Libri i ri monografik “Familja Rrugeja dhe lëvizja demokratike e vitit 1990 në Kavajë “ i autorit
Rexhep Rrugeja i sjell lexuesit një mori ngjarjesh, duke i ndërlidhur këto me veprimtarinë e familjes Rrugeja shekuj më parë, por dhe me ngjarjet kryesore të lëvizjeve demokratike të ndodhura
në Kavajë në vitin 1990. Shkrimtari Rexhep Rrugeja i ka dhënë kulturës shqiptare katër vepra të rëndësishme, të cilat i përkasin demonstratave të zhvilluara në Kavajë në vitin 1990. Për kontributet e çmuara në qytetin e Kavajës dhe në Shqipëri është vlerësuar me disa çmime nderi.
Rexhep Rrugeja me punën e tij të gjërë shkrimore e dokumentare ka zbuluar një pjesë të madhe të historisë së familjes së tij para dy shekujsh. Autori duke qenë protogonisti kryesor i ngjarjeve historike të lëvizjeve demokratike të ndodhur në Kavajë në vitin 1990, për 35 vite me radhë ka gërmuar në kujtesën popullore dhe në arkivat e shtetit, dëshmi e dokumente autentike të cilat përbëjnë një pasuri të madhe jo vetëm për qytetarët e Kavajës por për të gjithë shqiptarët. Autori në librin e tij monografik ka përmbushur një obligim intelektual e kombëtar duke çuar në vend amanetin e të parëve të tij që historia e familjes Rrugeja dhe ngjarjet e 90-tës, të mos mbeten vetëm objekt gojëdhënash e legjendash nëpër ambjente të ndryshme, por t’i botojë ato duke i shoqëruar me dokumente origjinale. Autori, gjithmonë në zemër ka pasur një detyrim profesional dhe shpirtëror ndaj vendlindjes së tij:
-Të shkruaj saktë e drejt historinë e lëvizjes demokratike të vitit 1990 në Kavajë, pasi dihet nga të gjithë që kjo histori është e deformuar qëllimisht nga njerëz të pandërgjegjshëm dhe nga politika e korruptuar 35-vjeçare shqiptare. Për çudi edhe sot, Bashkia e Kavajës, në vend të datës simbolike të 25 marsit përkujton si ditën e Kavajës 26 marsin. Me të gjitha përpjekjet e mëdha të familjes Rrugeja për të vendosur drejtësi që kavajsit të përkujtojnë dhe të festojnë si ditën e Kavajës 25 marsin, pushteti qendror dhe ai lokal nuk kanë marë asnjë hap për të njohur këtë datë si dita e Kavajës. Ngjarjet e lëvizjeve demokratike në Kavajë që sot konsiderohen simbolike dhe meritat e çmuara të popullit liridashës të Kavajës, politika 35- vjeçare i shpërfilli duke i lënë në harresë. Qytetin e Kavajës e transformuan në një fshat duke i hequr të gjitha institucionet e larta e duke i coptuar trojet. Në këtë libër monografik padyshim që duhet vlerësuar dhe puna e përbashkët e familjes Rrugeja. Pena ime e artë bashkë më mendjen e ndritur të motrës sime Anxhelës i japin gjallëri librit, pasi me poezitë e krijuara nga ne, lartësojmë veprën e madhe që ka dhënë familja Rrugeja jo vetëm në ardhjen e demokracisë në Shqipëri, por dhe në fusha të ndryshme të saj. Poezitë flasin për nënat tona duararta, për mësuesit tanë të nderuar, Kosovën, ish të përndjekurit politik, Çamërinë,
luftëtarët trima, dëshmorët që dhanë jetën e tyre për lirinë e Atdheut etj figura të çmuara. Pena jonë shumë herë vajton, godet ashpër diktaturën e shkuar dhe atë që po jetojmë sot. Edhe sot shqiptarët debatojnë se diktatura komuniste nuk ka rënë! Shqipëria ishte vendi i fundit në kampin lindor që u nda me diktaturën komuniste pa gjakderdhje. Gjatë këtyre 35 vitëve kemi vënë re që populli shqiptar u vra për të dytën herë pasi në pushtet pas 1990 ishin po ata njerëz që i kishin shërbyer diktaturës komuniste. Ligjet e tyre ishin qesharake por dhe të dëmshme për popullin. Ato i shërbenin qeveritarëve. Ligji famëkeq 7501 është një ligj i padrejtë i shpikur nga diktatori Ramiz Alia, ligj i cili nuk u ndryshua dhe vazhdon të jetë në fuqi edhe sot. Ai bie në kundërshtim të hapur me angazhimet dhe detyrimet e Shqipërisë para Këshillit të Europës si dhe është në kundërshtim të plotë me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Ky ligj është antikushtetues ku shihet qartë vjedhja e tokës. Krimet e komunizmit nuk u dënuan, dosjet e spiunëve nuk u hapën dhe shumë dokumente u fshehën e u dogjën. Në këtë libër monografik autori në bashkëpunim me familjen e tij arritën të vendosin një urë komunikimi me brezat e rinj në mënyrë që kjo histori e shquar të njihet e të nderohet edhe më shumë. Një ndihmesë të madhe në këtë libër ka dhënë dhe nëna ime, mësuese Blerta, e cila ka treguar vlerat e saj profesionale duke e siguruar librin që përmbajtja të jetë e qartë, e saktë dhe e përputhshme me standartet e botimit.
Gresilda Rrugeja.





Burimi/Facebook


Leave a Reply