Kur lexova librin, ose më saktë ditarin, të z. Sadik Bleta, botuar në vitin 1971 në Buenos Aires mbi shqiptarët në Argjentinë, u ndjeva krenar jo vetëm për mënyrën e thjeshtë dhe të natyrshme të përshkrimit të ngjarjeve dhe episodeve të ndryshme nga jeta e emigrantëve që prej vitit 1907 e deri në vitin 1968, por edhe për vlerat që ky libër mbart. Ajo që më la mbresa të veçanta ishte krijimi i shoqatave e komiteteve, jo për qëllime politike, por patriotike dhe humanitare, të cilat ju shërbenin çështjes kombëtare, ruajtjes së traditave, zakoneve dhe gjuhës amtare në mërgim.
Leximi i këtij libri, që mendojmë ta publikojmë me rastin e 120-vjetorit të largimit të shqiptarëve nga atdheu drejt vendit të largët të Argjentinës, më bëri të reflektoj mbi ngjashmëritë dhe dallimet mes shoqatave të asaj kohe dhe atyre të krijuara sot në Europë dhe më gjerë.Dëshiroj të ndaj me ju disa momente domethënëse, të cilat ilustrojnë punën dhe rolin e jashtëzakonshëm të këtyre shoqatave në atë periudhë të largët, si dhe sakrificat e mëdha që çdo emigrant shqiptar bëri për të mbështetur dhe zhvilluar këto shoqata e komite. Një shembull konkret është takimi i Kryetarit të Komitetit, z. Hamit Kaso, dhe sekretarit Mina Lazi të Komitetit “Shkabonja” me Ministrin e Punëve të Jashtme të Argjentinës, z. Karlo Saavedra, ku z. Kaso i tha:
“Zoti Ministër, si ju duket kjo që i ndodhi Shqipërisë, që u okupua nga forcat e Italisë?” Ministri iu përgjigj: “Shqipërisë i ndodhi si një foshnje 3 vjeçare, kur një burrë i madh nga mosha e shqelmon dhe e rreh me kërbac nëpër rrugë, dhe tërë fqinjtë bëjnë sehir dhe nuk thonë asgjë.” Z. Kaso e pyet sërish: “Zoti Ministër, a do të kemi përkrahje nga qeveria e Argjentinës për mbrojtjen e atdheut tonë?” Ministri përgjigjet: “Komiteti juaj do të ketë moralisht të gjithë përkrahjen e duhur, ndërsa nga ana ime ju uroj gjithë shqiptarëve për protestën që bëtë në gjithë Europën kundër okupacionit italian.” Sërish, Kryetari Kaso i thotë: “Zoti Ministër, komisioni i komitetit ju propozon juve si ‘Kryetar Nderi’.” Ministri iu përgjigj: “Po, nëse nuk do të isha Ministër, këtë propozim do ta pranoja me kënaqësi.”
Për hir të dashurisë për kombin, origjinën dhe rrënjët, shqiptari në mërgim historikisht dhe masivisht është përkushtuar thellësisht dhe me patriotizëm ndaj Atdheut në çdo qelizë të tij, gje qe e tregojne qarte shqiptaret e Argjentines, por ky fenomen po ndodh dhe ne ditet e sotme…
Miqësisht
Hasan Aliaj Lapardha (Aulona) Rome.







Burimi/Facebook


Leave a Reply