Njerëzit shpesh i lidhin stinët me kujtime, me momente të gëzueshme a të trishta, me rikthime e largime, me ngrohtësi e ftohtësi, me ngjyra e zymtësi. Por për mua, çdo stinë është një mungesë e re, një zbrazëti që zgjerohet, një dhimbje që nuk shteron. Nuk ka ndryshim mes dimrit e pranverës, mes verës e vjeshtës – të gjitha mbartin një hije që nuk largohet, një boshllëk që nuk mbushet. Dhe kështu, çdo vit ndjej se humb diçka tjetër, diçka që ndoshta nuk e kam pasur asnjëherë plotësisht, por që e ndieja pranë.
Dimri vjen i ftohtë, jo vetëm jashtë, por brenda meje. Sjell erën e duarve të zbrazëta, të atyre netëve ku ftohtësia nuk është thjesht një ndjesi fizike, por një gjendje e shpirtit. Çdo kristal bore që bie në tokë është një kujtim që më ngurtëson edhe më shumë. Netët e dimrit janë të gjata, dhe errësira nuk ka fund. Ajo rri aty, përqark meje, si një praninë e heshtur që s’do të largohet. Po ta dëgjosh me kujdes, në erën e akullt ka zëra – të shkuarës, të ëndrrave që u thyen, të njerëzve që më mungojnë. Dhe unë e di që në këto netë, diku, ti po ecën nëpër një tjetër qytet, me frymën që lëshon avuj të lehtë në ajrin e ftohtë, me hapat që nuk më çojnë më tek unë.
Pranvera, ajo që duhet të sjellë rilindje, tek unë sjell vetëm kujtimet e premtimeve që nuk u mbajtën. Një botë e tërë zgjohet, çel, lulëzon, ndërsa unë ngelem i ngujuar në të njëjtën pritje. Petalet bien mbi supet e mia, të bardha si fjalët që dikur i thoshe, si ëndrrat që nuk i arritëm kurrë. Era e luleve nuk më mbush me shpresë, por më mbush me pyetje. Si mundet që natyra të vazhdojë përpara, të lulëzojë, të rindërtohet, kur unë ndjej vetëm një boshllëk gjithnjë e më të thellë? Çdo degë që mbushet me jeshillëk më kujton se koha nuk ndalet, se bota nuk ka ndërmend të ndalojë për trishtimin tim, dhe kjo më bën të ndihem edhe më i humbur.
Pastaj vjen vera, me zhurmën e qyteteve që më janë bërë të huaja, me rrugët që nuk më presin më. Vera është stina e jetës, e zhurmës, e njerëzve që ecin krah për krah, të mbushur me dritë, të etur për diell e për dashuri. Por unë e di se dielli s’më ngroh kur mungon ti. Shëtitjet e gjata në mbrëmje më duken bosh, si të ecësh në një rrugë ku çdo derë është e mbyllur, çdo dritare është pa dritë. Dhe netët e verës, ato që duhet të ishin të mbushura me lumturi, janë të heshtura për mua. Qielli është plot yje, por asnjë prej tyre nuk ndriçon rrugën që më çon tek ti.
Dhe vjeshta, ah, vjeshta! Stina e humbjes, e largimit, e rënies. Stina kur gjethet bien pa pyetur nëse rrënjët mund të mbijetojnë pa to. Një e nga një, fjalët, kujtimet, shpresat, bien në tokë si gjethet e verdha, duke krijuar një shtresë të trashë dhimbjeje që kërcet nën hapat e mi. Sa më shumë ec, aq më shumë kuptoj se çdo humbje që kam ndier ka lënë gjurmë tek unë, se jam bërë një pemë e zhveshur, që nuk e di nëse do të ketë më një pranverë tjetër. Në ajrin e vjeshtës ka një trishtim që më shtrëngon, një ndjenjë e pashmangshme që gjithçka është duke u larguar, duke u shuar.
Dhe kështu, çdo stinë më ndan nga bota një udhë me kilometra vetmi. Një rrugë që zgjatet e zgjatet, pa dritë në fund, pa hapa të tutë që më presin në anën tjetër. Dhe unë eci, pa e ditur nëse udhëtoj drejt teje, apo thjesht largohem gjithnjë e më shumë nga vetja.
Në këtë udhëtim, unë e di një gjë me siguri: disa mungesa nuk mbushen kurrë, disa rrugë nuk të kthejnë më prapa, dhe disa stinë nuk sjellin më asgjë, përveç një ftohtësie që nuk ka të bëjë me motin, por me shpirtin.
Por ndonjëherë pyes veten: A mund të ketë një kthim pas? A mundet një rrugë e humbur të të çojë sërish aty ku zemra ka mbetur pezull? Apo ndoshta është e shkruar që disa udhëtime të mos kenë kthim, që disa hapa të mos gjurmohen më kurrë në të njëjtën tokë?
Sa herë mbyll sytë, më duket se e dëgjoj ende zërin tënd, të humbur mes tingujve të erës, si një pëshpëritje e largët, që nuk di nëse është kujtim apo një mashtrim i mendjes sime të lodhur. Netëve, kur qetësia bëhet e padurueshme dhe heshtja e mbrëmjeve më shtrëngon fort, sikur të donte të më ndalte frymën, unë e ndiej praninë tënde kudo. Në hijet që vallëzojnë mbi muret e dhomës sime, në pasqyrimin e dritës së hënës në dritaren e hapur, në pulsin e ngadaltë të gjakut tim.
Më duket sikur ti je gjithmonë aty, diku midis dritës dhe errësirës, midis të tashmes dhe së shkuarës, një hije që nuk largohet, një mungesë që nuk shuhet. Dhe prapë, në çastin kur mundohem të të kap, kur zgjat dorën drejt asaj ndjenje që më ndjek nëpër netët e gjata, gjithçka tretet si një ëndërr që harrohet sapo hap sytë.
Ka ditë kur dua të besoj se gjithçka është e përkohshme, se ndoshta dhimbja është thjesht një stinë e ftohtë që do të kalojë. Se një ditë, një mëngjes do të zgjohem dhe ajri nuk do të më peshojë më aq shumë mbi gjoks. Se një natë do të shoh qiellin e errët dhe nuk do të ndiej më atë zbrazëti të pafundme brenda vetes. Se ndoshta, diku në një cep të botës, ti ke ndalur për një çast, ke kthyer kokën pas dhe ke menduar për mua.
Por pastaj më kujtohet vjeshta. Ajo që rrëzon çdo gjethe të mbetur, ajo që zhvesh çdo pemë deri në lakuriqësinë e saj më të dhimbshme. Dhe e kuptoj se disa gjëra nuk kthehen. Disa degë nuk lulëzojnë më. Dhe disa njerëz, edhe pse jetojnë diku, larg, nuk janë më pjesë e botës sonë.
E megjithatë, unë vazhdoj të eci. Nuk e di nëse udhëtoj drejt teje, apo thjesht largohem gjithnjë e më shumë nga vetja. Por ndoshta, në fund të kësaj udhe të gjatë, nuk ka rëndësi. Sepse disa dashuri nuk kanë nevojë për një destinacion. Disa dashuri janë thjesht një udhëtim pa fund, një rrugë që zgjatet pafundësisht në një botë ku ti je gjithmonë diku mes hijeve, mes stinëve, mes kujtimeve që nuk vdesin kurrë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply