Librat duhet të lexohen me të njëjtin mirëbesim dhe kujdes me të cilin janë shkruar, shprehej shkrimtari dhe poeti amerikan, Paul Auster.
Leximi dhe ndjeshmëria janë të lidhura ngushtë. Leximi i ngjarjeve në roman, apo në tregime, sikur na përgatit të jemi më empatik, të arrijmë në një sintoni të këndshme në marrëdhëniet tona me të tjerët dhe mbi të gjitha, të përfitojmë emocione dhe këndvështrime të ndryshme nga tonat.
Tregimet i kam preferuar gjithmonë, pasi personazhet e tyre më krijojnë përshtypjen e njerëzve që rendin, vrapojnë për të kapur oraret. Ato krijohen dhe kanë më pak kohë në dispozicion që të jetojnë eksperiencat e tyre, të rriten dhe të pozicionohen rreth nyjes së rrëfimit, në krahasim me personazhet e romanit.
Mendoj se mbetet detyrë e autorit (ndër më të vështirat) që t’i japë dritëhijet e duhura personazheve pasi i ka krijuar ato, t’i dritësojë në momentin e duhur, t’ua pranëve personazhit të duhur, në pikën e duhur të rrëfimit. Për këto gjëra nuk ka masë, por është një lloj intuite e lindur e atij që shkruan për të “luajtur” mirë lojën e personazheve në rrëfim. Këtë lojë e ka luajtur bukur Mimoza Leskaj në rrëfimin e 20 tregimeve të saj që mban titulllin “Qiell pa banorë”.
Jo pak herë e pyes veten: a i ngacmon autorët pyetja: Pse shkruaj? Për çfarë shkruaj dhe ç’dobi do t’i sjellë lexuesit ajo që ata po i servirin?
Përshtypja që më la leximi i këtij vëllimi me tregime është se Leskaj shkruan për gjëra që e shqetësojnë, për gjëra që dhembin. Për plagë të hapura në udhëtimin jetësor. Këto rrëfime bëhen pjesë e jetës së tjetrit, duke ndriçuar skutat e mendjes dhe zemrës së tyre.
Duke u përhumbur mes rreshtave të tregimit “Djaloshi me bluzën rozë”, kuptoj se autorja është ngacmuar nga një pikturë. Një ngacmim që e thellon edhe më shumë fati i djaloshit të pikturuar, i cili shoqërohet nga një vajzë. Ngacmimi ka qenë aq i fuqishëm, sa rrëfimtarja kalon në një përqafim imagjinar të dhimbsur nëne me këtë djalë dhe ti si lexuese, përfshihesh në këtë përqafim që ka ngrohtësinë dhe fuqinë e atij të një nëne. Ajo nuk merr përsipër të ritregojë ç’ka ndodhur me djalin me bluzën rozë, por përmes detajeve të duhura, na përcjell emocion. Një emocion që mund të ndihet vetëm kur përqafon me shpirt, ashtu siç përqafohet djali në këtë tregim.
Vdekja ka zhurmë të hidhur dhe sidomos kur ajo që ka ndërruar jetë është një mike e rinisë, të cilën ke vite pa e parë dhe rastësisht, krejt rastësisht ti udhëton bashkë me trupin e saj të pajetë që po e kthejnë në atdhe. “Duke pritur diellin” e ka titulluar Leskaj këtë tregim. Në të vërtetë ky titull është një batutë e cila është vënë në gojën e personazhit, mikes së saj Verës. kur ajo ishte e re. Kishte kërcyer aq shumë atë mbrëmje Vera, sa nuk donte të flinte, por të rrinte dhe të priste rrezet e para të diellit që do të lindte. Një syth jete i këputur pasi ka lulëzuar, dhe ka sjellë në jetë dy fëmijë të cilëve lajmi i hidhur se nëna e tyre nuk jeton më, i shkund zemrat dhe iu rrëmben britmat e shpirtrave fëminorë.
Sa zakone të vogla na vijnë në mend nga e kaluara, si për të na shkundur në të tashmen, dhe për të hedhur dritë mbi ca rastësi të cilat, as i ke menduar ndonjëherë se do të kishin lidhje me jetën tënde. Kështu në tregimin “Tjegullat”, personazhi kishte zakon që të numëronte tjegullat e shtëpisë. Numërim që pothuajse përhërë i mbetej pezull, i papërfunuar, siç e gjatë dhe e pafund është udha e fatit që gjithsekujt, jeta ia shkruan ndryshe nga tjetri. Një udhëtim që duket sikur përfundon në atë stacion, ku jo se peripecitë dhe të papriturat mbarojnë, por njeriu kthen kokën pas dhe nga ajo që sheh, i duhet të bëjë kompromise me veten për të jetuar. Për të pasur vetë një jetë dhe për t’u bërë pjesë e jetës së atyre që e rrethojnë, për ta ndryshuar sadopak atë dhe mbi të gjitha, për të pasur kohën e duhur për t’u përhumbur në numërimin e plotë të tjegullave të shtëpisë, zakon që e tërhiqte zvarrë personazhin që nga fëmijëria.
Kur shohim një grua me flokët e prerë shkurt pyetja e parë që na vjen ndërmend është: pse vallë? Pse vallë ajo ka vendosur të heqë dorë nga ajo pjesë që e bën atë më femërore? Duket se pyetja që lind aq papritur ka disa përgjigje si: fundi i një historie dashurie, humbje e një njeriu të dashur që ka pasur një rol të rëndësishëm në jetë dhe ndjesia për të dashur të ndihet më e fortë. Por ka edhe një arsye tjetër më të fuqishme që është gjendja shëndetësore e saj. Ajo pret flokët shkurt sikur do që të zhdukë shenjat e fatit që e kanë goditur fort. Kjo goditje vjen nëpërmjet figurës së gërshërës që kalon duke kërcitur mbi kokën e gruas, duke e kthyer atë në pre të tik- takut të orës dhe kohës së pakët që i ka mbetur. Të dashurit e saj, afruar tanimë rreth tryezës së shtruar që simbolizon vetë jetën, nuk mund t’ia shtojnë ato tik- take. Secili mund të mësojë pak nga dhimbja e flokëve të prerë shkurt.
Mbetja pezull e ngjarjes hera – herës rimerr jetë përmes gjetjes së detajeve të spikatura për të pasuruar rrëfimin.
Rrëfimi në tregimet e Leskajt ka një ritëm intensiv, aq sa kur shkon në rreshtat e fundit të çdo tregimi, të duket sikur ke dihatur fort për të arritur në vijën e finishit. Një dihatje figurative ku rrëfimi vjen herë në vetën e parë dhe herë në vetën e tretë. Ai përmban në vetvete një tis enigmatik që duket sikur i jep lexuesit mesazhin; ”ky eshtë pikëtakimi dhe për të arritur, mund të vini nga rrugë të ndryshme. Secili mund të ndjekë udhën e tij ashtu siç ka këndvështrimin e tij për jetën”.
“Qiell pa banorë” është edhe tregimi që i jep titullin këtij libri me tregime. Ne tokësorët, kemi qenë gjithmonë kureshtarë për qielllin. Nëse ajo çfarë është në tokë dhe e kemi pranë nesh na është e njohur, qielli gjithmonë na ka ngjallur kureshti. Kureshti dhe dëshirë për të gjetur prehje për shpirtin e trazuar. Në këtë tregim që jo pa qëllim është përzgjedhur të ravijëzojë të gjithë librin, lexuesi përballet me hamendësi të ndryshme dhe njëra prej tyre është edhe tretja e vështrimit të personazhit, në qiellin e hapur, duke kërkuar banorët e padukshëm. Banorët për të cilët mendonte se duhet të ishin ndryshe nga banorët e tokës. I përfytyronte më të dashur, më njerëzorë, më shpirtbukur… Kërkohet në qiell, ajo çfarë në tokë tanimë mungon.
Na ndodh të gjithëve të ngremë sytë nga qielli si për të kërkuar atje zgjidhje për pikëpyetjet tona. Sa herë kjo hapësirë e pamatë kaltërsie bëhet strehë për ata që realiteti i zhgënjen dhe mundohen të gjejnë një realitet tjetër, pse jo edhe të tjerë njerëz, sajuar me fantazi dhe pëlhurë resh.
Në kaosin e plotë të përditshmërisë, personazhi veshur me një veshje dhome rozë, ndihet e vetme. Një vetmi tokësore që kërkon një prehje në qiell. E tek kërkon çfarë gjen? “Pikturuar” në masën puplore të reve, sheh një pemë dhe një kryq… Një kryq sikur të qe vizatuar me dorë njeriu. Kemi përdorimin e personazheve simbolikë, situatave simbolike dhe objekteve simbolikë. Këta të fundit, nëse përdoren me mjeshtëri në rrëfim, bëhen mjete me vlerë dhe marrin një vlerë simbolike, sipas fuksionit që ato kanë në rrëfim. Janë dy simbole të përzgjedhura me kujdes. Pema është simbol i forcës, i përshtatjes me mjedisin dhe i rilindjes. Ajo lulëzon në sythe dhe ushqehet prej tokës dhe përfaqëson dëshirën për të jetuar, për një fillim të ri, një faze të re të jetës dhe ekzistencës. Në kulturat e vendeve të besimit kristian, kryqi simbolizon një peshë, një barrë që dikush detyrohet ta mbajë. Një kryq që kapërthehet në degët e një peme, tretet mes tyre… Vështrimi drejt qiellit në tregimin tonë merr emrin e besimit.
Simbolikën e qiellit e ndeshim edhe në tregimin “Kujtimi i largët”, ku kemi një situatë simbolike:
“Qielli u ça dhe njerëzit çanë kufijtë.Një metaforë që përligj edhe vrapin që më pas nisi jeta: Prishja filloi nga e para. U prish cfarë ishte ndërtuar.
Ngjarjet në këtë tregim kanë retrospektivë të befasishme: kur rrëfimtarja është një grua plakë që nipërit e pyesin për tespiet; kur është një vajzë që shkruan “të dua” në avujt që kanë veshur xhamat në dhomën ku po gatuhej; e kur bie në mendime për jetën e paraardhesve të saj: gjyshes dhe stërgjyshes. Me mendje fluturon ndër breza dhe pyetje më të mëdha se vetja e mundojnë.
Shtrohen në këtë tregim herë pas here një sërë pyetjesh. Disa prej tyre janë thjesht si një komunikim mes personazheve dhe disa të tjera janë pyetje që nuk presin përgjigje, por lënë shtigje të hapura që secili të reflektojë sipas mënyrës së tij.
“Ç”lidhje kanë brezat me njëri- tjetrin?”
Zinxhiri gjenerues mes brezave eshtë hirearkik: brezat ndjekin njëri- tjetrin dhe ata parardhës kanë përgjegjësi për ata që iu vijnë pas.
Ndërsa në rastin e tregimit tonë, rrëfimtarja vërtet që sheh, prek dhe jeton atë që është pjesë e jetës së saj, por ajo duket e shqetësuar edhe për jetën e paraardhësve të saj.
Lidhjet dhe ndryshimet nuk janë veç mes brezave. Ato vijnë edhe brenda të njëjtit brez: “ – Ej, hajde moj, a do luajmë?
Ua, sa budallaçkë! – thoshte tjetra. – Lëreni, lëreni se ajo nuk mbush mirë… Vërtet nuk mbushja mirë?”
Dlirësia e rrëfimit, kurioziteti i mbajtur gjallë nga pyetjet e shpeshta, humori fin në komunikimin me gjyshen bëjnë që ky tregim të spikasë mes të tjerëve.
Të spikasë mes këtyre rrëfimeve që sjellin një mori ngjarjesh dhe personazhesh të cilët nuk janë tjetër veçse një udhëtim njerëzor, ku herë pas here, sytë janë drejtuar drejt qiellit; qiellit pa banorë.
Urime nga zemra Mimoza Leskaj dhe suksese në çdo hap tuajin!
✍️Teuta Dhima
Burimi/Facebook


Leave a Reply