Ese
Dhe vjen një ditë, kur midis turmës, do të ndjesh e shikosh njerëz që hiqen si “mbinjerëz”, të cilëve u duket vetja se janë “më të mirët” mbi dhe e sikur përreth tyre “vërtitet e gjithë bota!”. Bile edhe kur je i ”mbytur”, në rrethana të jashtëzakonshme , apo ca më keq akoma: “brenda barkut të një krokodili”, si në novelën e Dostojevskit, që më mbeti ndër duar gjatë këtyre muajve të beharit, në një përkthim brilant të profesorit tim Jorgji Dhoksani. Letërsia dhe realiteti, shpesh ngërthehen ndër viset e absurdit e të një jete reale…
Kur profesori tjetër i yni, i urti Myzafer Xhaxhiu, na flste për periudhën e letërsisë frënge të shek. 17 dhe ra fjala për Ludovikun e 14-të, që e quante veten “Mbreti DIELL”, nuk do ta besoja se mund të ekzistonin mbi dhe njerëz, që e “matin veten” , po me “kutin e madhështisë!”, edhe pse Ai, la gjurmë të mira në ato 72 vite të ekzistencës së tij …Mirëpo, tipa e karaktere që vetmburen, sidomos kur “i mbërthen injoranca”, bien shpesh “në majën e penës” të satiristëve e komediantëve, si tek komedia e Molierit “Borgjezi Fisnik” –me Zotin Zhurden,- i cili pataksej që “kishte 40 vjet që fliste në prozë e nuk e dinte!”. Apo edhe tek komedia e Majakovskit, teksa vihet në epiqendër një tip si Pobjednikovski (Triumfallovi) që mburrej se “i dinte të gjitha”, bile edhe kur thoshte edhe se “Marksi ka lozur me letra”! Pa përmendur Ser Xhon Fallsatafin e Shekspirit që krekosej se “vera e Kserskit” i jepte “shansin” t’i bëjë të vetat gjithë femrat e Anglisë!..Apo edhe me Nikollaj Gogolin e Rusisë, na atë tregimin e tij të shkurtër për “të çmendurin që ëndërronte të bëhej mbret”?! Duke kujtuar edhe “Kryetrimin” e Servantesit, Don Kishotin e Mançes që u sulej me hesht mullinjve të erës, duke i pandyer si “armiqë viganë!”…E të tjerë, e të tjerë me radhë, që vijnë nga mosgjëja, nga fantazia e sëmurë e absurditetit njerëzor dhe që hyjnë nëpër libra, gazeta, nëpër skena, filma, nëpër kafene, sheshe publike, sallone promovimesh, zyra e tryeza të politikbërësve, kur nga inkopetenca “shitet” kompetenca dhe nga injorantët: dija dhe “rrahja e gjoksi!”? “Vetëm kur arrita të di më shumë nga jeta,-tha Sokrati, filozofi i lashtësisë greke,- mësova se nuk di asgjë!”. Dhe, kur Tribunali i Athinës i tha “të hiqte dorë nga bindjet e tij, ose përndryshe të pinte kupën e helmit!”, ky NJERI I MADH zgjodhi këtë të fundit, me konsideratën e bindjeve në lartësirat qiellore. “E megjithatë, bota rrotullohet!”-tha Koperniku,-Shkencëtari i Madh, para se ta digjnin në turrën e druve inkuizitorët..
Po ti “Kush Je?!” , kur thua se “Shqipëria nuk bëhet!”, kur Samiu i ndritur thoshte të kundërtën dhe zotrote “shet dëngëla, si ke mbushur xhepat me para, i ngritur nga “hiçi e errësira jote!” dhe përmend “ në mexhilis” profka të tjera badjava, për njërin e për tjetërin nga qytetarët e fshatarët e tu që rrojnë akoma në varfërinë e tyre?! Që mbete duke llomotitur gjithë jetën tënde “ashtu e kështu”, për njërin e tjetrin, sikur të ishe diç më shume se ai Samiu, Sokrati, Koperniku e Ajshtajni i madh, kur thoshte se “stresi më i madh i vinte, nga përditshmëria e tij , midis injorantëve”(?!), që s’u “mbyllej goja” në ditë-netët e tyre, kur , gjithsesi “dy metra vënd” i pretë në jetë e në gojëtarin e tyre shterpe, mbi këtë rruzull të përjetshëm?!
“A do vemi, apo nuk do vemi drejt Evropës?”, pyeste Dostojevski (qysh 160 vite më parë!), në fletën e fundit të novelës së tij “Krokodili”, pasi e bënë zhele me satirën e tij të fortë rusinë e tij të fillimeve të shekullit të kaluar. Sikur ta parashihte se çdo të ndodhte me vendin e tij pas një shekulli e gjysmë! Duke e paraqitur njeriun ekstravagant Ivan Matveiç, jashtë realitetit, që fliste pa reshtur “për ide të e mëdha”, edhe pse ndodhej “ në barkun e një krokodili”?! “Sa më bosh të jetë,- të themi,-koka e njeriut, aq më pak e ndien nevojën për t’u mbushur”,-shkruan ai…Duke vazhduar më tej, se: “Mezi e kam pritur që mbarë bota të flasë për mua!”. Dhe ky njeri,-vazhdon autori,- megjithëse dergjej përbrenda përbindëshit,-mund të ishte ministër i jashtëm, mund ta qeveriste mbretërinë!”. Kur paralelizmi që i bëhet një ndodhie të pazakonte të shekullit 18, merrte këtu “formatin” e një shteti përbindësh, që pa reshtur “kollofit njerëz!”. Shkrimtari gjenial ekzistencialist bëhet kështu zhbiruesi më i thellë i anëve më të errëta të psikologjisë njerëzore dhe i një shteti, ku përfshihet “krimi e ndëshkimi”, “idioti”-zmi , rënia morale e banorëve “të nëntokës” e të “mbitokës”, në të gjithë rrafshirën e moralit, të etikës e të psikologjisë. Që do ta përsëriste në shekullin pasardhës Franc Kafka, me novelën e tij , po kaq të tmerrshme të psikoanlizës: “Metamorfoza”, me shndërrimin e shitësit Gregor në një insekt gjigand. “Ai qëndroi ashtu,-shkruan Kafka,-në një gjendje të qetë dhe u përshtat me gjendjen e zbrazët…”,-po kaq i njëllojt, si edhe Ivani Rus në barkun e një përbindëshi, duke aluduar kështu për shoqërinë e kalbur të Rusisë së asaj kohe, që do të përsëritej në kohën që po jetojmë…Kur edhe përshtatja bëhet po aq e mjerë dhe e lemerishme, brenda një diktature e izolimi fatkeq, teksa shtohen vizitorët indiferentë rreth teje, ndërsa dhe bashkëshortia yte qetësohet ,sikundër edhe ti “rehatohesh” brënda “barkut te një përbindëshi” dhe ajo e ha darkën fare këndshëm me “ortakun tënd”! … “Kjo botë u ç’thurë, prapësi, o dreq!…”,-ulërinte princi Hamlet i Shekspirit , kur i ungji-Përbindësh,- i rrëmbeu mbretërinë, i vrau të atin dhe i mori në krevatin e tij edhe bashkëshorten, që mjerisht ishte nëna e tij!
Shkrimtarët realist shpesh i paraprijnë politikës së zhvillimeve njerëzore dhe epokave historike, sado që fshihen hera-herës pas alegorive e trajtave groteske e absurde. Me kokëbosh si tipi Çuçi i Qamil Buxhelit në komedinë e tij groteske “I pa zëvëndësueshmi, apo si “ Shoku Zylo” i Dritëro Agolit që thoshte “E di unë!” për gjithçka, edhe kur s’dinte asgjë e kamuflohej satira nën “petkun e luftës kundra burokracisë” së asaj kohe dogmatike. Ndonëse jetonin edhe ata në “barkun e një krokodili” , apo të shndërruar në insekte gjigande! Personazhe tipik që i zvarriten çdo kohe…
Ndryshe do ishte puna në se “bota nuk do rrotullohej” natyrshëm për disa persona, dhe krejt ndryshe si e do ti e ai tjetri, mundësisht “së prapthi!”, në ndonjë tepsi, apo brenda ndonjë “barku gjigand”!. Ti përpiqesh të thuash të drejtën a të kundërtën, sepse ai filani të akërehet, si kokosharët e fshatit, nga që meret me “ çikërima” gjithë jetën e vet , duke u “grindur edhe me vetveten!”…Që të flasësh për zhdukjen e çuditshme të keqbërësve pa adresë, pa u identifukur dhe pa u zbuluar kurrë më, gjersa të harrohen hajdutët e vjetër që i “mbushën xhepat” si nëpër përralla?!…. Teksa edhe në emisionet televizive “bluajnë ajrin” pa reshtur, tejmbushen me analistë llafollogë, hera-herës ,me debate “pa bukë”, që flasin si në “korin e operës” , jashtë çdo partiture! Ndofta qëllimisht, të mos merret vesh se ç’flitet!
Sikur vegjetojnë gjithë sa nxënë “barku i Shën Marisë”, në “barkun e krokodilit”, sikundër të gjorin Ivan Matveiçi të Dostojevskit e Gregorin e Kafkës. I pari do të planifikonte këtu e kështu, qetësisht, nisjen drejt Evropës, teksa kishte prerë edhe një biletë për ta parë atë, -shkruante Dostojevski,-para se ta kollofiste përbindëshi, ndërsa i dytë, të shiste zarzavate, nga baçet e Çekisë… E megjithatë “Bota rrotullohet”,-tha Koperniku! “Kjo BOTË U Ç’THURË”,- bërtiste Shekspiri!….
Për ta mbyllur edhe me një episod, që nuk desha ta përmendia: Që në Festivalin Botëror të Teatrove që u zhvilIua 26 vite radhazi në “SKAMPA” të Elbasanit, por që, në sezonin e këtij viti , para një muaji nuk “shkeli në sallë” asnjë zyrtarë, deputetë e ministra të vendit, teksa dihet që kultura e një kombi matet nga sallat e teatrove(?!),- sikundër thuhet e do të ndodhte që në hapat e para të njerëzimit, me anfiteatrot e harkuara e të gurta, për mijëra njerëz, për t’u përsëritur edhe në mesjetë, në Teatrin “GLOBUS” të Shekspirit në Londër , kur në çdo premierë, nuk mungonte në llozhën e saj edhe Mbretëresha Elisabetë, ç’do të thonim ndryshe?!
E përsëri: “Bota vazhdon të rrotullohet” në skenën teatrale të jetës….
Athinë, fillim dimëri 2024
Burimi/Facebook

Leave a Reply