Shkrimtari që e përjeton thellë krizën e vlerave shpirtërore
BOTA E MADHE LETRARE E ZIJA ÇELËS
Nga Ali ALIU në gazetën Panorama
Veprat e Zija Çelës shpalosin urtësinë se rrugët, ku ecën krijuesi, çojnë drejt sё bukurёs, drejt përsosmërisë, që ёshtё cak i paarritshёm, prandaj të gjitha ato udhëtime mbeten peng i ëndrrave për majat e papushtuara. E më pas nuk mbetet tjetër, përpos t’ia fillosh rishtazi udhëtimit, çka Zija Çela e bën me çdo vepër, si një fillim i ri që ndërthuret me ato të mëparshmit dhe që, së bashku, përbëjnë një udhёtim madhёshtor…
Veprimtaria krijuese e Zija Çelës ka tё pranishme nё vete njё dimension të pashtershëm, njё bёrthamё të veçantë: të vërtetën se njerëzimi asnjëherë nuk ka qenë bosh, në mjegull, pa vizion, pa vizionarë. Duke lexuar veprat e Çelës, e kupton se asnjë epokë nuk ka mbetur pa Homer, pa Dante dhe Shekspir, pa Da Vinç dhe Betoven… Arti i Çelës i ndien dhe i parasheh të gjitha rrugët e mundshme të shpirtit e të mendjes. Qytetet e tij metaforike apo me emra realë, e sjellin botën shqiptare në pamje nga më të ndryshmet dhe, siç ka vërejtur me të drejtë kritika, përbëjnë atdheun e tij shpirtëror.
Zija Çela është shkrimtar formati me qëndrim dhe vizion qartësisht të formuar ndaj njeriut dhe botës. Është përditshmëria, kërkimi dhe vetëkërkimi dramatik i saj që e nxisin dhe e shqetësojnë këtë shkrimtar, tema që e ndjell dhe përthith ndjeshmërinë e frymëzimit të autorit; është vizioni i tij ndaj realitetit të sotëm shqiptar dhe përtej këtij realitetit, si kapërcim i kohës reale; janë fuqia dhe origjinaliteti i ekspresionit narrativ, perceptimi dhe filozofia origjinale mbi gjithësinë; janë rezonancat e kumteve të forta dhe fryma gjithëherë e pranishme e dashurisë përballë urrejtjes, e jetës përballë vdekjes, që e bëjnë shkrimtar të madh Zija Çelën.
Mund të thuhet se tërë proza tregimtare dhe romanore e autorit përbën librin e tij unik, atë me shumë kapituj, në përputhje me natyrën dhe rrugën krijuese konsekuente që në hapat e parë të krijimtarisë së tij.
Të gjithë përbërësit e poetikës narrative, personazhet, perspektivat e narratorit, koha, hapësira metaforike dhe konkrete, të kurorëzuara në bukuri rrëfimi, në romanet e Zija Çelës rrezatojnë fuqi tërheqëse, magjike, edhe për faktin se vizioni i shkrimtarit shpërfaqet qartë në tekst, deri edhe si thurje fjalësh, si intonim e ngjyrim, si figurë, si imazh dhe komunikim.
Ëndërrimi i Zija Çelës për mirëkuptim dhe harmoni mes njerëzve shquhet si tundimi më prekës, më i bukuri në veprën e madhe të tij. Dhe kur komunikohet me tundimet e botës krijuese të Zija Çelës, mbase arrihet të kuptohet më përafërt struktura e botës shpirtërore të autorit, hapësira e trualli ku lind dhe rritet letërsia e tij. Është dhunti kjo e një shkrimtari të madh, i cili jeton prore nën tundimin e sinjaleve, të porosive që pandërprerë vijnë nga thellësitë e qenies dhe të ekzistencës së njerëzimit. (Shkrimi i plotë në Panorama, 11 nentor.)
Burimi/Facebook


Leave a Reply