Kur të ikë terri i natës, vë krahëve pallton e vjetër dhe dil në ballkon. Thithe krejt oksigjenin e mundshëm të atij mëngjesi dhe falenderoje yllin e dritës, që s’të mori nata që iku!
Mbase fresku do t’i therë mushkëritë dhe kolla do të të ngacmojë, por s’ka gjë! Le ta marrin vesh komshinjtë se ia hodhe natës, dita zbardhi edhe për ty, dhe mbase do ta hashë edhe drekën, edhe darkën. S’do t’u plotësohet dëshira atyre që prisnin ta shihnin fletëmortin tënd në pemët e qytetit.
Ngrihu nga shtrati, se nuk je çun që e rrit gjumi, je plak që po t’ikin netët, ditët, javët…ngrihu! Dil nga strofulli dhe mos lejo të të soset jeta si korbit. Prishjua gjumin edhe komshinjve me kollën e thatë dhe kënaqu duke parë lindjen e diellit, fluturimin e zogjve e lutu që t’mos jetë i fundit!
– Shiko si pikojnë vesë gjethet e pemëve dhe prit që rrezet e para të diellit të të përkëdhelin fytyrën. Shih pëllumbat teksa zbresin në tokë për të mbushur gushat me thërrime buke dhe jeto me ato që të shohin sytë.
— Shpendët zgjohen herët, bëhu edhe ti shpend! Fluturo shtigjeve në kërkim të një grimce lumturie dhe ik vetmisë! Shko larg ku s’të gjenë pikëllimi e s’të shlyen harresa.
Nëse i dëgjon daullet, bëhu kurreshtar: cili nga komshinjtë po marton djalin apo vajzën?
Nëse sheh një karrige me peshqirin e bardhë në hyrje të pallatit, mundohu të mësosh se cili nga komshinjtë paska vdekur.
– E paska marrë nata një të vjetër si puna jote, ndaj veshe një setër, një palë pantallona të hekurosura, një palë këpucë me toja dhe shko: në dasmën e njërit, dhe shko në varrimin e tjetrit!
Në të dyja rastet, mbaje veten—mos u gëzo shumë dhe mos u pikëllo tepër, se vetëm njëra nga këto është duke të pritur ty!
Zgjohu kur zogjtë zbresin nga degët dhe kur gjethet pikojnë vesë. Mos provo të mësosh; – kë e mori nata dhe kë do ta martojë dita, se ti je në udhëkryqin e jetës dhe nuk dihet cilës rrugë do të nisësh e cilës s’do të kthehesh kurrë më!
Eppingen,16.03.2025
Burimi/Facebook


Leave a Reply