(Tregimi që fitoi Çmimin e Tretë në Konkursin letrar të komunës së Suharekës)
Një gocë e vogël, njëmbëdhjetë ose dymbëdhjetë vjeçare, po ecte mendueshëm një rrugice të ngushtë të Parisit. Çanta e rëndë me plotë libra e fletore, nuk po e rëndonte aq shumë trupin e saj të jomë në krahasim me fjalët dhe ngacmimet që kishin bërë shoqet dhe shokët e klasës.
“Ti me këtë emër, nuk je franceze! Nuk e ke as fizionominë tonë! Nuk je si ne!” – po i thoshin e goca e re nuk dinte se si të mbrohej.
Ajo vërtetë quhet Albana. Kështu e kishte emrin. Kështu e thërrisnin të gjithë. Edhe mami. Albana e thërriste edhe gjyshja. Kështu e thërrisnin edhe shoqet e shokët e lagjes. Edhe shoqet e shokët e klasës. Në ditar ishte e regjistruar Albana… dhe kështu i drejtoheshin edhe mësimdhënësit. Por asnjëherë më parë askush nuk i kishte thënë se “Ti nuk je franceze”!
Kurrë më parë nuk e kishte shtruar në bisedë me as kë, madje as me mamanë, çështjen e emrit që mbante. As vetë nuk ia dinte domethënien.
Në klasë, pas ngacmimeve të shoqeve, për herë të parë e kishte vrarë mendjen edhe për babin. Albana, në të vërtetë nuk e dinte se kë e kishte baba. Atë nuk e kishte takuar kurrë. Nuk e kishte përjetuar asnjëherë dashurinë e babait, ledhatimet e tij, bisedat me të. Thjeshtë ishte rritur me mamanë dhe me gjyshen. Deri vonë nuk kishte menduar se fëmija duhet t´i ketë të dy prindërit.
Rrugës nga shkolla deri në banesë nuk mendonte as gjë tjetër përpos asaj që e mundonte. Kush është babai im?! Kush është ai?! Si është e mundur që tërë këto vite pa e parë dhe pa e takuar atë?!
Dhe, sa më shumë që i afrohej banesës i shtohej inati. Kur po ngjitej shkallëve për katin e tretë ku banonin, lotët e vakët filluan ti rridhnin faqeve të njoma.
E kishte zakon që sa herë kur kthehej në shtëpi ti binte ziles, derën t´ia hapte gjyshja ose mamaja, t´iu hidhej atyre në gjoks dhe ti përqafonte me dashurinë fëmijës. Kësaj here, e shtyu me forcë derën e drunjtë dhe as që shikoi kah dhoma e ditës ku ishin bashkë mami dhe gjyshja. Hodhi me zemërim çantën pranë raftit të këpucëve dhe ashtu e dëshpëruar e me lot që ia lanin faqet shkoi e u shtri mbi shtratin e dhomës së saj. Nënë e bijë, gjyshja dhe mamaja, shikuan njëra-tjetrën por nuk e dinin se ç´i kishte ngjarë vogëlushes. E para gjyshja e pastaj edhe Annie, kështu quhej mami i Albanës, të dyja bashkë, shumë të shqetësuara, po përkëdhelnin dhe po e pyesnin se çfarë i kishte ndodhur.
– Zemra ime, shpirti i mamasë, çka të ka ndodhur? Pse po qanë?! – iu drejtua Annie.
– Tregoj gjyshes, çka të ka ndodhur, çka po të mundon? – e pyeti gjyshja duke e
përkëdhelur.
– Ju nuk jeni të mira! Ju jeni të këqija! Pse po mbani të fshehur nga unë?! – po e rrihte
dyshemenë me këmbët e vogla dhe po e mbante kokën me të dy duart Albana. – A kam unë baba? Të gjithë fëmijët kanë një mami dhe një baba! Kush është babai im? Përse nuk e kam takuar atë unë asnjëherë?!
Annie dhe nëna e saj, me sy të hapur nga habia, prapë shikuan njëra-tjetrën.
– Ndoshta është koha ti tregojmë, – tha Annie.
– Jo. Ende është e re. Të mos e lëndojmë, – iu përgjigj plaka.
Annie kësaj here nuk e dëgjoi këshillën e nënës. U ulë pranë Albanës. Ia mori kokën në
prehër dhe po e ledhatonte sikur në kohën kur ajo ishte fare e vockël:
– Zemra e mamit. Edhe ti ke baba. I quhet Isak. Është shqiptar nga Kosova. Po ai nuk
është këtu. Nuk gjendet në Francë. Jeton diku tjetër. Larg, shumë larg nga ne.
Albana po e dëgjonte me vëmendje dhe po i lëpinte lotët e vakët që po ia lanin faqet e njoma. Kurse Annie vazhdonte rrëfimin duke u përpjekur që të mos e lëndonte të bijën. Fliste shkurt e me fjalë të zgjedhura duke mos dashur që portreti i Isakut të paraqitej i vrazhdë dhe as ti përngjante përbindëshit.
– Jemi njoftuar në qytetin Bazel, në pjesën e Zvicrës. Ai, pasi kishte kryer gjimnazin në
vendin e vet, për të fituar para që pastaj do ti shërbenin për studime, kishte shkuar atje dhe punonte në një restorant. Unë, si të kam treguar, kam qenë stiliste, dhe si e re kam shkuar të punoj në të njëjtin qytet. Studioja e bukurisë, ku punoja unë dhe restoranti, ku punonte Isaku, nuk ishin larg njëri tjetrit. Me koleget e punës, ndonjëherë drekonim në të njëjtin restorant. Aty edhe u njohëm me Isakun. Pëlqyem njëri-tjetrin dhe një kohë banuam së bashku. Kur unë mbeta shtatzënë, Isaku është larguar, pa më treguar se ku po shkonte. Në ndërkohë linde ti. Për hir të dashurisë së sinqertë që kisha ndaj Isakut, ta lashë emrin Albana. Kur mbushe ti tre muaj, së bashku me ty u kthyem në Paris për të jetuar me gjyshen…
Duke dëgjuar rrëfimin e mamasë për historinë e saj që për herë të parë po e dëgjonte, zemra e Albanës rrihte herë me ritëm të shpejtuar e herë me të ngadalësuar. Kështu i ndodhte edhe herëve të tjera, sa herë i binte ndërmend babai. Që nga ajo ditë, në mendjen e saj, edhe kur mbyllte sytë i delte portreti i babait që nuk e kishte parë kurrë. E paramendonte si një djalosh të bukur, të dashur e shpirtbardhë, në të cilin që në shikim të parë ishte dashuruar mamaja. Ai sikur e shikonte me dashuri Albanën dhe i dhuronte buzëqeshje të ëmbla. E shihte edhe në ëndërr, ashtu të dashur, por kur hapte duart për ta përqafuar, Isaku disi ikte dhe Albana nuk mund ta zinte.
– Baba! Baba! Unë jam bija jote, Albana! – i drejtohej me zemër të hapur, por… i prishej
ëndrra dhe zgjohej e dëshpëruar nga gjumi me trupin e mbuluar nga djersët.
Ndonjëherë kur shëtitej bulevardeve të Parisit, i nguliste sytë në ndonjë burrë që i dukej se ishte i ati. “Ky bukurosh duhet të jetë babi im!” Po nuk ishte si dëshironte ajo. E gënjenin sytë dhe ndjenjat. Dëshpërohej. Ofshante thellë dhe pastaj vazhdonte ecjen.
Një ditë tek sa po kalonte këmbë mbi njërën nga urat mbi lumin Senë, që ndante Parisin në dy pjesë, u ndalë të shikonte se si uji i lumit rridhte i qetë. I kishte lakmi lumit, sepse uji i tij rrëshqiste lehtë dhe pa brenga. Sa kishte dëshirë që edhe jeta e saj të rridhte ashtu qetë, si lumi. Dhe, duke soditur ashtu, në një moment iu duk brenda ujit po përpëlitej me jetën një njeri. I bëhej se ai ishte Isaku, babai i saj që nuk e takoi kurrë… Zgjati duart që ta ndihmonte, ta nxjerre nga uji, ta shpëtonte dhe ta gëzonte duke e përqafuar me mall… Ishte në ekstazë…
Herën tjetër, hipi në majën më të lartë të Kullës së Ajfelit dhe me sa zë që pati thirri “O babi! O babi Isak, ku je?!” Por zëri i saj nuk u dëgjua sepse u përzije me zhurmën tjetër të Parisit shumë milionësh.
Vitet po kalonin por ajo asnjëherë nuk e humbi besimin se një ditë do ta takonte babanë.
Albana kreu shkollën e mesme dhe filloi studimet. Në Akademinë e Arteve po studionte për regji, film dhe teatër. Aty kishte edhe studentë të tjerë që kishin ardhur nga shumë shtete të botës. Ishin edhe dy vajza, dy motra nga Kosova. Një paradite, kur Albana po udhëtonte me metro për në Akademi, rastisi që të ulej në një karrige të ngjitur me ulëset e dy motrave nga Kosova. U tha se quhej Albana dhe se babai i saj, të cilin nuk e kishte takuar kurrë, ishte gjithashtu nga vendi prej nga ishin motrat Zeqiraj.
– Si?! Ashtu?! Asnjëherë nuk e keni takuar babanë? Dhe a e dini se nga cili vend në
Kosovë është ai? A është ende gjallë? –ishin një varg pyetjesh që iu shtruan Albanës.
Ajo u tregoi krejt çka dinte. Ua tregoi edhe emrin e fshatit e të komunës, ashtu siç i kishte thënë nëna Annie. Me pak fjalë ua tregoi tërë historinë
Motrat u shikuan me habi mes vete dhe i buzëqeshën Albanës:
– Po ti qenke shqiptare, si ne!
Albana nuk ishte e sigurt, por pohoi me kokë.
– Haha haaaaaa – qeshën me dashamirësi motrat. – Ne vijmë po nga e njëjta komunë. E
dimë ku gjendet fshati për të cilin po flitni. Personin në fjalë, pra babin tënd, nuk e njohim, por të jesh e sigurt se do ta gjejmë.
Albanës po i qeshte fytyra. I dukej se po fluturonte. Barra që po e rendonte në zemër prej kohësh, po i hiqej më shpejt se sa ecte treni mbi binarët e hekurt. Po përjetonte një gëzim si kurrë njëherë më parë.
Ajo quhet Albana dhe me krenari do ta bartë këtë emër.
Burimi/Facebook


Leave a Reply