Shpesh ritin e dallëndysheve kam prishur,
ata migrojnë duke ikur tutje diku larg,
unë me mallin e djegur gjak shprishur,
vij te ti herë me tokë, herë mbi det me dallgë.
Nga dashuria që më ndizet, stinët kam përzier,
nuk pyes se është pranverë apo vjeshtë,
dimrin e ftohtë me erë e suferinë në shpirt kam ndjerë,
dhe flokët e dëborës së bardhë më tresin esht.
Ka ndodhur që kam folur me ju, dallëndyshe
vallë, ku shkoni kështu, trishtuar, pendë vrarë
duke braktisur djepet që na kanë përkundur gjyshet,
dhe ninulla e tyre ndihet thellë deri në varr.
Dhimbje e tyre më mundon të ngratën zemër,
çdo natë në gjumin e thellë më shoqëron,
jap fjalë sa herë me ‘to realizoj ëndërr,
besa e dhënë gjithë krahërorin shpon.
A kuptoni se edhe stinët nuk bëjnë më si më parë,
bën verë e thatë, nxehtë dhe shumë e gjatë
kanë humbur nocion, çdo gjë e rregullt ka shkarë
nga çdo gjë e dashur larguar, pse ky fat?
Pata fatin e keq për viset dhe trojet që dua,
dallëndyshe dhe ju largoheni mbytur në vaj,
me lot e ngashërime më copëtohet shpirti mua,
për ju dhe vendin tim të dashur, vetëm qaj.
Ndaj ju lutem, ju lutem shumë, mos u largoni
si atdheu im, Shqipëria, asgjëkund s’ka
se një ditë në vend të këngës do vajtoni,
do vajtoni nëpër qiell mbi det e dallgë pa prà!
Trandafile Molla (Baja)
27 gusht 2024 (poezi në librin e radhës )
Burimi/Facebook


Leave a Reply