Mos u tremb nga vitet që rrinë si pluhur mbi supe! Ato nuk janë gjë tjetër veçse hije të kohës, drith i vjetër në samarin e një kali të lodhur, që pret të shkarkohet te mulliri i ujit. Shkarkoi pra edhe ti, barrët e padukshme që të rëndojnë mbi ballë, hudhi n’ujë sa herë t’i afrohesh çezmës e pasqyrës.
Hesht! Dëgjo!
A nuk e ndjen fëshfërimën e hijeve që të mbështillen rreth qafës? Janë netët pa gjumë, janë mendimet e shkrira në rrudha të thella. Shko te pasqyra dhe sfidoji!
Merr briskun dhe lëshoje mbi lëkurë, sikur të ishe një skulptor që gdhend kohën mbi fytyrën e vet. Me shkumë sapuni mbyti thinjat që janë shtrirë si bora në kreshtën e malit. Me tehun e briskut pre fijet e pabindura në zgavrat e hundës, në shpellat e veshëve—gjurmë të heshtura të një moshe që përpiqet të të robërojë. Shkul hithrat e padukshme dhe lejo lëkurën të marrë frymë!
Shiko sa mirë të rrinë rrudhat mbi ballë, si harta të një rruge të kaluar. Mos numëro stinët që kanë rënë mbi musteqet e tua, mos e kujto borën që të ka mbuluar flokët! Shiu ka gërryer kreshtën e malit, por mali ka mbetur!
Shikoje veten në pasqyrë!
Mos i ik hijes tënde, mos e ul shikimin para saj!
Ajo ka pritur gjithë natën në errësirën e dhomës, në heshtjen e përjetësisë. Buzëqeshi! Ajo është shëmbëlltyra jote e dytë, hija jote e pavdekshme, ajo që të ndjek kudo por kurrë nuk të gjykon.
— Mirëmëngjes, fisnik! — thuaji hijes që të shikon nga pasqyra.
“Cili duket më i vërtetë: unë që flas apo ti që vështron e s’flet?”
Freskoje fytyrën me ujin e perëndisë! Laje me sapun trendafili, që t’i largosh skllibat e natës dhe ëndrrat që të kanë shtrënguar gjoksin. Mos dil në rrugë me gjurmë pagjumësie mbi sy! Ata që të shohin, mezi presin të ta drejtojnë gishtin dhe të pëshpëritin:
— Ky s’i përket kësaj bote! Ky e ka kaluar ylberin e shiut pranveror!
Por ti je ende këtu! E ty të zgjon drita, jo errësira! Je gjallë, dhe kjo është mrekullia!
Shiko hijen tënde!
Bebëzat e syve janë pasqyrë e shpirtit.Nëse ai është i vrarë, bebëzat janë të rrudhura, të mjegullta. Nëse ai është i qetë, ato hapen si petalet e një luleje pas shiut.
Hapero drejt pragut, por kurrë mos dil mes njerëzve pa shkëlqimin e syve!
Mos u dëshpëro nga vitet!
Ato janë vetëm barrë drithi që duhen shkarkuar, te një mulli që bluajti pluhurin e kohës! Zgjidhe dhe ti mullirin tënd, pasqyrën tënde dhe shkarkohu!
– Oh, sa i bukur dukesh kur bebëzat të shndrisin dhe këmbët ta nxjerrin trupin jashtë pragut!
20.03.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply