U nisa me këtë postim nga emissioni sot i TV KLAN , “Ka një mesazh për ty”. U habita se si një mamije nga fshati Baldushk nuk do të harronte mirësinë e një familjeje në një fshat tjetër se si e kishin pritur, si e kishin ndihmuar duke e mbajtur ne shtëpi të tyre për disa muaj, dhe ajo me që kishte ikur jashtë, nuk kishte mundur tu shprehte mirenjohjen dhe mbas afro 57 vjet po ju a shprehte këtë mirënjohje, duke mos i harruar kurre. Njerëzit e kanë shprehur mirënjohjen në shumë raste në shumë vende por e kanë provuar edhe dhembjen në shpirt të mosmirënjohjes . Kanë ba mirë, ju kanë shpëtuar jetën, ju kanë ndenjur pranë, kanë ndarë kafshaten e gojës por shpesh edhe kanë rrezikuar vehten, por janë ndeshur me mosmirënjohjen. Aq ashte vertetë sa doli edhe shprehja: “Me ba mirë asht mirë por mos me ba mirë asht edhe ma mirë”. Unë personalisht nuk jam me këtë shprehje sepse çdo njeri tregon vehten. Edukata që kemi marrë në familje “bane të mirën e hidhe në det”, “ me ba mirë nuk asht kurrë vonë “, “mos ju mërzit të mirës”, etj s duhet harruar kurrë.
Po populli shkodran a ka kenë mirënjohës gjatë historisë së tij?
Mendoj se përgjithësisht mirënjoha asht një nga vetitë më të mira dhe më fisnike të popullit shkodran. Kush e ka ndihmuar, kush i ka bërë nder, kush e ka respektuar ka patur mirënjohjen e shkodranit. Me shprehjet popullore “Ta shpërbleftë Zoti”, “Ta bafte uladi (fëmija)”, “Ta shpërblefsha në gëzime”, etj. ai shprehte mirënjohjen për këdo që i bënte një të mirë, që i tregonte respekt që e kishte pranë në momentet më të vështira të jetës. Jo vetëm me fjalë dhe shprehje por mirënjohjen ai e ka treguar me vepra bamirësie, me libra kushtuar njerëzve që e kanë ndihmuar apo respektuar, deri në vepra vetmohimi dhe sublimi. Disa nga rastet madhore do të ishin:
1.Që pas ikjes së madhe të shkodranëve në Venedik, më 1479, Marin Beçikemi më 1503 do t’i shprehte në një fjalim panegjirik, dukës venedikas L. Loredano mirënjohjen e tij për pritjen e përzemërt dhe shumë vëllazërore që u kishte bërë shkodranëve të cilët kishin mërguar dhe vendosur atje pas pushtimit të Shkodrës nga turqit, me 1479, për të ndërtuar një jetë të re.
2.Janë 300 vajza shkodrane që në mënyrë simbolike i dhurojnë Elena Gjikës (Dora D’Istria), një pendë argjendi punuar në filigramë, në shenjë respekti dhe mirënjohje për veprën e saj patriotike.
3.Shkodranët nuk do t’ja harronin kurrë presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson(1856-1924), që kundërshtoi kompromisin anglo-franko-italian që parashikonte kalimin e Shkodrës dhe Shqipërisë së Veriut në kufijtë e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në Muzeun e tij privat në Virgjina të SHBA gjendet portreti i tij i punuar në mëndafsh i ardhur nga Shkodra.
4.Shkodra do t’i ishte mirënjohëse Z.Lord Robet Cecil i cili më 1920 u bë një nga mbështetësit kryesorë të futjes së Shqipërisë në Organizatën e Kombëve të Bashkuara. Në janar të 1921, nepërmjet Këshillit Administrativ të Prefekturës të Shkodrës, u vendos shpallja e tij “Qytetar Nderi i Shkodrës”.
5. Mirënjohje të thellë treguan shkodranët për Mis Edit Durham e cila i mbrojti, i përkrahu, shkruajti për to jo vetëm libra historike dhe etnografike , jo vetëm që shpërndau ndihma materiale dhe mjekësore, por dërgoi mesazhe, letra, kërkesa, lutje fuqive të mëdha në mbrojtje të popullsisë shqiptare e sidomos asaj të trevave të Veriut. Atë e priten jo vetëm si miken e tyre, jo vetëm si bijen e tyre, por si ëngjëllin mbrojtës që luftonte për të drejtat e shqiptarëve, e strehuan, i dhanë bukë por më shumë se gjithçka i dhanë shpirtin e tyre, ndjenjat e pastra që veçse tek shqiptari gjenden në shprehjen famëmadhe “Bukë e kripë e zemër”. Ka vende në Shqipërinë e Veriut që njerëzit i kujtojnë me emrin e saj, si në Bajzë që dihet pusi ku ajo ka pirë ujë apo shtëpia ku ajo ka fjetur. Në shtëpinë e Shantojeve në Shkodër ruhen përveç fotove dhe kujtimeve të tjera edhe shkopi ku ajo ka ecur maleve etj… Këshilli Bashkiak i Shkodrës i dha titullin e lartë “Qytetare nderi e Shkodrës”.
6. Mirënjohje për gjithë mjekët e huaj që kanë ardhur në Shkodër para 1944 , që kanë ndihmuar shkodranët nga sëmundjet ngjitëse, malarikë, të mortajës, kolerës, tuberkulozit etej etej.
7. Mirënjohje e thellë për Hasan Riza Pashën i cili në luften e v. 1913 dha një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e qytetit duke luftuar krah për krah me popullin shkodran. Fjalimi i At Gjergj Fishtës, në ceremoninë përcjelljes së eshtrave të tij , tregoi se populli shkodran kurrë nuk harron atë se çfarë të tjerët bëjnë për te. Ai do të shpallesh “Qytetar Nderi i Shkodrës”
8. Mirënjohje për ushtarakët britanikë Cecil Burney dhe George Fraser Phillips që drejtuan Shkodrën në v. 1913-1914, me një përkushtim, në një moment shumë të vështirë të jetës së këtij qyteti.
9.Mirënjohje për Çerçiz Topullin dhe Mujo Qullin që ranë dëshmorë në token shkodrane do të shpreheshin në dy fjalime brilante të At Anton Harapit dhe Ernest Koliqit në përcjelljen e eshtrave të tyre nga Shkodra për në vendlindjete tyre.
10. Në v. 1937 mbas dekretimit në parlament të ligjit mbi heqjen e perçes, janë afro 90 gra muslimane shkodrane, me prirje intelektuale, gra të nëpunësve të Qeverisë Zogut që i dërgojnë atij një letër falenderimi dhe mirënjohje për përpjekjet që ai po bënte për emancipimin e femrës muhamedane.
11. Shkodranët nuk do harronin gjestin e lartë burrëror të jashtëzakonshëm të dy italianëve të cilët demontuan rrjetin me eksploziv të hedhjes në erë të Shkodrës që kishin montuar fashistët gjermanë. Këtë gjest të tyre ato do ta paguanin shumë shtrenjtë nga fashistët gjermanë që i groposen në dhe në mënyrën më shnjerëzore. Historia e aktit të tyre gjatë do të kujtohej me respekt e admirim nga populli i Shkodrës, duke e percjellur këtë gjest nga brezi në brez. Në kujtimet e tij gjermani Johan Armendt, do shkruante: “Kur kam mbërrit në Shkodër, më është ngjeth mishi. M’u kujtua që nji këtë Shkodër kemi desht me e hedh në erë para largimit. Ma vonë kam marrë vesh se kanë kenë dy xheniera italianë, që me burrni e guxim e kanë çminue tue shpëtu kët popull dhe kët qytet të lashtë…”
12. Mirënjohje për gjithë shqiptarët e krahinave të tjera që erdhën në Shkodër nga jugu, nga Kosova, Çamëria, Ulqini, Plava, Gucia, nga Dibra, Tetova, e tj., dhe luftuan, dhanë jeten në luftërat e shkodranëve kundër Malit të Zi dhe serbëve më 1912-1913, më 1920, në luftën kundra gjermanëve, italianëve etj. Mirënjohje ndaj tyre edhe në kontributet në fusha të tjera, duke treguar se Shqipria është një e pandarë dhe kontributi i tyre ishte kontribut për atdheun
13. Mirënjohje për shumë të huaj që erdhen pas v. 1990, për të ndihmuar në rimëkëmbjen shpirtërore dhe materiale të qytetit të Shkodrës, për ambasadorët austriakë, italianë, klerikë, mjekë, humanistë etj., nga të gjithë anët e botës dhe qe jane nderuar nga Keshili Bashkiak apo i Qarkut Shkoder.
14. Mirënjohje popullit dhe Qeverisë italiane , greke apo edhe shteteve të tjera europiane, SHBA, që i priten , i strehuan dhe ju siguruan punë shumë shqiptarëve, në momentet më të vështira të historisë së tij.
15. Mbas viteve 1990, Këshilli Bashkiak i Shkodrës, si përfaqësues i popullit të Shkodrës, mbas shumë titujve të tjerë vuri edhe titullin “Mirënjohja e qytetit”, titull i cili iu akordua jo vetëm qytetarëve të këtij qyteti apo qyteteve tjera por afro 35 të huajve që kontribuan për këtë qytet, si shej respekti dhe mirënjohje të thellë.
Shenim. Ne foton e mëposhtme, në Muzeun privat të tij, në Virgjinia, është portreti i presidentit amerikan Thomas Woodrow Wilson, i punuar me mëndafsh Shkodre dhe i dërguar atje nga Duri Guri. Në
anë të portretit është shënuar Shkodër, 1919. Fotoja më është dërguar nga Lumnije (Shabani) Boriçi, që e ka vizituar Muzeun Privat në Virgjinia të Thomas Woodrow Wilson
Burimi/Facebook


Leave a Reply