Një demokrat i flaktë dhe kritik i ashpër i regjimit Rama:
⸻
Alb Media: Z. Pacuku, ju keni një histori jete që përfshin periudhën e vështirë të diktaturës, emigrimin dhe angazhimin politik. Le të nisim me rrënjët tuaja. Ju vini nga një familje me histori të rëndësishme në Mirditë. Çfarë mund të na thoni për origjinën tuaj dhe ndikimin që ajo ka pasur në formimin tuaj?
Genc Pacuku: Unë kam lindur më 11 qershor 1970 në fshatin Jezull të Bajrakut të Kthellës në Mirditë. Familja ime ka qenë bajraktare, dhe kjo automatikisht na e vendosi mbi supe peshën e përndjekjes nga regjimi komunist. Të parët e mi kanë qenë bajraktarë të Kthellës, një krahinë me tradita të forta dhe qëndresë të pashoqe. Duke qenë nga një familje me këtë histori, ne u etiketuan si armiq të regjimit.
Babai im u arrestua në vitin 1981, kur unë isha vetëm 11 vjeç, dhe u dënua me 17 vjet burg për agjitacion e propagandë. Kjo ishte një goditje e rëndë për familjen tonë. Kjo periudhë më mësoi shumë rreth padrejtësive dhe shtypjes së regjimit komunist, gjë që më formësoi si individ dhe më forcoi bindjet e mia politike.
⸻
Alb Media: Si ishte fëmijëria dhe rinia juaj nën regjimin komunist? A keni hasur vështirësi në arsim apo në përfshirjen në jetën sociale të asaj kohe?
Genc Pacuku: Shkollën fillore dhe 8-vjeçare e kam ndarë mes Rrëshenit dhe fshatit Tarazh, që atëherë ishte qendra e kooperativës. Gjimnazin e përfundova në Rrëshen në vitin 1988, por regjimi më mohoi të drejtën e studimit të lartë për shkak të biografisë sime.
Ishte një periudhë e rëndë. Unë isha i vetëdijshëm që mundësitë për një jetë të mirë ishin të kufizuara për ne që vinin nga familje të shënjestruara. Nuk kisha të drejtë të vazhdoja universitetin, ndaj u detyrova të punoja në fermë deri në rrëzimin e diktaturës.
⸻
Alb Media: Pas rënies së regjimit, ju vendosët të emigroni. Çfarë ju shtyu drejt emigracionit dhe si ka qenë rrugëtimi juaj jashtë Shqipërisë?
Genc Pacuku: Pas viteve ’90, Shqipëria po kalonte në një fazë tranzicioni të vështirë. Pas shumë sakrificave dhe përpjekjeve, në vitin 1995 u vendosa si emigrant i përhershëm në Kretë, Greqi, ku jetova dhe punova deri në vitin 2020. Për ne emigrantët shqiptarë, vitet e para ishin tepër të vështira.
Në Greqi, përveç punës dhe përpjekjeve për të mbajtur familjen, angazhimi im nuk u kufizua vetëm te jeta personale. Kam qenë kryetar i një shoqate të shqiptarëve, dhe së bashku me disa patriotë të tjerë, arritëm të hapnim një shkollë shqipe për fëmijët e emigrantëve. Ishte e rëndësishme për ne që brezi i ri të mos humbiste gjuhën dhe identitetin kombëtar.
Në vitin 2020 vendosa të emigroj në Mbretërinë e Bashkuar, ku vazhdoj të jetoj dhe punoj në Londër. Këtu aktiviteti im politik është rritur ndjeshëm.
⸻
Alb Media: Keni qenë anëtar i Partisë Demokratike që nga viti 1991 dhe keni vazhduar të jeni aktiv edhe në emigracion. Çfarë ju tërhoqi drejt PD-së dhe si e shihni sot këtë parti?
Genc Pacuku: Unë jam anëtarësuar në Partinë Demokratike që në fillim të vitit 1991, sepse ajo përfaqësonte shpresën për ndryshim, lirinë dhe fundin e diktaturës. Gjatë gjithë këtyre viteve kam mbështetur këtë parti, edhe kur ndodhesha në emigracion.
Megjithatë, unë jam një demokrat i flaktë, por edhe një kritik i ashpër. Nuk mund të hesht kur shoh që PD-ja nuk po arrin të mbajë qëndrimet e forta që duhet të ketë një parti opozitare. Kam qenë dhe jam kundër çdo forme të shkeljes së parimeve të demokracisë dhe lirisë.
⸻
Alb Media: Ju jeni shumë kritik ndaj qeverisë Rama. Çfarë mendoni se është problemi më i madh i kësaj qeverie?
Genc Pacuku: Qeveria Rama ka kaluar çdo limit të negativitetit, madje deri në tradhti kombëtare. Kjo qeveri ka shkatërruar demokracinë, ka instaluar një regjim autokratik dhe ka larguar mbi gjysmë milioni shqiptarë nga vendi. Kjo është katastrofë kombëtare!
E keqja më e madhe është se kjo qeveri ka futur Shqipërinë në një rrugë të errët, ku korrupsioni, oligarkia dhe kapja e shtetit janë bërë sistem. Mendoj se si emigrantë kemi detyrimin të mos qëndrojmë indiferentë. Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë, për një ringritje të demokracisë dhe për një ndryshim rrënjësor.
⸻
Alb Media: Si e shihni rolin e diasporës në politikën shqiptare? A duhet të jenë më aktivë emigrantët?
Genc Pacuku: Absolutisht, po! Emigrantët janë një forcë e madhe ekonomike dhe intelektuale që Shqipëria nuk duhet ta injorojë. Ne nuk jemi thjesht dërgues remitancash; ne jemi qytetarë shqiptarë dhe kemi të drejtën të japim mendimin dhe kontributin tonë.
Për këtë arsye, unë kam rritur aktivitetin tim politik dhe kam bërë gjithçka që të angazhoj më shumë shqiptarët e Londrës dhe jo vetëm. Diaspora duhet të ketë një zë të fuqishëm dhe të ndihmojë në rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe dinjitetit kombëtar.
⸻
Alb Media: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët, si në Shqipëri ashtu edhe në diasporë?
Genc Pacuku: Mos heshtni! Shqipëria është në një situatë kritike dhe çdo shqiptar, brenda apo jashtë vendit, ka një detyrim moral dhe kombëtar për t’u angazhuar. Nuk mund të lëmë vendin tonë në duart e një regjimi që po e shkatërron.
Unë do të vazhdoj të luftoj për një Shqipëri të lirë dhe demokratike. Është koha që të gjithë të bashkohemi dhe të marrim në dorë fatin e vendit tonë.
⸻
Alb Media: Faleminderit për këtë intervistë të detajuar dhe të drejtpërdrejtë!
Genc Pacuku: Faleminderit juve për hapësirën! Shqiptarët duhet të dëgjohen dhe të veprojnë!
Përgatiti: Koja Leonard:
Burimi/Alb Media


Leave a Reply