Në një kohë kur bota ecën përpara me ligje dhe rregulla, në vendlindjen tonë, në zemër të Kelmendit, po ndodh një padrejtësi e rëndë që nuk mund të heshtet. Nuk është thjesht një çështje prone apo burimi uji. Kjo është një dhimbje shekullore, një histori e vuajtjeve, një tradhti ndaj sakrificës dhe gjakut të derdhur për atë tokë.
Gëzim Kol Gjelaj, një shqiptar i ndershëm dhe i përkushtuar ndaj rrënjëve të tij, ka 18 vite që jeton në Torino të Italisë, i larguar nga fshati Vukël i Kelmendit së bashku me familjen, për të ndërtuar një jetë më të mirë. Arsyet e largimit të tij janë ato që për fat të keq kanë detyruar shumë të tjerë të lënë trojet e të parëve: mungesa e dritave, arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, punësimit dhe dinjitetit. Shqipëria, e cila duhej të ishte shtëpia e bijve të saj, i ka braktisur ata, duke i detyruar të marrin rrugët e botës.
Por edhe largimi nuk i ka shpëtuar ata nga padrejtësia dhe grabitja. Një ditë, Gëzimi merr një mesazh nga vendlindja. Atij i bëhet e ditur se dikush ka marrë iniciativën për të rrëmbyer burimin e ujit që gjendet në tokën e tij, një burim që ka funksionuar për mbi 600 vjet dhe ka shërbyer për mullirin e bluarjes së misrit dhe grurit për tre fshatra: Vukël, Nikç dhe Kozhnje. Dhe çfarë është më skandaloze, kjo bëhet në mënyrë të fshehtë, pa asnjë dokumentacion zyrtar, pa asnjë njoftim ligjor, por me mentalitetin e të fortit që mendon se mund të shkelë mbi djersën dhe historinë e një familjeje të tërë.
PRONË QË KA MBIJETUAR SHEKUJVE
Ky burim uji, që mban emrin e të ndjerit Ndua Gjergj Prela (Gjelaj), nuk është një pronë e zakonshme. Ai është trashëgimi brez pas brezi, një pjesë e shpirtit dhe historisë së familjes Gjelaj. Në atë tokë gjendet mulliri dhe gatri, të cilët janë pronë e Gëzim Kol Gjelaj dhe kushërinjve të tij, Vladimir Fran Gjelaj dhe Nikolin Fran Gjelaj. Kjo nuk është thjesht një çështje ekonomike, por një përpjekje e qëllimshme për të fshirë gjurmët dhe historinë e kësaj familjeje, për t’i zhdukur ata nga toka e tyre, ashtu siç u zhdukën në komunizëm.
Dhe këtu vjen padrejtësia e dytë, më e tmerrshme dhe më e pamëshirshme. Nuk është hera e parë që kjo familje përndiqet dhe përpiqen t’i fshijnë gjurmët e saj.
PERSEKUTIMI I NJË FAMILJEJE TË LAVDISHME
Në vitin 1948, Ndua Gjergj Prela (Gjelaj) u arratis nga Shqipëria dhe përfundoi fillimisht në ish-Jugosllavi e më pas në Amerikë. Ai iku i vetëm, duke lënë pas nënën, gruan dhe tre fëmijët e mitur. Ai ëndërronte t’i merrte me vete një ditë, por nuk pati mundësi, sepse regjimi komunist nuk i fali guximin e tij për të kërkuar lirinë.
Vetëm tre ditë pas arratisjes së tij, komunistët hakmerren mbi familjen e tij: i marrin dhe i internojnë në Tepelenë. Aty ku ferri komunist ka shuar jetën e mijëra shqiptarëve, aty ku fëmijët vdisnin nga uria dhe të moshuarit nga sëmundjet. Në këtë kamp vdiq nëna e Ndout në moshën 75-vjeçare, ndërsa gruaja e tij ndërroi jetë vetëm 28 vjeçe, duke lënë tre jetimë në mëshirën e fatit. Dhe as sot e kësaj dite nuk dihet se ku prehen eshtrat e tyre.
Tre fëmijët e Ndout u kthyen në Vukël dhe u rritën aty, por jeta e tyre ishte e mbushur me vuajtje. Edhe ata tashmë janë ndarë nga jeta, por vuajtjet nuk përfundojnë me ta. Tani, kur historia e tyre duhej të nderohej dhe të respektohej, dikush tjetër kërkon t’u marrë edhe atë që u ka mbetur: tokën dhe burimin e ujit.
A e kuptoni sa e rëndë është kjo? Një familje që i mbijetoi komunizmit, që i mbijetoi internimit dhe terrorit, tani duhet të përballet me një padrejtësi tjetër në vitin 2025, kur ne supozohet të jetojmë në një shtet demokratik.
PRONAT JANË TË SHENJTA – SHQIPTARËT NUK DO TË HESHTIN
E gjithë kjo është një grabitje e pastër, një provokim i rëndë ndaj dinjitetit të një familjeje të nderuar, e cila ka derdhur djersë dhe gjak për këtë tokë. Askush nuk ka të drejtë të prekë pronën e tjetërkujt, askush nuk ka të drejtë të marrë një burim uji që është përdorur për shekuj nga tre fshatra dhe të vendosë tuba pa leje, pa dokumente, pa asnjë konsultim.
Kushdo që po e bën këtë gabim, duhet ta dijë se po futet në një rrugë të rrezikshme. Asgjë nuk kalon pa përgjigje. Nëse dikush mendon se mund të shkelë mbi historinë, mbi pronën dhe mbi të drejtën e familjes Gjelaj, ai gabohet rëndë.
Kjo nuk është thjesht një çështje personale, por një çështje që prek gjithë Kelmendin dhe të gjithë ata që besojnë tek drejtësia dhe e drejta e pronës. Sot është Gëzim Kol Gjelaj, nesër mund të jetë dikush tjetër. Nëse lejojmë që këto padrejtësi të ndodhin, atëherë kemi humbur gjithçka.
Prandaj, u bëjmë thirrje të gjithë kelmendasve, të gjithë shqiptarëve të ndershëm, të mos heshtin. Sepse e drejta dhe historia nuk mund të fshihen me një tub uji. Dhe mbi të gjitha, ne nuk jemi të vdekur.
Ne jemi gjallë dhe do t’i dalim për zot tokës dhe pronës sonë, ashtu siç bënë të parët tanë me gjak e sakrificë.
MOS E PREKNI PRONËN E HUJ!!…
Mark Luli Gjelaj…
Nënkryetar i këshillit të bashkisë- Malsia e madhe…
Burimi/Facebook


Leave a Reply