Në respekt dhe nderim të z. Lukë Luka, dhe postimeve historike që ai bën herë pas here këtu në FB,per Shkodren, si plotësim i atij postimi për gratë e huaja, unë po postoj disa nga kontributetet e grave të huaja që kanë dhëne për Shkodren.
KONTRIBUTE TË GRAVE TE HUAJA PËR SHKODRËN
Ato erdhen shumë heret në Shkodër për të studjuar viset veriore, zakonet dhe traditat dhe për çudi të fatit të tyre u kthyen në mbrojtëse të interesave të këtij populli, në dashamirëse të virtuteve dhe zakoneve të tyre.
Ndër më të vjetrat do të përmendet, një grua nga Franca, Mbretëresha Helena de Francia. Kisha e Shirgjit e ndërtuar në stilin bizantin, pranë një fshati të vogël Shirgj, i populluar gjatë bregut të Bunës dhe që ka ruajtur emrin e një prej pajtorëve të vet, është ndërtuar prej Mbretëreshës Helenë de Francia. Helena ishte bij e një perandori latin të Konstandinopolit, Baldovinit të II, dhe e martuar me mbretin e Rashës, Uroshin. Mbas vdekjes së tij më 1283 dhe gjatë kohës së miturisë së bijëve të saj Uroshit dhe Stefanit, mori sundimin e mbretënisë. Ajo ishte një nga ato gra të huaja që për të ngritur lart vlerat e krishtërimit, bëri përpjekje për të shtuar numurin e kishtarëve dhe disiplinën e tyre, ndërtoi qytete dhe disa institucione fetare si kisha, manastire. Po kështu ndërtoi edhe kuvendin e Shën Mris në Shkodër dhe të Shën Markut në Ulqin; rindërtoi edhe qytetin e Capës (Zadrima), etj.
Një grua nga Anglia, si Edith Durham, studiuese, etnologe, piktore, mikja më e shquar e shqiptarëve, e sidomose shkodranëve, kontributi kryesor i së cilës, midis shumë kontributeve ishte:
*Guximi qytetar në denoncimin e traktatit të fshehtë të Londrës të 26 Prillit 1915;
*Roli i saj në shoqatën Anglo – Shqiptare, i jashtëzakonshëm dhe tepër i rëndësishëm. Kjo shoqatë ishte krijuar mbi bazën e “Komitetit për Shqipërinë” që u themelua nga miqtë e Shqipërisë në Londër në vitin 1912 me kryetar Obrej Herberton. Në vitin 1918 ajo zgjidhet sekretare e kësaj shoqate;
*Kthimi mbrapsht i dekoratës që i kishte dhënë Mbreti i Malit të Zi, Krajl Nikolla, kur ajo sheh me sytë e saj masakrat malazeze kundër popullsisë shqiptare të trevave të veriut, ka qenë një akt reagimi politik.
*Libra të shumë të shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët, si historiane, etnologe, antropologe, ku për Shkodren dallon libri “Lufta për Shkodren”. Ishte e para që zbuloi tatuazhet në Malësitë e Veriut dhe përshkroi aq bukur dhe me realizëm zakonet e shqiptarëve. Është quajtur “Mretëresha e pakurorëzuar e Shqipërisë “.
Rose Wilder Lane, gazetare, shkrimtare, publiciste, amerikane, pranon të shkojë në një ekspeditë në Malësinë e Veriut, qëllimi i të cilës ishte hapja e tri shkollave. Pikërisht ky udhëtim më 1921, e frymëzoi atë për të bërë librin “Peaks of Shala” (Majat e Shalës) botuar më 1923. Duke jetuar në mes të fshatarëve të zonës së Dukagjinit, si në atë të Pultit, Kirit, Pogut, Shalës, larg luftës në Evropë, shkaku i së cilës u bë dhe largimi i saj dhe ardhja në Shqipëri, ajo zbuloi në thellësi të maleve, jetonte një popull me zakone, tradita dhe ligje sipas kanunit të Lekë Dukagjinit. Ajo befasohet kur sheh të kundërten e asaj çfarë kishte dëgjuar dhe lexuar nga propaganda e huaj. Kur në Konferencën e Londrës, më 1913 shumë toka të Shqipërisë i ndaheshin vendeve fqinjë, Rose Wilder Lane komentonte në arbitraritetin e ndryshimit të vijës kufitare të bërë nga burokratë që kurrë nuk kishin vizituar Shqipërinë dhe me një të rënë të lapsit kishin lënë me dhjetra fshatra shqiptare jashtë kufijve të saj. Për këtë William Anderson, duke vënë re përpjekjen e kësaj zonje në mbrojtje të Shqipërisë, e quajti atë “Heroina kombëtare e Shqipërisë’, kurse dukagjinasit do ta thirrnin “Lulja e udhës”
MISIONARET E KRYQIT TË KUQ AMERIKAN
Erdhën në Shqipëri për herë të parë në shkurt të vitit 1919, me një ekip që në fillim numëronte 60 vetë me mjekë, infermierë, edukatorë, administratorë etj., dhe menjëherë filluan me fushatat e shërbimit në Durrës, Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë dhe Vlorë.
Një punë të konsiderueshme ato bënë në Shkodër ku ky ekip kryesohej nga ndihmësmjekja Margaret Grej, e cila duke marrë një ambjent me qera, arriti ta shëndrronte në një qëndër të edukimit ku merrnin mësimet e para të edukatës, arsimit dhe higjienës, fëmijët e vobektë dhe ato që lypnin rrugëve. Në tre muajt e parë morën çertifikatë 105 fëmijë. Më vonë ato arritën të grumbullojnë në një ambient më të madh 350 fëmijë, ku hynin fëmijë të uriturve, të palarë, të pashkolluar, të sëmurë ku iu bëhej një kujdes i veçantë në të gjitha drejtimet.
Dy anëtare të këtij ekipi Zonjushat Klivend dhe Hall kujdeseshin përveç fëmijëve edhe për nënat e tyre duke u dhënë mësime për mirërritjen e fëmijëve. Për këtë ato krijuan “Klubin e bebeve”, “Klubin e fanelave”, “Klubin e shetitjeve”, “Klubin e anglishtes” me anë të të cilave ato bënin leksione të fushave të ndryshme si dhe konkurse për të rritur stimulimin. Këto Zonjusha arritën të hapnin një shkollë në zonën malore më të thellë të vendit, në Theth ku me sensibilizimin që i bënin situatës dhe me etjen e madhe që kishin banorët e këtyre zonave të thella malore për arsimimin e fëmijëve. të tyre, arritën të sillnin në shkollë rreth 96 fëmijë dhe shumica prej tyre bënin dhjetra kilometra për të ardhur në këtë temp të dijes. Në këtë grup u dallua dialektologia Ada Oades e cila dha një kontribut të jashtëzakonshëm për të ndihmuar amvisat e qytetit. Ky ekip nën drejtimin e Margaret Grejn, brenda një viti transformoi spitalin e qytetit të Shkodrës duke ndikuar në konceptet dhe metodat e mbajtjes së këtij mjedisi. Në këtë spital vizitoheshin deri në 2500 pacientë në vit. Ato ngriten klinika dhe dispanceri ku vizitoheshin afro 130 pacientë në ditë që, krahas mjekimeve, merrnin edhe këshilla dhe përkujdesje shëndetësore.
Hortense von Zambaur, bashkëshortja e konsullit austriak në Shkodër, Adolf von Zambaur, ka shkruar një ditar ku përshkruhen momentet e luftës që Mali i Zi ka bërë kundër qytetit të Shkodrës në vitin 1912 – 1913. Ajo në një mënyrë të thjeshtë, dhe shumë prekëse ka përshkruar gjendjen e familjes së saj, në Konsullaten Austriake në Shkodër dhe të qytetarëve të këtij qyteti që nga momenti kur Mali i Zi shpall luftën më 9 tetor të 1912 dhe deri në fundin e këtyre luftimeve, me 22 prill të 1913. Nga këto shkrime, del në pah karakteri i fortë dhe vetitë morale të larta të kësaj gruaje austriake. Megjithëse asaj i kishin propozuar largohej nga qyteti, ajo jo vetëm, që nuk e braktis bashkëshortin e saj duke sakrifikuar vehten dhe fëmijtë, por as popullin e Shkodrës që në këto momente tragjike kishte nevojën e mbështetejes morale të fuqive të huaja.
Etnografja franceze Zhaklinë (Jacque¬line) Benezech, (bashkëshorti i saj Rene Benezech, etnograf ka koleksionuar mbi 700 foto nga Shqipëria) ka lënë një dorëshkrim, shtypur me makinë shkrimi, i dorëzuar në ambasadën shqiptare në Francë, me mbresa udhëtimi nga udhëtimi i saj në veriun shqiptar. Dorëshkrimi përfshin mbresat e një udhëtimi të ashpër në veriun shqiptar, në fundin e viteve ’30-të të shek. XX, e shtypur vetë me makinë shkrimi dhe që mbajnë korrigjimet me dorë si dhe foto të rralla. Kjo eksperiencë e çiftit francez në Veriun e Shqipërisë është transmetuar në “Radio- Francë”, pas kthimit të tyre në vitin 1939, regjistrim që ruhet bashkë me koleksionin e pasur të etnografëve, dhuruar muzeut “Musee de l’Homme”. Ata kanë treguar për pasurinë e kostumeve, zakonet, punimet e qelesheve, zbukurimin e armëve, historitë e Kanunit etj.
Një grup grash të huaja erdhen në Shqipëri nga lidhjet bashkëshortore që ato kishin krijuar në rrethana të veçanta. Ndoshta s’ju kishte shkuar mendja kurrë të vinin në një qytet në veri të një vendi të vogël. Gra nga ish Republikat e Bashkimit Sovjetik, nga Polonia, Çekia, Jugosllavia, Polonia, Bullgaria, Italia, Austria etj. kishin zgjedhur bashkëshortet e tyre nga një qytet, që do bëhej më vonë qyteti i jetës së tyre familjare dhe shoqërore, qyteti i lindjes së fëmijve i arsimimit dhe kulturës nga ku ato do edukoheshin.Erdhën këtu dhe jetuan me ne, në vuajtjet e sistemit, në gëzimet dhe hidhërimet duke ndarë gjithçka me historinë e këtij populli.Por dhanë dhe kontribute dhe ndihmesë në fushën e mjekësisë , arsimit ,ekonomisë, etj.Shkodranët s’kanë për të harruar kurrë mjeken e përkushtuar të fëmijve Danuta Jukniun,(polake);shumë nxënës akoma sot kujtojnë Gemma Tiranën,(italjane),Mësuesen e Merituar,që dha kaq shumë për arsimin dhe përhapjen e dijes, ku ajo në Gjimnazin e Shkodrës arriti të japë edhe historine e Shqipërisë, mësuesen e mirë dhe të urtë të gjeografisë Itale Koken (italjane), Dobrinka Cungun (bullgare) e cila punoi me një ndërgjegje të lartë gjatë gjithë jetës në farmaci në shërbim të mijëra klientëve, Tamara Gaci(ruse), një bashkëshorte e denjë e kompozitorit të madh, Pjetër Gacit, ekonomiste, poete, grua me dinjitet dhe përsonalitet që dha kontributin e saj modest jo vetëm aty ku punoi por edhe si veprimtare shoqërore dhe politike. Ester Naraçin(italjane), bashkëshorten e mjekut të njohur Kel Naraçit, e cila ndër të rrallat gra të qytetit dhe ndoshta në shkallë republike lindi 11 fëmijë, duke i edukuar ato me kulturë dhe edukatë të lartë dhe duke dëshmuar kështu potencial, energji dhe ndjenja të larta amësie shëmbullore,Maria Schabernig(austriake), rrobaqepsen e njohur, prej duarve të së cilës mësuan dhjetra vajza dhe gra shkodrane, mjeshrinë e bukur të rrobaqepsisë që në mes shumë rrobeve qepi edhe një “tegel miqësie midis popullit astriak dhe shqiptar”.
Shumë gra në Shkoder kanë ardhur nga Jugosllavia, Mali i Zi, Bosnja dhe krahina të tjera të saj.Ato të shpërngulura prej kohësh për arsye të ndryshme, kanë ndërtuar në Shkodër familjet dhe shumë prej tyre janë përshtatur shumë mirë zakoneve dhe traditave të qytetit të cilat nuk kanë patur shumë dallime me ato të tyret, si popuj ballkanas. Numuri i tyre është akoma më i madh dhe kontributi në edukimin e fëmijve, të forcimit të familjes dhe pjesëmarrjes në jetën social –ekonomike të qytetit ka qënë i konsiderueshëm pa i sjellur kurrë probleme këtij qyteti.
Në Vrakë afro 7 km nga Shkodra është i vendosur një komunitet me origjinë serbo-malazeze, në mes të cilëve janë dalluar gratë për mënyrën e administrimit të familjes,të kontributit ekonomik në punët shtetërore dhe të mirë-edukimit dhe mirë-rritjes së fëmijve.Në mes tyre në jetën politike të vendit janë shquar Vase Ivo , deputete në Kuvendin Popullor, si dhe Dese Jako, si aktiviste e rinisë me detyra të rëndësishme, sportistet Millojka Vaso dhe Dane Shelqaj.
Mbas viteve 1990, shumë gra të huaja erdhën për të ndihmuar popullin tonë edhe mbas shëmbjes së sistemit totalitar, në sistemin e shëndetësisë, në atë të arsimit, në ndihmë të fëmijëve handikapë ,grave etj. duke u bërë kështu zëdhënëse dhe përfaqësueset e këtij populli në fondacionet dhe institucionet e huaja,nga ku ato sollën ndihma të konsiderueshme si Judy Van Dam, Silvana Vignali etj.
Judi Van Dam erdhi në vitin 1994 në Shkodër me një grup mjekësh nga Miçigani i Amerikës, për të punuar dhe ndihmuar koleget e tyre të Spitalit të Shkodrës.Kur u kthyen krijuan projektin mjekësor në ndihmë të Spitalit të Shkodrës. Një nga kordinatoret më të rëndësishme të këtij projekti ishte dhe Judy Van Dam,që e vendosi fokusin e punës saj në drejtim të kujdesit shëndetësor në Spitalin e Shkodrës, në pajisjen e tij me bazë materjale, rinovimin e tij si dhe kordinimin e gjithë udhëtimeve të lidhura me shëndetin për shqiptarët dhe amerikanët.
Silvana Vignali , ishte një prej vullnetarëve eksperte në problemet e handikapëve që erdhi në Shkodër, në vitin 1994 për t’i ardhur në ndihmë nevojave të shqiptarëve, në kuadër të projektit Një nga inisiativat dhe aktivitete e saj ishte ishte ajo e ndihmës ndaj fëmijëve dhe të rinjëve me aftësi të kufizuar që i ishin besuar instituteve të ndryshme , për tu mbajtur në familje me një ngrohtësi, ndjeshmëri, gadishmëri, dëshirë për të komunikuar, për t’i bërë të aftë t’i vetdhurohen atij që tregon pak vëmendje karshi tyre. Casa –familjet e “Projektit Shpresa”, që në qytetin tonë ishin 6 ,të vendosura në lagje të ndryshme , drejtuese dhe ,organizatore e së cilës është veprimtarja e shquar, Silvana Vignali, strehojnë vetëm fëmijë me aftësi të kufizuara,”pa familje” për të cilët ato bëhen një mjedis real teraupetik, nepërmjet të cilave janë të garantuar relacione efektive të personalizuar,kohë të mjaftë dëgjimi,një ritëm të jetës normal dhe respekti për jetën e tyre personale,duke plotësuar atë nevojë për identitet dhe përkatësi të tyre.
Një studiuese Antonia Young lauruar në antropologi në Universitetin e Kalifornisë,Berkelei, në vitin 1997 ndodhet në Shqipëri, për herë të dytë. si përfaqësuese e OSBE në vëzhgimin e zgjedhjeve,si dhe në 1998 po si përfaqësuese e OSBE për referendumin për kushtetutën.Në nëntor të vitit 1998, merr pjesë në Seminarin e tretë ndërkombëtar “Shkodra në shekuj” ku referon me kumtesën “Relating the patriarchial Tradition in Rural Albanien Sociaty to the Kanun. Antonian ,e terheqë zona e veriut ku bën studime kërkimore-shkencore.Në librin “Black Lambs Grey Falcons Women Travells in Ballkans”ajo do të përmblidhte të gjithë të dhënat studimore të disa grave udhëtuese në vendet e Ballkanit, ku një vend të veçantë zënë udhëtimet dhe studimet e Meri Edith Durhamit dhe Rose Wilder Lane në trevat e veriut shqiptar. Në një studim të vetin, më 1997 boton bibliografinë në anglisht me shënime “Albania”,një kronologji të historisë shqiptare mbi Shqipërinë dhe Kosovën. Si studjuese e politikave dhe e edukimit paqësor ajo sjell një studim si bashkëpunëtore e idesë së bashkëshortit të saj Prof. Nigel Young për krijimin e një “Parku Paqeje” të madh në Ballkan dhe që përfshin Shqipërinë e Veriut,zonën e Thethit, jugun e Malit të Zi dhe Kosovën jugprendimore. zona që inkurajojnë dhe nxisin përpara bashkëpunimin dhe paqen, dhe që mbrojnë burimet natyrore dhe kulturore nëpërmes shumë mjeteve efektive.
Lucia Nadin, studiuese e gjuhës italiane, historiane, i ka ba Shkodres një nder që ne nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe për të cilën duhet ti jemi mirënjohëse gjithë jeten. Ajo ka zbuluar më 1996 mes kodikëve të Muzeut “Correr” të Venecies, njërin prej dokumenteve themelore të qytetërimit shqiptar, që janë “Statutet e Shkodrës të gjysmës së parë të shek. XIV me shtesat deri më 1469”. (Statuti Di Scutari Della Prima Meta Del Secolo XIV Con Le Addizioni Fino Al 1469. Libri “Statutet e Shkodrës” me autore Luçia Nadin, është botuar për herë të parë në Itali, në vitin 2002, nga Shtëpia Botuese “Viella”, në bashkëpunim me Departamentin e Studimeve Historike të Universitetit të Venecias. Botimi i dytë në dy gjuhë i ka ardhur lexuesit në vitin 2011. Në këtë vit ajo i ka dhuruar Muzeut Kombëtar variantin e dixhitalizuar të “Statuteve të Shkodrës”.
Ka edhe shumë të tjera, që lexuesit mund ta plotësojnë këtë artikull.
Nga ana tjeter mendoj,si sugjerim, që të gjithë bujtinat e Veriut, si pasurim të turizmit kulturor, të kenë në këto bujtina librat e Edit Durhami, Rose Wilder Line , Antonia Young, etj.,si fhe goto të tyre. për t’ju treguar turistëve të huaj që për këto zona interesimi i studiuesve të huaj ka qenë tepër i veçantë.
Burimi/Facebook


Leave a Reply