“Te gruaja gjithçka është enigmë”, thotë Nietzsche. Ndërsa Marsela Neni, në vëllimin poetik “Nantë herë grue”, i zbulon lexuesit, lirshëm, shpirtin e saj të virgjër, mbarsur me dëshirën për të lindur një varg – fëmijë. Një varg dhimbjeje, trishtimi, një ngërç poetik, një fjalë të bekueme që pret të lexohet prej buzës së tij, një varg të marrosur nga vetmia.
Në optikën time, ky vëllim josh si nga strukturimi, ashtu edhe nga brendia.
Konceptuar në tre cikle të fillimit – Unazë gjaku, Unazë zjarri dhe Unazë fryme – përvijimi i figurës së femrës nis që në lindje: vajtimi i nënës që nuk lindi dot një trashëgimtar dhe një baba, që as ai nuk i gëzohet ardhjes së saj në jetë sipas zakonit. Dëgjohet vetëm e qara e mbytur.
Por femra është aty, hedh shtat çdo ditë – eshtërpêrvjedhur, pëlhurëmishtë, gushëcipëfildishë – duke iu lutur Zotit, që mashkullit t’i japë një palë sy, që ta shohë atë siç e sheh Krijuesi. Në shpirtin e saj, fillon e zë fill dashuria,, që i shton ngjyra qiellit. Ndjenja të bardha, lotë, mall, zjarr, dhimbje, hare, brishtësi e forcë. Imazhi i tij, ëndrrave u bën hije.
E plotësuar si qenie, ajo do të ndihet kur përreth saj, do të frymojnë edhe figura të tjera. Motra: së cilës i adhuron gjithçka – këshillat, brengat, zënkat – një yll mëngjesi që prin udhën, një hanë për të. Gjyshja: një ëmbëlsi zemre engjëlli, gjithmonë e palodhur. Babai: i vetëharruari, të cilit një bijë e ka të vështirë t’i gdhendë një urim “O Zot, merr pak frymë nga unë/ dhe shtoja atij që dua më shumë!”
Cikli i dytë, Unazë zjarri, midis vargjeve, shpalos gruan me tërë fuqinë e saj të qëndresës, durimit. “Grua, ti je forcë, je dobësi e dënuar me madhështi”.
Unazë fryme. Në këtë cikël universi – i përjetshëm dhe i pafundëm – ngjan aq shumë me të qenit nanë: një nanë që vajton të birin, i cili nuk arriti dot të vinte në këtë jetë, një nanë lehonë shtojzovalle e ëmbël, që vështron engjëllin e saj, më të bukurin që ekziston, një nanë që më kot pret që e bija të jetë si ajo “Çdo ditë mësoj si të të braktis/ Të lë rrugëtimin tënd të përshkrosh/ Besomë bijë! S’është aq e thjeshtë”.
Dhe, Ashti i këtij libri, është pikërisht ajo, Nëna. Ajo me prehërin më magjik, ajo me dorën që ndan detin më dysh, qenia pa shtëpi, që botën mban mbi shpinë.
“Është plakur nëna, fuqi më s’ka/ me drojë duarlidhur, më kërkon diçka/ Është plakur nëna, tani do veç të flejë/ Unë lutem, ah sa lutem, gjumi mos ma rrëmbejë…”
Në mbyllje, cikli Çeltinë- kullotë, lirishtë, lëndinë – ku hedhin valle shtojzovallet. Ku ndërthuren zërat me mëngjesin, atje ku ndizen yjet, ku përshfaqet gjithë bukuria.
“Jam një shpirt i vulosur
në një shishe.
Jo rastësisht vala më nxorri në bregun tënd,
që të më merrje ti ndër duar
e të shkundullonte qielli im
nga trandja jote”.
Në këto ditë vjeshte, këtë libër e gjeta si një zgjidhje të mirë, për të zbuluar një tjetër shpirt – autore femër. Do t’jua këshilloja leximin e tij me shumë dëshirë!
Burimi/Facebook


Leave a Reply