Dhe si gjithmonë kjo ngjarje letrare, shoqërohet me diskutime, debate, vlerësime, ku secila palë, ka qasjen e saj individuale, ndaj gjithë kësaj “zhurme Panairi”.
Kur jetoja në Shqipëri, kam qenë çdo vit e pranishme në të, me shëtitjen dhe kërshërinë time. Prej ca kohësh tashmë, këtë gjë e kam të pamundur. Sigurisht që lexuesi, jo domosdoshmërisht ka nevojë për panaire që t’i afrohet librit. Ka edhe mënyra të tjera për të arritur te vepra letrare dhe rrjedhimisht te autori apo përkthyesi: libraritë, rrjetet sociale, njohjet me autorët, këshillat e miqve etj.
Por kjo nuk do të thotë se nuk e mirëpres atë. Përpos asaj zhurmës, herë – herë të stisur, por edhe të vërtetë, personalisht do ta vizitoja, me shumë dëshirë. Duke përjashtuar veprat e klasikëve, të cilat i zgjedh në çdo vend dhe kohë, Panairin e shoh si një mundësi për të njohur autorët shqiptarë të ditëve tona. Pasi jam kureshtare për stilin e tyre të të shkruarit dhe gjithashtu dua të kuptoj se në ç’kah po shkon letërsia shqipe, që shkruhet e botohet sot.
Kam lexuar një shkrim para ca kohësh, ku theksohej se “pas botimit të një libri, qëndron një punë e tërë që bëhet nga të gjithë aktorët dhe promovimi i autorit, përkthyesit nuk është vetëm shikueshmëri, por në të njejtën kohë është edhe qarkullim idesh dhe mundësisht financiare. Dhe këto të fundit, mundësitë financiare, çojnë në qarkullimin e ideve të tjera”. Pikërisht kjo është edhe qasja ime.
Burimi/Facebook


Leave a Reply