Mbrëmë, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak në Shkodër, për ata që e ndoqën, ishte e pamundur të mos vihej re një lloj kompleksi dhe pasigurie nga ana e administratës së Bashkisë së Shkodrës në lidhje me çështjen e një rregulloreje formale që do të hapte rrugën edhe për vendimin e vendosjes ose jo të bustit të propozuar të Lek Dukagjinit.Administrata dukej qartësisht e papërgatitur për faktin se çështja mund të kalonte menjëherë me votat e këshilltarëve bashkiakë në mënyrë unanime. Për disa muaj, dukej se ajo nuk kishte marrë as mundimin të korrigjonte defektet e konstatuara në mënyrën e të shkruarit të rregullores. Kur një prej këshilltarëve propozoi që rregullorja të kalonte pavarësisht mungesës së reflektimeve, për të mos penguar vendimin për bustin, dhe propozimi u pranua menjëherë nga të tjerët, kjo dukshëm shkaktoi turbullira dhe nervozizëm në radhët e administratës së bashkisë.
Duket se ekzistojnë disa komplekse të brendshme. Titullari i Bashkisë nuk jep përshtypjen se është gati të marrë një vendim të tillë, veçanërisht në prag të fushatës elektorale, ndoshta nga frika se çështja prek ekuilibra të caktuar fetarë, kulturorë dhe krahinorë.
Megjithatë, vendimmarrja është një detyrim dhe përgjegjësi e titullarit, qoftë edhe për vendin se ku, që është një pikë delikate. Shpresojmë që vendimi të jetë i qartë dhe të mos bazohet mbi kalkulime elektorale apo numra votash, por mbi vlera të mirëfillta historike-kulturore, meritokraci dhe dinjitet.
Foto: Lekë Dukagjini, portret nga Simon Rrota
Burimi/Facebook/Shkodra Elektronike Kulture


Leave a Reply