt me vlerat e saj shpirtërore…Në interpretimet e aktores së re, ashtu të pa ndikuara nga “viruset teatrale”, si tek aktorët-fëmijë të regjisores Xhanfise Keko, të cilët nuk i njihnin aspak “shtampat”, zmadhimet e shtirjet, po edhe “lojën e ndjenjave”. Shania “pa shkollë aktrimi”, ishte vetvetja, më se e besueshme, në të gjitha rolet e saj, sikundër edhe në jetën reale, por në të tjera rrethana të mundëshme…Aktoren e lind jeta, po e bënë edhe Teatri…
Por, do të vinte viti 1991 e gjithëçka do të përmbysej. E do të hapeshin “udhë të panjohura”. Udha e parë ishte drejtë Greqisë, me të gjithë bashkë: me Florencin , Aldon, Mikelin dhe me personazhet e saj në zemër. Udha e dytë ishte drejtë Kanadasë në 94-ën, kur Aldos i dhanë një bursë studimi në Konservatorin e Mon Realit. Duke tejkaluar edhe dy dhimbje të mëdha shpirtërore: dy ikjet e të shoqit: e para, pushimin nga puna të Florencit si “njeri i deklasuar” në vitet 70 dhe, e dyta, me ikjen e tij nga jeta në vitin 2014, duke ia lënë asaj, mbi supet e brishta, hallet familjare e mirëritjen e të dy djemëve që kishin marë për mbarë. Të dy vëllezërit , tashmë artista të diplomuar, njëri kompozitor e tjetri piktor, do t’i përkisnin Kanadasë. Po Aldo zgjodhi për vete “udhën e tretë”, në drejtim të Los Anxhelos, ku e priste Holliwoodi… Ky djal i talentuar, me një karrjerë maramendëse në kryeqëndrën e Artit Botëror, është tepër modest e qëndron largë”zhurmës së vetvetes”, duke e kthyer kokën pas, në atë shkollën “Onufri” të Elbasanit, ku edhe hodhi “hapat e para”. Në një kohë,-thotë ai “kur nuk dinim asgjë se ç’kishte jashtë nesh dhe kur shihnim vetëm atë televizor me viza…, kur laheshim nën Urën e Shkumbinit…apo kur shkonim tek kinemaja e vjetër… Ndërsa tani, sa herë që vjen në qytetin e tij shehë edhe ndryshimin e rrugëve me xhama, zhvillimin e hovshëm, me “copëza jete” më ndryshe…, pa e harruar dhe brengën e të atit kur i kujtonin shpesh “biografinë e keqe” dhe u thoshte të dy djemëve që po rriteshin me sakrifica të mëdha se “s’kam ç’a baj për ju, me këtë biografi që kam!”. Talentin e pasionin mund ta kesh,-nënvizonte Aldo Shllaku në një intervistë të hershme, por nuk mundesh të “ecësh pa bërë punë të madhe me vetveten…Dhe mandejë, është puna që do të flas për ty!”. As rruga jashtë vëndit e të dy vëllezërve Shllaku, nuk qe e “shtruar me dafina”. Në një kohë prej 23 vitesh të përgatjes e të formimit artistik në Kanada, ku do të ndaheshin “udhët e jetës”! Mikeli në Kanada si Piktor Skenograf e Aldo në Amerikë, si kompozitor i filmit. Dikur kishte kompozuar dhe në vëndin e tij, disa këngë festivalesh, po edhe në filmin e Budinës “Agon”. Por Holliwoodi do të bëhej qëndra e punës dhe e vëmëndjes së tij, ku do të realizonte 6 filma me të njëjtët regjisor të njohur,me George Gallo dhe Ryuhej Katamura. Filmi i fundit: “Monopati i Kthimit”i shfaqur në Europë, ende nuk është dhën në Amerikë. Ndër ato filma të muzikuar prej tij do të rradhisnim filmin “SALONE” me Al Paçinon e Jessica Chaston (2013), “THE POISON ROSE” me John Travolta e Morgan Freeman (2019), “VANQUISH” me Morgan Freeman e Ruby Rose (2021) e tjerë…
“Si përfundim,-i them Shanit,-ja, se si u bë sebep ajo “Kutija prej Argjrndi “ që u vodh në shtëpinë e antarit të Parlamentit Britanik, Xhon Bartvik e që Xhon Gollsuorthi shkroi këtë vepër skenike komike, që regjisori i ri i asaj kohe, Miho Gjini, 60 vite më parë, të kërkonte për një rol infermjeren Shani, që ta sillte atë në Teatrin “Skampa”, ku do të njihej me bashkëshortin e saj, si dhe për të sjellë në jetë edhe këta dy artista të njohur, veçanërisht ALDO SHLLAKUN, artistin e kompozimeve të mëdha në Los Anxhelos, emri i të cilit shkruhet sot në titrat ballore të filmave të famshëm e në pllakatet e ndritshme, për artistët me namë të Globit…Qeshëm me gjithë zemër! Me lotë lumturie…Tek po festohej një Jubile i zhurmshëm e askush nuk na i “vuri veshin”!
Një vit më pas, e shkrova edhe librin e dyzetë, për aktorët tanë të “BREZIT TË TRETË”, e mba akoma në “SIRTAR”, në pritje të ndonjë sponsori dhe të vdekjes time të afërme. I jam drejtuar edhe shtatë bizesmenëve më të fuqishëm shqiptar, që nga fillimi i këtij viti,- për fatim tim të mbrapsht, kur edhe botimi i librave SOT është i pa përballueshëm! Dhe kjo aktore e talentuar, pjesëtare e po këtij libri, e prekur nga kjo mospërfillje, më shkruan me këto fjalë prekëse: “I dashur regjisori im! Botoje librin tënd, se edhe unë do paguaj diçka modeste. Ndodhem tani në Los Anxhelos, duke ecur në rrugët e një qyteti të bukur e të ngritur vonë, me shumë perspektivë. Gjithëçka me frymëmarrje. Pallatet pesëkatëshe nuk duken prej pemëve e parqeve me lule. Gjelbërim pa fund…Salla të shumta teatrosh, koncertesh e të Operas dhe Baletit, si edhe të kinemave të pa fundme. Diku aty, më duhet të ndalem para godinës së bukur të Teatrit Shekspirin, ku interpreton Nunaja e fëmijëve të tim biri,- një aktore e fuqishme e veprave tragjike të Kollosit të Rilindjes..Ja ku është aty afër, edhe ndërtesa shumë e njohur, ku ndahen Çmimet “OSCAR”…Gjithëçka është maramendëse, por kjo duket vetëm kur hypën më kodrinat përreth Hollivudit dhe syri përballet me këtë pamje mrekullie të artit e të ngritur nga njerëzimi i vonë, me durim, punë, art e perspektivë. Atje befasohesh jo pak , kur do të ndodhesh para bustit të aktorit të madh të viteve të para Zhejms Din (James Deen), që ndërroi jetë shumë i ri…Dhe “magjia e qytetit” vazhdon nëpër këto kodrina të buta, si një qytet tjetër më vete, me “Kopshte Zoologjike”, ku nuk mjafton një ditë për ta pare e shëtitur. Po me tram mundesh të shkosh në të gjitha zonat e kësaj mrekullie, për ta parë edhe “botën e kafshëve”: me majmunë, zebra, luanë,foka, flamingo e gjarpërinjë. Pa le, të mos gjesh edhe restaurante aq të shumtë, kur të merë uria, me artin e kulinarisë nga e gjithë bota. Pa le, të dalësh në brigjet e Oqeanit, në Beverli Hills e Mulibi, në ca vende të mrekullueshme. Gjerësa të të rrëmbejë trishtimi, teksa do ecësh me kujdes në “Bulevardin e YJEVE”, me ndrojën e kujdesin njerëzor që të mos “i shkelësh!”. Aty afër, në një shtresë betoni, janë fiksue edhe gjurmët e duarve të artistëve të famshëm. Të prekë shumë kjo përkujdesje e respekt i lartë për artistët, tek të cilet madhehtia është e barabartë me thjeshtësinë e tyre. Këtu artisti është personi më i vlerësuar e më i paguari….Dridhem kur kujtoj se ne aktorët e rinjë u mplakëm në Teatër e disa prej nesh e patën jetën e shukurtër, si ai Leko Prodani që vdiq në skenën e Korçës duke lozur dhe Eduard Çala ynë,-i mërguar në Itali dhe që t’i shkrove për ta homazhe me përkushtim,- si njëri nga tre kritikët aktiv që mezi u kemi! Ç’mund t’u shkruaj ma tepër, kur unë do të festoja 75 vjetorin e lindjes time dhe do të më vinin edhe dy kartolina urimi prej dy YJEVE të sotme të Hallivudit , prej aktorëve të mëdhenjë Al Paçino e Morgan, me të cilët bashkëpunon edhe im bir, si kompozitor i filmave të tyre. Për mua këto janë kujtimet më të bukura, sepse e ndjej BOTËN më pranë vetes….Po, mos u mërzisni, regjisori im i nderuar, se gjersa “të hap siparin” Festivali Botëror i Adonis Filipt në Teatrin tonë “SKAMPA”, mbase do të përgjigjet ndonjë nga ata shtatë pasanikët tonë, të cilët se kanë për gjë “mbështetjen” e një libri për ne ,si të ishte “një kunjë shkrepëse”. Ti i nderuar Miho , je një NJERI që ke dhënë shumë. Unë kam respekt për JU, që lodhesh aq shumë për ne….Të urojë ditë e vite të tjera të mbara dhe të bukura. SHANI SHLLAKU,-ajo infermjerja që t’i e prure në Teater dhe u mplakë po aty…Të përqafoj. Los Anxhelos, 10 maj 2025”
Le të presim, le të presim e dashur SHANI, gjersa të mbyllet edhe “sipari i një jete!”
Nga libri (ende në sirtar): “BREZI I TRETË I AKTRIMIT”
PIQERAS, më 8. qershor 2025


Burimi/Facebook


Leave a Reply