Para disa ditesh më ndodhi diçka që nuk mund ta heq dot nga mendja. Tek hyrja e Konservatorit ku jap mesim po më priste një zonjë me të bijën. Vajza ishte rreth pesë vjeçe. Quhej Alba. Ishte aq e bukur sa dukej sikur kish dalë nga pikturat e Rafaelit. E ëma më tregoi se Albës i pëlqente shumë violina dhe, prej kohësh, nuk kërkonte gjë tjetër veç të mësonte të luante në violinë. E adhuronte këtë instrument me gjithë shpirt. Une i thashë se nuk kish kurrfar problemi dhe se që tani, mund të fillonte pak nga pak të ushtrohej me një violinë të vogël.
“Por, – vazhdoi e ëma, vajza ka një problem… ajo nuk dëgjon”.
Ngriva. Gruaja, kur pa reagimin tim më kërkoi që, të paktën, të luaja për Albën diçka në violinë. Luajta një fragment nga Mozarti dhe fytyra e Albes ndryshoi. O Zot, çfarë buzëqeshje! Ǩlumturi! Por nuk e kuptova çfarë dëgjoi ajo nga bota e saj e heshtur?! Vibracione? Nuk e di. Pastaj Alba më kërkoi të provonte të luante edhe ajo. I vendosa violinën në qafë dhe filloi të lëvizë harkun ngadalë mbi tela për disa minuta. Papritur ndaloi sepse i dridheshin duart. “Atëhere? – më pyeti e ëma, a mundeni t´i mësoni Albës violinën? Ju lutem!”. Unë u mata t´i them “Më vjen keq por…” ndërsa me një zë që nuk e njoha, sikur dikush tjetër u përgjegj për mua, i them “Po…patjeter!”. Në atë moment, sytë e Albës shkëlqyen me një dritë që kurrë nuk e kisha parë ndonjëherë. M’u hodh në qafë e më perqafoi gjatë…
Kur u larguan, ndenja një copë herë pa levizur.
Unë nuk e di nëse Zoti ekziston apo jo. Por për një gjë isha i sigurtë, Engjëjt ekzistojnë! Kam takuar shumë prej tyre në jetën time. Dhe njeri nga ato më kërkoi sot t´i mësoja violinën…
———-
Florian Vlashi
Burimi/Facebook/Elona Caslli


Leave a Reply