Ishte 1 janar, dita e parë e vitit. Rrugët ende të heshtura nga nata e kaluar dhe qielli i zymtë sikur pasqyronte lodhjen e njerëzve.
Teksa nisesha nga Kuçova për në Tiranë, mu afrua një nënë e moshuar. Ishte e vogël nga shtati, me fytyrën e rrudhur nga vitet dhe sytë që dukeshin të lodhur, por të ngrohtë.
– Gëzuar Vitin e Ri, bir! – më tha, me një buzëqeshje të lehtë, duke më ndalur.
– Gëzuar, nënë! – ia ktheva unë, me respektin që gjithnjë ndiej për moshën e tretë.
– Ku do të shkosh? – më pyeti.
– Në Tiranë, – i thashë dhe bëra me dorë nga rruga që më priste përpara.
Ajo hezitoi për një çast dhe pastaj shtoi me një zë të butë e lutës:
– A mund të më çosh deri te stacioni i autobusëve?
Në atë çast diçka më ndali brenda vetes. M’u duk sikur po shihja time më të ndjerë përballë. Sikur për një moment, në fytyrën e asaj nëne të panjohur, të kishin zënë vend të gjitha dashuritë dhe dhimbjet që ndiej për prindërit e mi.
Mendova se ndoshta, diku dikur, dhe mamaja ime mund të ketë pasur nevojë për ndihmën e një të huaji… dhe dikush mund ta ketë ndihmuar.
– Mirë, nënë, – i thashë. – Hajde, do të të çoj unë.
Ajo më pa me mirënjohje dhe nisi të më uronte me gjithë shpirt:
– O të keqen nëna, paç një vit të bardhë, një jetë të mbarë, të gjitha të mirat, bir!
Nuk e di pse, por ndjeva një ngrohtësi të veçantë në ato fjalë.
Mbase ishin bekimet që më mungonin prej kohësh, mbase ishte thjesht dhimbja që ajo grua mbante brenda vetes, por më preku thellë.
– Po ti, nënë, do të shkosh për vizitë për Vitin e Ri? – e pyeta.
Më kujtoheshin vizitat e zakonshme që bëheshin në ditën e parë të vitit.
– Jo, bir, jo, – tha me një psherëtimë.
– Jam nisur për në spital. Kam vëllanë të sëmurë dhe nuk ka kush të rrijë me të.
– Më vjen keq, nënë… – i thashë. Dhe vazhdova, si për t’i treguar që e kuptoja dhimbjen e saj:
– E njoh atë spitalin. Ka një hije të rëndë mbi vete. Por, më e rëndë është për ata që rrinë aty për të sëmurët. E lajnë me lot shkallët nga dhembja për të afërmit e tyre.
Ajo psherëtiu sërish.
– Po vëllai yt, nënë, a ka fëmijë? – e pyeta për të vijuar bisedën.
– Ka, bir, ka, – ma ktheu. – Por djali i tij është jashtë shtetit dhe nuk ka ardhur për Vitin e Ri.
Nuk dija çfarë t’i thosha.
Pas një pauze të shkurtër, e pyeta përsëri:
– Po ti, nënë, sa fëmijë ke? A të ka ardhur ndonjëri për festë?
Ajo uli kokën, sikur të donte të fshihte diçka.
– Kam tre vajza dhe një djalë, – tha më në fund. – Po ç’i dua që i kam, bir? Vitin e Ri e hëngra vetëm.
Vajzat më vijnë ndonjëherë, por djalin… kam vite që s’e shoh. Është në Angli. Nuk ka bërë asnjë telefonatë, është zhdukur fare.
Nuk e di pse, por atë moment ndjeva një dhimbje që m’u ngjit deri në grykë.
Të lësh prindërit vetëm, të mos dish asgjë për ta… Më erdhi aq keq sa ndjeva nevojën të flisja për nënën time, për dashurinë që ne fëmijët i dhamë kur ishte gjallë.
– Nënë, s’ka gjë. Djali ndoshta nuk e di… – i thashë për ta ngushëlluar.
Ajo psherëtiu thellë.
– Nuk e kam të mirë djalin, bir… Por, gjithsesi, nusen e tij e kam të mirë. Nuk më ka takuar prej kohësh, por më merr në telefon dhe më dërgon ndonjë lek me filanin…!.
Kështu, rruga na iku mes bisedave. Nuk e ndjeva fare distancën.
Kur zbriti, ajo se kuptoi që kishte mbërritur afër spitalit.
– Po pse me solle këtu mo bir- më kishe lënë tek stacioni!
Duke më dhënë një kurorë urimesh e falënderimesh, nxori dy mandarina nga çanta dhe më tha:
– O të keqen nëna, jepja fëmijëve të tu dhe paç gjithmonë mirësinë e prindërve që i ke në parajsë.
E pashë teksa largohej, me hapa të ngadaltë, drejt spitalit.
Nuk di nëse do ta shoh ndonjëherë përsëri, por atë ditë më mësoi një gjë: ka njerëz që na hyjnë në jetë si një kujtesë e gjallë për ata që kemi dashur dhe humbur.
Dhe ne, me një gjest të vogël, mund të jemi dikush që u fal ngrohtësi e kujdes kur u mungon më shumë.!
Burimi/Facebook


Leave a Reply