“Dhelpra dhe Rrushtë”
Ese
Porsa ARËZA më shtroi në Spitalin e Urgjencës së Athinës, pyeti se:“Kë libër të sjellë për të lexuar, sa të vijë “rradha e thikës”? “Më sillë Ezopin,-i them, pa e menduar gjatë, sepse e dija që rreth fabulave të tij “janë vërtitur” gjithë krijuesit e letërsisë së BOTËS. Aq më tepër, nga që shumë herë fabulat, kanë përcaktuar edhe zhvillimin e jetës dhe të shoqërisë njerëzore. Po edhe “toruan”,-si i themi ne nga Jugu, se si do sillemi ndaj asaj që “s’e kemi në dorë”!
Me tri rreshta, Fabulisti i parë i njerëzimit EZOPI, (në përkthimin e Fabulistit Iljaz Bobaj), shkruan se : “Një dhelpër e urritur për ca vesh rrushi, që vareshin në një pjergull dhe deshi t’i zërë, po nuk mundi, ndërsa u nis të ikte, tha me vete:”Janë të pa bërë!””. Dhe, sejcili nga njerëzit, le ta nxjerrë vetë moralin, se përse dhelpra u shpreh kështu. Sepse fabula është vërtetë me personazhe nga “bota e kafshëve, e shpendëve, po edhe e objekteve në natyrë”, por ajo është e mbetet një simbol i destinuar për njeriun, bile për ata që vuajnë nga zilia, tamaqarllëku, pangopësia, hajdutëria e nga vese të tjera si këto. E për këdo tjetër që e bëjnë gabimin apo fajin, për ta dëmtuar pronën e pronarin që e ka mbjellë e i ka shërbyer bimës një vit të tërë. Ky veprim ngjan thuajse njëlloj, si për ta dëmtuar fukaranë, ca më keq akoma: për ta “groposur tjetrin”, apo “për t’i hedhur një ”lopatë dhe” mbi të, qoftë i gjallë a i vdekur! A nuk është e njëjta gjë , kur t’i kalon rrugës e këputë një degë peme, a e ç’kulë atë që nga rrënja?! Iljaz Bobaj shprehet se: “Kështu veprojnë edhe disa njerëz, fajtojnë çastin dhe rrethanat, kur nuk mund të shtiejnë në dorë diçka!.Ndërsa Erdi Oktisi, pasi e përshtat në vargje fabulën e njohur, shprehet se “Dhelpra e mallkuar…/Bën t’i zërë e s’i zë dot/Dhe si s’mundi dot t’i zërë/Tha qënkan rrushë të pa bërë!”. Dhe pastaj shton: “Le ti hajë ndonjë tjetër! Ç’mund të thoshte Zonja Dhelpër?!”.Fabulisti Vasil Gjivogli, heq një paralele të ngjajshëme me fabulën e tij “Dhelpra e Lepuri”, teksa shkruan:”Tek një breg, nën një lajthi,/Lepur-ziu ndjen uri./Lajthia bën kokra plot,/ Bën t’i kapë, po s’i kapë dot..” Ndërsa Fabulisti Ferit Lamaj , që Artisti i Popullit, i ndjeri Kadri Roshi e quante “EZOPI SHQIPTAR”, shkon drejt një përgjithësimi më të afërt me kohën e sotme, kur shkrun fabulën “Strategji dhelpërake”, me këto vargje:”Zonja Dhelpër zbuloi tezën./Fillimisht vodhi veç vezën,/Por së dyti i vu vulën/Përlau gjelin dhe pulën/Më në fund merr karrotrecin/Shkul me rrënjë krejt kotecin!”.Shigjeta e goditjes është në shënjën e duhur, më tepër se ato debatet televizive, kur sajohet “fërtuna në një gotë me ujë” dhe këndej, “dhelprat” kthehen në kope ujqërish,“përlajnë”dhe debatistët!”
Poeti Dritëro Agolli, në njërën nga aforizmat e veta shprehej, po njëlIojë për realitetin njerëzor:”Ti je mur i lartë, po unë të heq gurin e fundit!”. Kurse në fabulën “Pleshti dhe Xixëllonja, bënë fjalë për pleshtin e zi që bie në “dashuri” me xixëIlonjën dhe pastaj “fillon akoma të liget/fillon akoma të tretet!”. Dhe kështu, i ka thënë që të gjitha sentencat morale, për gjithë ata njerëz që dinë të lexojnë!.Se tjetri, bën vaki, ta pret pjergullën që nga rrënja. Dhelprat e dinë vetë se kur vijnë e ku venë..Po edhe pleshtat që vijnë tinëz, kur ti i ke harruar fare, dhe “të pickojnë!”, si u bëhet?
Dramaturgu nga Brazili Figueiredao, e ka paraqitur figurën e Ezopit më gjërë, në dramën heroike “Dhelpra dhe Rrushtë”, si njeriun e mënçur të popullit, që me anë të fjalës, mundi të fitoj edhe lirinë e tij. Nga skllavëria e njëhershme. Dhe është ai si “muri i lartë” karshi njerëzve që e rrethojnë me zili e ligësi: pronarët kokëboshë dhe filozofët shterp, si edhe sundimtarët e klasave të epërme, gjer tek llafollogët që “i rëndojnë dheut”. Pra, një figurë e thjeshtë njeriu, me karakter stoik e heroik. I pa tunduar nga lëmoshat, korruptimi galopant, fjalët e rreme, po edhe nga llustra dhe bukuria e jashtme e një gruaje. E janë ata të tjerët që rrethojnë “dhelprat e oborrit”: “ujqërit e kopesë”. Injorantët, ligaçët, zilarët dhe marifetçinjtë…Ca më të shumtë! Ndaj është e mbetet heroike figura e tij. Kur u dha kjo shfaqje ne Teatrin Popullor të Tiranës , me një vënie brilante në skenë prej regjisorit Mihal Luarasi e me interpretime artistike të larta prej Kadri Roshit, Margarita Xhepës e Lazër Filipit e “la pa goje” edhe autorin brazilian, i cili tha se as në vendin e tij nuk e kishte parë një EZOP të tillë, simbol të vlerave njerëzore, të jetës dhe të dashurisë…Se, mbi trupin e tij të shëmtuar, shkëlqente mirësia e dashuria për jetën, shpirti i tij i bukur..
Ezopi e fitoi lirinë me interpretimin e fabulave. Se, më tepër qe interpretues se sa krijues i fabulës. Dhe krijonte “magjinë” e komunikimit , që e shpien gjer në një popullaritet masiv e sugjestion emocionesh të forta. Po Fabula “Dhelpra dhe Rrushtë” njihet si vepër origjinale e tij, nisur nga pozicioni i lartësive të pjergullave “me rrush plot”, që të tjerë i shohin me zili kur piqen e prodhojnë “eliksirin DIONISIAK” të rakisë e verës jetëdhënëse, që ndjellë etjen dhe lakminë, dëshirën për ta këputur a rrëmbyer “frutin e arirë”. Një dilemë e fortë, që bëhet edhe vrastare , nëse nuk mundesh e nuk je aq i zoti që “ta kapësh”!. Pa tjetër, me një impuls të brendshëm, që nxitë ca më shumë, kur është “koha e tyre”. Por jo kur “dëpërton krimbi” e prish të vjelat, po edhe paraqitjen, bukurinë e pjekurinë. Atëherë ç’bëhet?!. Mbërrinë e keqja dhe tharja. Pa e pritur “të mirën” e punës dhe arritjen e përsosjes. Si një veprim arbitrar i të kundërtave!”Në këtë botë të trazuar, me virtyte e vese-thotë Fabulisti ynë Ferit Lamaj,-kafshët kanë gojë e flasin. Por ato flasin që të dëgjojnë njerëzit”..
Po jeta (në çdo kohë), ka qenë dhe është e tejmbushur me kësi “afërsi” të kundërta… Që ngjajnë me vështrimin e Judës ndaj Jezu Krishtit qiellor, gjersa e gozhdon atë në kryq. Me zilinë e Mark Antonit ndaj Jul Çezarit, që ka shkëlqyer ndër beteja. Apo me thashemnajën midis dy kompozitorëve të mëdhenj, nëse Salieri kishte , apo jo, një xhelozi vrastare ndaj Moxartit, për ta helmuar atë?! Paradigma e vepra, prej të cilave u krijuan subjekte veprash të mëdha që erdhën gjer në ditët tona… Dhe enigma mbetet. Se ka diçka reale në këtë mes: INATI PRIMITIV! Se, arritja e njërit, prioriteti, shkëlqimi, e “plagosin shpirtërisht” tjetrin që mbetet më pas, “i vrarë nga ambicja”, për njërën arsye a tjetrën. Dhe kështu, do të mbeten gjërat, po njëlloj, si tek fabula e Ezopit:”Bën ta zërë e se zë dot!”, e i erren sytë , duke krijuar dilemën tjetër:”Ta këputë, (lexo: ta vras, apo jo?!). Ezopi i Figueiredos arijti ta fitoj lirinë, po Klea që e dashuronte marrëzisht skllavin, dëshpërohet aq shumë kur ai fiton qytetarinë e vlerën madhore, shndërrohet papritur në një tjetër grua, aq sa është e përgatitur shpirtërisht që ta vras atë, duke “i këputur jetën”, po me aq lehtësi, si veshin e rrushit nga pjergulla jetëdhënëse!…E po të shkojmë ca më tej, tek veprat e Shekspirit: Jagua intrigant, për ta bërë të tijën Dezdemonën, duke e “shkëputur” lidhjen e saj me gjeneralin e zi (shpirtbardhë), kurdis intrigën e errësimit të mendjes së Otellos, aq sa arinë të “këpus jetën” e tij dhe të asaj, tragjikisht.,,,
Prandaj edhe autori i Amerikës Latine, ka një perceptim aktual për Fabulistin e Lashtësisë, duke e berë atë si një personazh të DRAMËS HEROIKE, duke “luftuar me anë të fjalës” , me të cilat Ai fitoi lirinë, duke thënë se “gjuha që prodhon fjalën, kocka s’ka e kocka thyen!”. Fjalë të Arta të Ezopit, që i tmerronin pushtetarët e së djeshmes, duke u’a hequr lirinë njerëzve, edhe kur nëpër dyqanet mungonte kafeja për të vdekurit dhe qumështi për fëmijët e vegjël! Kjo ishte edhe arsyeja që mbas pak kohe të popullaritetit të Shfaqjes “Dhelpra dhe Rrushtë” në Shqipëri, erdhi nga K.Q i Partisë “shkresa” që kjo dramë, e ashtuquajtur “pacifiste” të hiqej nga repertori si vepër qe e “shtronte gabim” çështje e fitimit të lirisë së personit, me anë të fjalës e jo “përmes dhunës e revolucionit!”. I shkreti EZOP! E nga ta merrte me mëndje , që nga shekujt e parë të njerëzimit, se edhe fabulat e tij do “pushkatoheshin “, sikundër ndodhte në Shqipëri e në Amerikën Latine të Figueiredos , ku diktatura e egër i mbushi burgjet me viktima, duke mos njohur e pranuar as EZOPIN dhe duke e ndëshkuar atë…”E ç’i duhej atij derëziut që i vajtën sytë tek rrushët e pjergullës?!”. Se në ditët e sotme “e bythëkrrejnë pjergullën me gjithë rrushë”, duke u “vajtur syri” tek tenderat me “theIë të madhe”! Po, sikundër e thoshte vet EZOPI: “ Sa më e vogël të jetë mëndja, aq më e madhe është mendjemadhësia!”, po edhe lakmia e pangopësia…
Athinë, më 14 dhjetor 2024
Burimi/Facebook


Leave a Reply